Kërko

Papa: pas pandemisë, të punojmë me përgjegjësi e pa egoizëm

Në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku bekon pjesëmarrësit në Takimin e Riminit, që fillon nesër, 20 gusht: “Është e nevojshme të gjejmë burime dhe mjete për ta rimëkëmbur shoqërinë, por, para së gjithash, kemi nevojë për ata, që kanë guximin ta fillojnë ditën me shpresë”

R.SH. - Vatikan

“Rinisja është fjala kyçe”: kështu nënvizon Papa Françesku në një mesazh dërguar Mitingut të Riminit, që hapet nesër, për herë të parë në praninë e pjesëmarrsëve, pas takimeve virtuale gjatë pikut të pandemisë së koronavirusit. Ati i Shenjtë i drejtohet ipeshkvit të qytetit italian, imzot Francesco Lambiasi, organizatorëve dhe gjithë pjesëmarrësve me një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Që nga viti 1980, Rimini pret anëtarët e Bashkësisë kishtare “Bashkim e Çlirim”, në një takim për Miqësinë ndërmjet Popujve, në të cilin kanë marrë pjesë shpesh edhe shqiptarë, që kanë sjellë në qytetin romanjol edhe një ekspozitë itinerante për persekutimin e të krishterëve në Shqipëri, gjatë komunizmit.

Pas pandemisë, të ndërtojmë një botë më të mirë

         Ati i Shenjtë nënvizon se “titulli i zgjedhur, ‘Guximi për të thënë unë’, marrë nga Ditari i filozofit danez Søren Kierkegaard, është shumë domethënës kur bëhet fjalë për të hedhur hapin e rifillimit me këmbën e mirë, në mënyrë që të mos e humbasim mundësinë, që na jep kriza e pandemisë” për të ndërtuar një botë më të mirë, me përgjegjësi e pa egoizëm, si edhe me guximin, që vjen nga liria e njerëzve, bij të Zotit.

Na duhen njerëz të përgjegjshëm

         “Ndërsa na imponoi distancimin fizik, pandemia e vuri njeriun në qendër, ‘unin” e secilit, duke sjellë, në shumë raste, rizgjimin e pyetjeve themelore mbi kuptimin e ekzistencës dhe dobinë e jetës, që tepër gjatë ishin lënë mënjanë e madje, edhe më keq, ishin censuruar. E, ringjalli edhe ndjenjën e përgjegjësisë personale. Shumë e dëshmuan këtë në situata të ndryshme. Para sëmundjes dhe dhimbjes, në përballimin e një nevoje, shumë njerëz nuk u tërhoqën e thanë: ‘Ja ku jam’. Shoqëria ka nevojë jetike për njerëzit, që të jenë të pranishëm me përgjegjësi. Pa njerëzit nuk ka shoqëri, por grumbullim të rastësishëm të qënieve, që nuk e dinë pse rrinë së bashku. Lidhja e vetme do të ishte vetëm egoizmi i llogarive dhe i interesave të veçanta, që të bën indiferent ndaj gjithçkaje e ndaj të gjithëve”.

Guximi vjen nga takimi me Krishtin

         Kalohet kështu, në idhujtarinë e pushtetit e të parave, që e përdor njeriun kur i duhet e pastaj, e hedh, kur nuk i shërben më, denoncon Papa. Kemi nevojë, nënvizon Ati i Shenjtë, për njerëz, që komunikojnë me jetë se mund të fillohet dita me shpresë e besim. Guximi për ta propozuar këtë me guxim, për të thënë “unë” siç kërkon tema e sivjetme e Takimit të Riminit, vjen nga takimi me Krishtin, i vetmi që e shpëton botën nga frika dhe e bën ta shohë të ardhmen pozitivisht. Duke u bazuar në këtë siguri, Papa Françesku u kërkon pjesëmarrësve të Mitingut të kërkojnë udhë të reja, shenja e simbole aktuale e tërheqëse për t’i dëshmuar botës Ungjillin, në dialog me të gjithë. Takimi i 42-të i Miqësisë ndërmjet Popujve mbahet nga 20 deri më 25 gusht.

19 gusht 2021, 12:35