Papa: Laudato si’ nuk është thjesht enciklikë “e gjelbër”, por “shoqërore”
R.SH. - Vatikan
Videomesazh i Papës Françesku për pjesëmarrësit e Kongresit ndëruniversitar kushtuar enciklikës “Laudato si’”, që do të mbahet në Argjentinë, nga 1 deri më 4 shtator. Sot (24 gusht), ai u bë i njohur përmes kanalit Youtube të Konferencës Ipeshkvnore Argjentinase. Në Kongres do të diskutohet mbi mënyrat e vënies në jetë të enciklikës, e cila flet për ekologjinë e gjithanshme e për kujdesin ndaj planetit, por edhe për udhët e vendimet e guximshme, që duhen ndërmarrë për ta respektuar natyrën e jetën e gjithë njerëzimit.
“Dëshiroj që kjo përpjekje ta përforcojë vetëdijen shoqërore dhe ndërgjegjen për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët – pohon Ati i Shenjtë në videomesazh. - Enciklika Laudato si’ nuk është vetëm një enciklikë ‘e gjelbër’, është enciklikë ‘shoqërore’. Shpresoj që ky Kongres të ndihmojë për ta kuptuar qëllimin e saj të plotë dhe gjithçka rrjedh prej saj”, uron Papa.
Synimet e Kongresit
Takimi ndërkombëtar është organizuar nga Këshilli Kombëtar Ndëruniversitar, nga Këshilli i Rektorëve të universiteteve private dhe nga Konferenca Ipeshkvnore Argjentinase. Si familje njerëzore në kërkim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm, bashkësia universitare dhe akademike - shpjegojnë organizatorët – dëshiron të zhvillojë një dialog të sinqertë dhe plural mbi mënyrën e ndërtimit të së ardhmes së planetit. Prandaj Kongresi do të ketë ndikim të gjerë në Amerikën Latine dhe do të diskutojë mbi rrugën formuese, për të cilën ka nevojë çdo ndryshim, me universitetet si protagoniste. Me këtë objektiv, rreth 40 universitete kanë thirrur më se 130 ekspertë, të cilët do të interpretojnë faktet dhe do të vendosin përparësi të reja për t’u bërë ballë fenomeneve natyrore, parë në të gjitha përmasat, në një këndvështrim ndërdisiplinor.
Nisma u drejtohet ligjvënësve
Nisma u drejtohet edhe përgjegjësve të sektorit publik e privat, funksionarëve të administratës publike dhe organizatave ndërkombëtare, autoriteteve ligjvënëse dhe anëtarëve të gjyqësorit të përfshirë në politikat publike për arsimin, kulturën, shkencën dhe teknologjinë, punën dhe mjedisin, si edhe organizatave shoqërore dhe joqeveritare e përfaqësuesve të sindikatave dhe të kompanive të ndryshme. Katër, akset tematike: dinjiteti personal, vëllazërimi dhe dialogu ndërkulturor; ambienti; zhvillimi i gjithanshëm i njerëzve; si edhe Vizione / Perspektiva / Dialogë / Takime ndërdisiplinore. Të gjitha veprimtaritë e Kongresit do të mbahen virtualisht.