“Nuk jeni vetëm”: Papa lutet për detarët e bllokuar nga pandemia
R.SH. - Vatikan
“Të lutemi së bashku për detarët e peshkatarët, që gjatë kohëve të fundit përballen me shumë sakrifica, duke siguruar, me punën e tyre, ushqime dhe mallra të tjera të domosdoshme për familjen e madhe njerëzore e duke lehtësuar vuajtjet e shkaktuara nga pandemia”. Me këto fjalë, Papa Françesku kujton në Twitter Ditën Botërore të Detit, kremtuar nga OKB-ja.
Sakrifica për të mirën e të gjithëve
Me këtë rast, Kombet e Bashkuara theksojnë problemin serioz të mijëra detarëve që, veçanërisht në raste emergjence shëndetësore, kanë mbetur të bllokuar në det, larg familjes, me frikën e infektimit. Që nga shtatori 2020, rreth 400.000 vetë kanë qëndruar larg shtëpisë edhe për 18 muaj. Tema është trajtuar disa herë nga Kisha dhe në veçanti, nga Papa. Në një videomesazh, në qershor 2020, Françesku tregoi vëmendjen dhe afërsinë e tij për sakrificat e detarëve, që garantonin transportin e 90% të mallrave dhe të pajisjeve mjekësore në botë. “Ta dini se nuk jeni vetëm e nuk ju kemi harruar”, u thoshte Papa atëherë, duke kërkuar lutje për ta e duke u dhënë shpresë, siç bën edhe me tweet-in e sotëm.