Françesku: nëse ndjekim Zotin, asgjë në jetë nuk është rastësore
R. SH. - Vatikan
“Duke ndjekur thirrjen e Shën Palit që, nga persekutues i të krishterëve, thirret të bëhet apostull për të kumtuar Ungjllin e Jezusit”, ta “fiksojmë në zemër e në mendje” kohën dhe mënyrën me të cilën Zoti hyri në jetën tonë, duke e ndërruar krejtësisht rrjedhën e saj - ishte porosia e parë e Papës
Të mos e harrojmë kurrë çastin, kur Zoti hyri në jetën tonë
Është vetë Zoti, ai që e end historinë tonë e, nëse e pranojmë me besim “planin e Tij të shëlbimit”, hiri i Zotit e bën jetën tonë të denjë për t’u vënë në shërbim të Ungjillit”. Këtë theksoi Papa Françesku në fillim të katekizmit të dytë të ciklit të ri, kushtuar Letrës së Shën Palit drejtuar Galatasve, për të cilën u foli sot paradite besimtarëve të pranishëm në Oborrin e Shën Damasit, ku u mbajt audienca e përgjithshme.
Një letër e shkruar për pohimin e risisë së Ungjillit
Papa nënvizoi se qëllimi i Apostullit ishte “të pohonte risinë e Ungjillit”, që të krishterët e galicisë, provincë romake në qendër të Turqisë së sotme, e morën nga predikimi i tij, “për të krijuar identitetin e vërtetë, mbi të cilin do të mund të themelonin jetën”. Që në fillim të Letrës së tij, Pali nuk ndjek argumentet e përdorura nga kundështarët e tij, por “fluturon lart”, e kështu “na tregon edhe ne si duhet të sillemi, kur në gjirin e bashkësisë nisin ndeshjet”.
Pali nuk ndalet në sipërfqe të problemeve
Vetëm aty nga fundi - shpjegoi Papa - “thekson se thelbi i diskutimit është rrethprerja, “tradita e parë judaike”. Pali synon të hyjë më në thellësi, sepse vihet në lojë vërtetësia e Ungjillit dhe liria e të krishterëve:
“Nuk ndalohet në sipërfaqe të problemeve, si tundohemi të ndalohemi shpesh herë ne, kur duam të gjejmë rrugëzgjidhjen e menjëhershme të ngatërresave, që na rren mendja se mund të pranohet nga të gjithë me një kompromis. Ungjilli nuk funksionon kështu. E Apostulli vendos të ndjekë rrugën më impenjative”.
Apostull, jo për meritat e veta, por pse e thirri Zoti
Në radhë të parë, Pali e ndjen për detyrë t’u kujtojë Galatasve se është apostull i vërtetë jo për meritat e veta, por pse i thirrur nga Zoti. E menjëherë pas rrëfen historinë e thirrjes e të kthimit të tij, që përkon me dukjen e Krishtit të Ngjallur gjatë shtegtimit në Damask, ngjarje që Apostulli e rikujton me fjalët më prekëse, që i dalin nga zemra: “Keni dëgjuar sigurisht - pohon - për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja pa masë Kishën e Hyjit e mundohesha ta shkretoja e, ngaqë isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi, i tejkaloja shumicën e moshatarëve të kombit tim për kah zelli si salvues i Kishës. E përsa i përket drejtësisë ‑ asaj të Ligjit - isha i patëmetë.
Nga përndjekës i të krishterëve, kumtues i Ungjillit
Papa kujtoi kështu se Pali kishte qenë farize i zellshëm, persektues i egër i Kishës, blasfemues i tërbuar, që nënvizon dy herë rresht se kishte mbrojtur ‘traditat e etërve” e “ligjin”. Për të nxjerrë, më pas, në pah, mëshirën që pati Zoti për të, duke e shndërruar krejtësisht:
“Pali vë, kështu, në dukje të vërtetën mbi thirrjen, përmes një kontrasti prekës, mbi të cilin u krijua jeta e tij: nga persekutues i të krishterëve, sepse nuk ndiqnin traditën e ligjin, u thirr të bëhej apostull, për të kumtuar Ungjillin e Jezu Krishtit”.
Me hirin e Zotit, njohu Të Ngjallurin
Pali, duke rimenduar historinë e jetës së tij - nënvizoi Papa - është plot mrekullim e mirënjohje. Si të donte t’u thoshte galatasve “se mund të ishte gjithçka, përveçse apostull”. E ashtu edhe kishte qenë! Që i vogël qe edukuar t’i bindej ligjit e të luftonte kundër dishepujve të Krishtit. Por, krejt papritmas, Zoti, me hirin e tij, i dëftoi të Birin e vdekur e të ngjallur, që ai të bëhej lajmëtar i Tij ndërmjet paganëve”.
E kujtojmë gjithnjë kohën e mënyrën e takmit me Zotin
“Sa të pashqyrtueshme janë udhët e Zotit !- brohoriti Papa Françesku -
i prekim me dorë çdo ditë, por posaçërisht nëse mendojmë për çastet në të cilat na thirri Zotit:
“Nuk duhet ta harrojmë kurrë kohën dhe mënyrën në të cilën hyri Zoti në jetën tonë: duhet ta mbajmë të gjallë në zemër e në mendje këtë takim hiri, kur Zoti e ndryshoi udhën e jetës sonë”.
“Sa herë para veprave të mëdha të Zotit – përfundoi Papa - na lind vetvetiu pyetja: “Si është e mundur që Zoti të zgjedhë një mëkatar, një njeri të brishtë e të ligshtë, për të bërë vullndesën e tij? Por asgjë nuk është e rastit, mbasi gjithçka qe e përgatitur në planin e Zotit:
“Ai e endi historinë tonë e, nëse pajtohemi me besim me planin e tij të shëlbimit, kujtohemi menjëherë. Thirrja lidhet gjithnnjë me një mision, për të cilin thirremi; prandaj na kërkohet të përgatitemi seriozisht, duke e ditur se është vetë Zoti ai që na dërgon e edhe na mbështet me hirin e Tij. Le të na prijë kjo vetëdije: kur na prin hiri, jeta jonë shndërrohet e bëhet e denjë për t’u vënë në shërbim të Ungjillit”.
Sllovakët dhe lotët e Zojës së Klokočov
Gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve të pranishëm, Françesku iu drejtua sllovakisht pjesëmarrëve në shtegtimin e falënderimit të Eparkisë së Košice, “që kremton 350-vjetorin e përlotjes së mrekullueshme të ikonës së Zojës së Klokočov", të kryesuar nga kryeipeshkvi, imzot Cyril Vasil. Ky kremtim i Nënës së Zotit - uroi Papa - përtriftë në zemër të popullit tuaj fenë dhe besimin e gjallë në ndërmjetësimin e Saj gjatë udhës së jetës.
Vera, rast për të thelluar lidhjen me Zotin
Duke kujtuar festën e djeshme të Apostujve Pjetër e Pal, Françesku përsëriti urimin:
“Shembulli dhe mbrojtja e këtyre dy shtyllave të Kishës, e ndihmofshin secilin prej jush në përpjekjen për të ndjekur Krishtin”.
Së fundi, urimi që “koha e verës të jetë rast për ta thelluar e për ta forcuar lidhjen me Zotin si dhe për ta ndjekur më lirisht në shtegun e Urdhërimeve të Tij”.