Kërko

Platforma “Laudato si’”, Papa: ç’botë duam t’u lëmë fëmijëve?

Në videomesazhin për nisjen e rrugës shumëvjeçare të platformës “Laudato si’”, Papa Françesku thekson se “të gjithë mund të bashkëpunojmë, secili me kulturën dhe përvojën e tij, secili me nismat dhe aftësitë e veta, në mënyrë që nëna jonë, Toka, të rikthehet në bukurinë e saj origjinale dhe gjithësia të shndrisë sipas planit të Zotit”.

R.SH. - Vatikan

Ç’lloj bote duam t’u lëmë brezave të rinj? Fëmijëve dhe të rinjve tanë, duam t’u dorëzojmë një shkretëtirë apo një kopsht? Duam të jemi kujdestarë apo grabitqarë të pasurive të Tokës? Këto pyetje thelbësore jehojnë në videomesazhin e Papës Françesku në përurimin e sotëm të “Platformës se Nismave Laudato si’”, një rrugëtim 7-vjeçar, drejtuar realiteteve të ndryshme: familjeve, famullive, bashkësive dioqezane, shkollave dhe universiteteve, spitaleve, ndërmarrjeve dhe instituteve fetare.

E shtatë janë edhe objektivat, që shoqërojnë udhën e këtij programi operativ, menduar për të vijuar përvojën e Vitit kushtuar enciklikës papnore mbi ekologjinë e gjithanshme, që përfundoi pikërisht sot: përgjigja ndaj britmës së Tokës, dëgjimi i britmës së të varfërve, ekonomia ekologjike, miratimi i një stili të thjeshtë jetese, edukimi ekologjik, përshpirtëria ekologjike dhe impenjimi komunitar. Në videomesazhin e përurimit të Platformës, paraqitur në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, në transmetim të drejtpërdrejtë, Papa Françesku thekson sërish këshillën, drejtuar të gjithë njerëzve vullnetmirë në enciklikën “Laudato si’” të vitit 2015: “kujdesuni për Tokën, që është shtëpia jonë e përbashkët”.

“Prej kohësh, tashmë, kjo shtëpi, që na mirëpret, vuan nga plagët, që i shkaktojmë për shkak të një qëndrimi grabitqar, i cili na bën të ndihemi zotër të planetit dhe të burimeve të tij dhe na autorizon të përdorim në mënyrë të papërgjegjshme të mirat, që na ka dhënë Hyji. Sot, këto plagë shfaqen në mënyrë dramatike përmes një krize ekologjike të paparë, që prek tokën, ajrin, ujin dhe, në përgjithësi, ekosistemin, në të cilin jetojnë qeniet njerëzore. Pandemia aktuale, pastaj, bëri të dëgjohej edhe më fort britma e natyrës dhe e të varfërve, që i vuajnë më shumë pasojat e saj, duke vënë në pah se gjithçka është e ndërlidhur dhe e ndërvarur dhe se shëndeti ynë nuk është i ndarë nga shëndeti i ambientit, në të cilin jetojmë”.

Të përgatisim një të ardhme më të mirë për të gjithë

Për t’iu përgjigjur britmës së dyfishtë të Tokës dhe të të varfërve, Françesku përvijon një përparësi: “qasjen e re ekologjike, e cila e transformon mënyrën tonë të të jetuarit në botë, stilin tonë të jetesës, marrëdhëniet tona me pasuritë e Tokës dhe, në përgjithësi, mënyrën për ta parë njeriun dhe për ta jetuar ekzistencën”. Rruga për t’u ndjekur, sipas Papës, është ajo e “ekologjisë së gjithanshme njerëzore, e cila përfshin jo vetëm çështje mjedisore, por njeriun si të tillë”, për të dëgjuar kështu, “britmën e të varfërve” dhe për t’u bërë “tharmi i një shoqërie të re”.

“Ne kemi përgjegjësi të madhe, veçanërisht ndaj brezave të ardhshëm. Ç’botë duam t’u lëmë fëmijëve dhe të rinjve tanë? Egoizmi, indiferenca dhe stilet tona të papërgjegjshme të jetesës po e kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve! Atëherë, po e përsëris thirrjen: të kujdesemi për nënën tonë Tokë, ta kapërcejmë tundimin e egoizmit, që na bën grabitqarë të pasurive natyrore, të kultivojmë respektin për dhuratat e Tokës e të krijimit të Zotit, të përurojmë, së fundi, një mënyrë jetese dhe një shoqëri të qëndrueshme nga pikpamja ekologjike: kemi mundësinë të përgatisim një të ardhme më të mirë për të gjithë. Nga duart e Zotit kemi marrë një kopsht, nuk mund t’u lëmë një shkretëtirë fëmijëve tanë”.

Koha e veprimeve profetike

Kanë kaluar gjashtë vjet nga botimi i enciklikës “Laudato si’” e Viti Laudato Si’, i organizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, sapo përfundoi. Pavarësisht nga pandemia, kanë lindur nisma të shumta dhe Platforma “Laudato Si’” e vazhdon këtë udhë. Është fjala për të ndjekur një rrugë të re, të shndritur nga vendime të guximshme, siç kujtoi Papa Françesku në vitin 2019, me rastin e Ditës Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit.

“Kjo është koha - nënvizoi Papa - për të ndërmarrë veprime profetike. Shumë të rinj po e ngrenë zërin në të gjithë botën, duke bërë thirrje për vendime të guximshme. Janë zhgënjyer nga premtimet e shumta e të parealizuara, nga impenjimet e marra e të lëna mënjanë për interesat dhe leverdinë e ndokujt. Të rinjtë na kujtojnë se Toka nuk është pasuri për t’u tretur, por trashëgimi që duhet përçuar; se të shpresosh për të nesërmen nuk është thjesht ndjesi e bukur, por detyrë, që kërkon veprime konkrete sot. Atyre duhet t’u japim përgjigje të vërteta, jo fjalë boshe; fakte, jo iluzione”.

25 maj 2021, 12:49