Kërko

Papa: liturgjia, në rrezik mënjanimi, të kthehet në qendër të fesë

Urimi për ta kthyer liturgjinë në qendër të fesë shprehet në mesazhin e Papës Françesku për kryetarin e Qendrës italiane të Veprimit Liturgjik (Cal), imzot Claudio Maniago, që organizon Javën e 71-të Liturgjike Kombëtare, e cila fillon sot dhe përfundon më 26 gusht, në Kremonë. “Përvojë e trishtuar”, pezullimi i liturgjive vitin e kaluar, për shkak të pandemisë

R.SH. - Vatikan

Duke kujtuar “agjërimin liturgjik”, “përvojën e trishtuar” gjatë mbylljes në shtëpi, për shkak të pandemisë, si edhe problemet e vitit të kaluar, Papa Françesku uron të gjenden “linja të reja për baritorinë liturgjike” në çdo famulli, në mënyrë që të rifitohet centraliteti i meshës të së dielës, i mbledhjes së bashkësisë rreth Eukaristisë, i riteve fetare, që pashmangshmërisht, u mënjanuan disi. Kështu i shkruan Ati i Shenjtë kryetarit të Qendrës italiane të Veprimit Liturgjik (Cal), imzot Claudio Maniago, që organizon Javën e 71-të Liturgjike Kombëtare, e cila fillon sot dhe përfundon më 26 gusht, në Kremonë.

Kremtimet, në vështirësi nga Covid

Në tekstin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, lexuar në fillim të Javës, Papa përmend temën e sivjetme: “Ku janë mbledhur dy a tre në emrin tim. Bashkësitë, liturgjitë dhe territoret”, gëzohet që tani pjesëmarrësit e Javës mund të diskutojnë së bashku drejtpërdrejt e jo virtualisht, pranon rëndësinë, që patën meshët e kremtuara online për besimtarët, si edhe vë në pah faktin që të krishterët e ndienë mungesën e kremtimit në kishë.

“Mbledhja e përjavshme ‘në emër të Zotit’, e cila, që nga zanafilla, është ndierë nga të krishterët si realitet i domosdoshëm dhe i lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin e tyre, u cënua rëndë gjatë fazës më akute të përhapjes së pandemisë”, thekson Françesku. “Por dashuria për Zotin dhe krijimtaria baritore i shtynë meshtarët dhe besimtarët të gjejnë mënyra të tjera për të ushqyer bashkimin në fe e dashuri me Zotin e vëllezërit, me shpresën e kthimit të plotë në kremtimin eukaristik, me qetësi e siguri”. Gjatë kësaj pritjeje të dhimbshme, nënvizon më tej Papa, bashkësia e krishterë gjeti mbështetje në misterin e Kryqit të Krishtit dhe në veprat bamirëse në favor të njerëzve të prekur nga pandemia.

Liturgjia “e pezulluar” dhe problemet e saj: ndryshim epokal

         Liturgjia “e pezulluar” gjatë mbylljes në shtëpi dhe vështirësitë e rifillimit të saj më vonë, konfirmuan fatkeqësisht, atë që shihej tashmë të dielave në Itali: “në jetën reale të njerëzve, ka ndryshuar perceptimi i kohës e, si pasojë, edhe ai i vetë së dielës, i hapësirës”. Është ndryshim epokal, vëren Papa, që ndikon në pjesëmarrjen e secilit në bashkësi, në familje e në territor. “Kështu, asambleja e së dielës çekuilibrohet - thekson Papa - si përsa i përket pranisë së brezave të ndryshëm, ashtu edhe për jo homogjenitetin kulturor e për vështirësitë e një integrimi të harmonishëm në jetën e famullisë, në pamundësi për t’u bërë vërtet kulmi i të gjitha veprimtarive dhe burim i dinamizmit misionar që të çohet Ungjilli i mëshirës në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale”. Pikërisht për këtë, Papa shpreson dhe uron që nga Java e 71-të Liturgjike të dalin udhëzime të reja për çdo famulli, duke u dhënë atyre mjetet për t’i bërë ballë gjendjes aktuale.

23 gusht 2021, 12:27