Kërko

Papa takon të varfrit e të pastrehët, në radhë për vaksinën

Për të festuar ditën e emrit, Papa Françesku shkoi sot paradite në hollin e Sallën Pali VI, ku rreth 600 të varfër bënë dozën e dytë të vaksinës kundër Covid. Përshëndetje, këngë dhe vezë çokollate. Presidenti italian Mattarella në një telegram: “Figura e Dantes na ndihmoftë të ecim përpara në shtegtimin e jetës”

R.SH. - Vatikan

Sot, është Shën Gjergj, dita e emrit të Papës Françesku, i cili, në shekull, quhet Jorge, pra, Gjergj. Pak pas orës 10.30, Ati i Shenjtë shkoi personalisht në Sallën Pali VI, ku 600 të varfër bënë dozën e dytë të vaksinës kundër-Covid, për ta festuar këtë ditë me të pranishmit. Ati i Shenjtë i përshëndeti e u dhuroi një vezë çokollate atyre, që sapo kishin përfunduar krejt procedurën, si edhe gjithë vullnetarëve, të shoqëruar nga motrat e Nënë Terezës.

Papa përshëndet të pastrehët e shoqëruar nga motrat e Nënë Terezës
Papa përshëndet të pastrehët e shoqëruar nga motrat e Nënë Terezës

Në dalje, të pranishmit i kënduan këngën e urimeve Atit të Shenjtë, i cili u ndal të flasë me vullnetarët, natyrisht, duke respektuar masat e sigurisë për koronavirusin. Papa i falënderoi për nismën e “vaksinës pezull” - pra, të pagimit të një vaksine, që lihet për dikë tjetër - me të cilën do të vaksinohen shumë vetë në vendet më të varfëra. Më pas, u kthye në Shtëpinë e Shën Martës.

Vezët e çokollatës dhe dhuratat e tjera
Vezët e çokollatës dhe dhuratat e tjera

Urimet e presidentit italian Mattarella në kujtim të Dantes

E pikërisht aty, vijojnë të vijnë mesazhe urimi nga e gjithë bota. Ndër to, spikat mesazhi i presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, i cili i dërgoi Papës “urimet e përzemërta, në emër të popullit italian”. “Disa javë më parë - shkruan kreu i shtetit - me rastin e 700-vjetorit të vdekjes së Dante Alighierit, Shenjtëria Juaj i bëri sërish një homazh vibrues dhe të ndritshëm poetit të madh fiorentin. Duke ju falënderuar që ndoqët një përvjetor të tillë të rëndësishëm për Italinë me reflektimet e mrekullueshme të letrës apostolike ‘Candor lucis aeternae’, dëshiroj të bashkohem me urimin që figura e Dante Alighieri-t, 'paradigmë e jetës njerëzore', të shdrisë udhën e secilit - veçanërisht në këtë periudhë të vështirë, ende të karakterizuar nga pandemia, - duke i ndihmuar të gjithë ‘të ecin përpara me qetësi dhe guxim në shtegtimin e jetës’”.

23 prill 2021, 16:01