Sudani i Jugut Sudani i Jugut

Dhimbja e Papës për vrasjen e dy murgeshave në Sudanin e Jugut

Telegram ngushëllimi i Atit të Shenjtë për dy murgeshat e Kongregatës së Zemrës së Krishtit, që u vranë më 15 gusht, në Sudanin e Jugut

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shpreh trishtimin e tij për vrasjen e dy murgeshave në Sudanin e Jugut. Në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Ati i Shenjtë përmend sulmin brutal të 15 gushtit kundër një grupi murgeshash të Kongregatës së Zemrës së Krishtit, gjatë të cilit u vranë motër Maria Abud dhe motër Regina Roba. Papa shpreh ngushëllimet e tij për familjet dhe për bashkësinë rregulltare, që pësoi “këtë akt të pakuptimtë dhune”. Ai beson e shpreson që sakrifica e tyre “do ta çojë përpara çështjen e paqes, të pajtimit dhe të sigurisë në rajon”.

Sulmi brutal

         Dy murgeshat u vranë pas një prite në rrugën, që lidh kryeqytetin e Sudanit të Jugut, Xhuba, me Nimulen, në kufi me Ugandën. Së bashku me disa motra dhe shumë besimtarë, po ktheheshin në Xhuba, pasi kishin marrë pjesë në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të famullisë së Loas, në dioqezën e Torit, ku kisha i kushtohet Zojës së Madhe. Në fakt, 15 gushti ishte pikërisht solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Grupi udhëtonte me një autobus, që u sulmua nga njerëz të armatosur. U vranë dy murgeshat dhe tre persona të tjerë, në një rrugë, që është bërë tejet e rrezikshme, për shkak të sulmeve kundër kamionëve me ushqime e mallra të tjera.

Sudani i Jugut, i pavarur që prej 10 vitesh

         Kanë kaluar dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Sudanit të Jugut. Më 9 korrik, me rastin e këtij përvjetori, krerëve të vendit u mbërriti një letër e nënshkruar bashkërisht nga Papa Françesku, nga Justin Welby, kryeipeshkvi anglikan i Kanterbërit dhe nga Jim Wallace, moderator i Kishës presbiteriane të Skocisë. “Ju dërgojmë përshëndetjet tona të përzemërta, të vetëdijshëm se ky përvjetor ju sjell ndërmend luftërat e kaluara dhe sheh me shpresë drejt së ardhmes”. “Kombi juaj – shkruhet në tekst - është bekuar me një potencial të jashtëzakonshëm, prandaj ne ju inkurajojmë të bëni përpjekje gjithnjë e më të mëdha që populli të gëzojë të gjitha frytet e pavarësisë”.

18 gusht 2021, 12:11