Kërko

Takimi XXVII i nivelit të lartë ibero-amerikan Takimi XXVII i nivelit të lartë ibero-amerikan

Papa për Takimin ibero-amerikan: vullnet politik, për të dalë më të mirë nga pandemia

Kapërcimi i pandemisë nuk do të jetë i mundur "pa një vullnet të hekurt politik, që ka guximin t’i ndryshojë gjërat, veçanërisht përparësitë, në mënyrë që të mos jenë të varfërit ata, të cilët paguajnë çmimin më të lartë për këto tragjedi, që po prekin familjen tonë njerëzore”. Këtë pohon Papa Françesku në një mesazh për Takimin e nivelit të lartë ibero-amerikan, që u mbajt sot

R.SH. - Vatikan

Vullnet i fuqishëm politik për ta përballuar pandeminë e koronavirusit dhe pasojat e saj ekonomike, në mënyrë që ato të mos bien vetëm mbi të varfërit. Këtë kërkon Papa Françesku në një mesazh për Takimin e nivelit të lartë ibero-amerikan, që u mbajt sot në formë virtuale. Në të marrin pjesë të gjitha vendet spanjisht e portugalisht-folëse të kontinentit amerikan, së bashku me Spanjën, Portugalinë e Andorrën. Nga Afrika bën pjesë në vendet ibero-amerikane vetëm Guinea Ekuatoriale. Gjithsej, 22 kombe e nëntë vëzhgues. Faktikisht, është fjala për shtete, që dikur ishin koloni të Portugalisë e të Spanjës. Duke filluar nga viti 1991, kjo bashkësi kombesh organizon çdo vit Samitin Ibero-amerikan, ku marrin pjesë krerët e shteteve e të qeverive. Kësaj radhe, Takimi i 27-të u mbajt duke respektuar masat e sigurisë, për shkak të Covid-19.

Pasojat e pandemisë

E pikërisht pandemisë i referohet Papa Françesku në mesazhin për Sekretaren e përgjithshme, zonjën Rebeca Grynspan Mayufis. Së pari, Ati i Shenjtë kujton miliona viktimat e të sëmurët nga koronavirusi, që edhe në këtë periudhë, ka gjunjëzuar vende të mëdha si Brazilin. “Pandemia – shkruan Papa - nuk ka bërë dallime dhe ka prekur njerëz të të gjitha kulturave, besimeve, shtresave shoqërore dhe ekonomike. Ne të gjithë e dimë dhe e kemi provuar humbjen e një të afërmi, vdekur nga koronavirusi, ose të dikujt që vuan nga pasojat e infektimit”. Françesku u shpreh afërsinë e tij familjeve, sidomos fëmijëve e të rinjve, por edhe mjekëve e infermierëve, në vijën e parë të frontit kundër sëmundjes.

Vaksina, pasuri e përbashkët universale

Siç ka bërë shpesh kohët e fundit, Papa thekson se imunizimi nga virusi duhet konsideruar si “e mirë e përbashkët universale”. Në këtë kuadër, pohon Ati i Shenjtë, “mirëpriten veçanërisht nismat, të cilat përpiqen të krijojnë forma të reja solidariteti në nivelin ndërkombëtar, me mekanizma që synojnë të sigurojnë shpërndarjen e drejtë të vaksinave, bazuar jo thjesht në kritere ekonomike, por në nevojat e të gjithëve”.

Një ekonomi me njeriun në qendër

Për këtë, vëren Ati i Shenjtë, është e nevojshme një ekonomi e re, për të dalë “më të mirë” nga kriza. Prandaj, “duhet të bashkojmë përpjekjet që të krijojmë një horizont të ri pritshmërish, ku objektivi kryesor nuk është përfitimi ekonomik, por mbrojtja e jetës njerëzore. Është urgjente të merret parasysh një model rimëkëmbjeje, i aftë për të gjetur zgjidhje të reja, më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, që synojnë të mirën e përbashkët universale, duke realizuar premtimin e Zotit për të gjithë njerëzit”.

Të rishikohet borxhi i jashtëm

 Edhe një herë, Papa Françesku flet për borxhin e jashtëm e kërkon rishikimin e tij, një gjest – vëren – që do t’i ndihmojë vendet më të varfëra të zhvillohen e të përmirësojnë shëndetësinë, arsimin dhe punësimin. Ai duhet shoqëruar me “politika të qëndrueshme ekonomike dhe me një administrim të mirë, që arrin deri tek më të varfërit”. Ati i Shenjtë kërkon një emetim të ri të të Drejtave të Veçanta të Tërheqjes së parave (Special Drawings Rights) - që është mënyra me të cilën Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson peshën e valutës së çdo vendi në rezervat botërore - duke synuar më shumë solidaritet.

Politika duhet të jetë më e guximshme

“Asgjë nuk do të jetë e mundur – përfundon Papa Françesku para se të japë bekimin e tij apostolik për Takimin ibero-amerikan - pa një vullnet të hekurt politik, që ka guximin t’i ndryshojë gjërat, veçanërisht përparësitë, në mënyrë që të mos jenë të varfërit ata, të cilët paguajnë çmimin më të lartë për këto tragjedi, që po prekin familjen tonë njerëzore”.

21 prill 2021, 17:10