IMF-WORLD BANK/CLIMATE CHANGE-DEBT IMF-WORLD BANK/CLIMATE CHANGE-DEBT

Papa: të financohet solidariteti për vaksinimin, të mos mbizotërojë logjika e tregut

Papa Françesku u dërgoi sot një mesazh Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke u kërkuar solidaritet për vaksinimin e gjithë popullsisë botërore dhe rishikimin e modelit për zhvillimin e shoqërisë në të ardhmen, që ajo të jetë më gjithëpërfshirëse. Mesazhi lexohet nga kardinali Peter Turkson në Takimin e Pranverës 2021 të grupit

R.SH. - Vatikan

“Kemi veçanërisht nevojë për një solidaritet të financuar si duhet për vaksinimin e popullsisë, sepse nuk mund ta lejojmë ligjin e tregut të ketë përparësi mbi ligjin e dashurisë e të shëndetit për të gjithë”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për grupin e Bankës Botërore e të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilin ia beson prefektit të Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinalit Peter Turkson, për ta lexuar në Takimin e Pranverës 2021 të grupit. “Ritheksoj këtu ftesën time për krerët e qeverive, për ndërmarrjet dhe organizatat ndërkombëtare që të bashkëpunojnë për t’i furnizuar të gjithë me vaksina, sidomos më të ligshtët e më nevojtarët”.

Rimëkëmbja të sjellë një model të ri shoqëror

 “Gjatë vitit të fundit, si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19, bota u detyrua të përballet me një sërë krizash të rënda e të ndërlidhura shoqëroro-ekonomike, ekologjike dhe politike”, shpjegon Papa në letër. “Uroj që diskutimet tuaja të kontribuojnë në një model ‘rimëkëmbjeje’ të aftë të gjejë zgjidhje të reja, më gjithëpërfshirëse e më të qëndrueshme për të mbështetur ekonominë reale, duke ndihmuar individët dhe bashkësitë të realizojnë aspiratat e tyre më të thella dhe të mirën e përbashkët universale”, vijon Papa, sipas të cilit “rimëkëmbja nuk mund të mjaftohet me kthimin në një model pabarazie e paqëndrueshmërie në jetën ekonomike dhe shoqërore, ku një pakicë e vogël e popullsisë së botës zotëron gjysmën e pasurisë së saj”.

Thirrja e Papës për përfshirjen e të varfërve në botën financiare

“Pavarësisht nga bindjet tona të rrënjosura thellësisht se të gjithë burrat dhe gratë janë krijuar të barabartë – shton më tej Ati i Shenjtë, - shumë nga vëllezërit dhe motrat e familjes sonë njerëzore, veçanërisht ata në periferitë e shoqërisë, efektivisht, përjashtohen nga bota financiare”. Gjithsesi, pandemia, “na kujtoi edhe një herë se askush nuk shpëton i vetëm. Nëse duam të dalim nga kjo gjendje si botë më e mirë, më njerëzore dhe më solidare, duhet të gjejmë forma të reja dhe krijuese për pjesëmarrjen shoqërore, politike dhe ekonomike, të ndieshme ndaj zërit të të varfërve dhe të impenjuara në përfshirjen e tyre në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët (shih “Fratelli tutti”, 169)”.

Pjesëmarrja e kombeve më të varfëra në proceset vendimmarrëse

 E “ndërsa shumë vende tani po konsolidojnë planet e rimëkëmbjes individuale, mbetet nevoja urgjente për një plan global, që mund të krijojë institucione të reja, ose t’i rishikojë ato ekzistuese, veçanërisht, ato të qeverisjes globale, si edhe të ndihmojë në ndërtimin e një rrjeti të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare për të promovuar zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të të gjithë popujve”. Domosdoshmërisht, vëren Papa Françesku, kjo do të thotë “t’i lejosh kombet më të varfra dhe më pak të zhvilluara të marrin pjesë me të vërtetë në procesin e vendimmarrjes dhe të lehtësosh hyrjen e tyre në tregun ndërkombëtar”.

Reduktimi i borxhit të jashtëm

 Për më tepër, vazhdon Ati i Shenjtë, “fryma e solidaritetit global kërkon të paktën një reduktim të rëndësishëm të barrës së borxhit të jashtëm të kombeve më të varfra, gjendja e të cilave është përkeqësuar nga pandemia. Lehtësimi i barrës së borxheve për kaq shumë vende dhe bashkësi është sot një gjest thellësisht njerëzor, që mund t’i ndihmojë njerëzit të zhvillohen, të blejnë vaksinat, të përmirësojnë shëndetësinë, arsimin dhe punësimin”.

Tregjet, sidomos ato financiare, nuk qeverisen vetvetiu

Pas ftesës për të marrë parasysh edhe “një lloj tjetër borxhi: ‘borxhin ekologjik’ ndërmjet veriut dhe jugut të botës”, Papa argumenton se “është koha të kuptohet se tregjet, sidomos ato financiare, nuk qeverisen vetvetiu”, por “duhet të mbështeten nga ligje dhe norma, që na sigurojnë se ato punojnë për të mirën e përbashkët, duke na garantuar se financat - në vend që të jenë thjesht spekulative, ose autoreferenciale – impenjohen për objektivat shoqërore aq të nevojshme gjatë emergjencës aktuale globale të shëndetit”.

Vendime të urta për të ardhmen

 “Shpresoj – e përfundon Papa mesazhin e tij për Bankën Botërore dhe për Fondin Monetar Ndërkombëtar - se këto ditë, vendimet dhe takimet tuaja zyrtare e personale do të sjellin shumë fryte për të kuptuar zgjidhjet më të urta për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme. Një e ardhme, në të cilën financat të jenë në shërbim të së mirës së përbashkët, ku të vendosen në qendër më të ligshtët dhe më të mënjanuarit e ku të kujdesemi si duhet për tokën, shtëpinë tonë të përbashkët”.

08 prill 2021, 12:23