Kërko

Papa: me guxim, të ndryshojmë, për ta shpëtuar Tokën

Ta ndryshojmë stilin e jetesës dhe mënyrën e përdorimit të të mirave të planetit për të vënë në jetë ndryshimin ekologjik dhe shoqëror, bazuar në përgjegjësi, respekt dhe maturi. Kjo është thirrja që bën Papa Françesku në videon, me të cilën paraqet ndjetin e lutjes për muajin shtator. Të rinjtë tashmë po e bëjnë këtë, thekson Françesku, le të marrim shembull prej tyre

R.SH. - Vatikan

Të lutemi që “të gjithë ne të marrim vendimet e nevojshme për një jetë më të thjeshtë e më të qëndrueshme nga pikpamja ekologjike”, duke ndjekur shembullin e të rinjve, “të cilët janë impenjuar tashmë për këtë ndryshim”. Ky është ndjeti i Papës Françesku për muajin shtator, të cilin, si zakonisht, e shpjegon përmes videomesazhit të publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës.

Shembulli i të rinjve

Papa Françesku nënvizon edhe një herë se çështjet mjedisore dhe shoqërore ecin paralelisht. E i përshëndet të rinjtë për guximin e nismave të tyre në këtë drejtim:

“Ne të rriturit mund të mësojmë shumë nga të rinjtë, sepse të rinjtë janë në pararojë për gjithçka ka të bëjë me kujdesin për planetin. Të marrim shembull prej tyre. Të reflektojmë, veçanërisht në këto çaste krize - krizë shëndetësore, krizë shoqërore, krizë ambientale - të reflektojmë për stilin tonë të jetesës”.

Të marrim vendime të guximshme

Papa Françesku na kërkon ta rishikojmë sjelljen tonë, që nga ushqimet që përdorim tek udhëtimet, përdorimi i ujit, i energjisë, ose i materialeve si plastika, “shpesh e dëmshme për Tokën”. E i fton të gjithë të luten e të bëjnë veprime konkrete, që sjellin ndryshime:

“Të zgjedhim ndryshimin! Të ecim së bashku me të rinjtë drejt mënyrave të jetesës më të thjeshta, që e respektojnë ambientin. E të lutemi që të gjithë të marrim vendime të guximshme, vendimet e nevojshme për një jetë më të thjeshtë dhe më të qëndrueshme nga pikapamja ekologjike”.

Brezat e rinj, vëren Papa, janë duke punuar me inteligjencë për të ardhmen e tyre, për ta ndryshuar atë, që “do të trashëgojnë kur ne të mos jemi më”.

Në shtator, nisma “Koha e Krijimit”

Ndjeti i lutjes së Papës është pjesë e kremtimit vjetor global dhe ekumenik të Kohës së Krijimit. Ajo fillon sot, më 1 shtator, në Ditën Botërore të Lutjes për Mbrojtjen e Gjithësisë e, vijon deri më 4 tetor, festa e Shën Françeskut të Asizit, pajtor i ekologjisë. Teksti, që shoqëron videomesazhin, vë në pah se “alarmet e shumta globale duhet ta ndërgjegjësojnë më tepër njerëzimin se diçka duhet të ndryshojë”. Qershorin e kaluar, OKB-ja paralajmëroi se Toka po arrin me shpejtësi në “ekstreme të pakthyeshme” dhe se njerëzimi po përballet me një kërcënim të trefishtë: humbjen e biolarmisë, ndryshimin e klimës dhe shtimin e ndotjes”, faktorë që ndikojnë në jetën e secilit.

01 shtator 2021, 16:01