Papa: vaksina shpëton jetë, jo tekave për “dozën më të famshme”
R.SH. - Vatikan
“Falë vaksinës, dalëngadalë, po shohim sërish dritë” dhe po dalim nga ky “makth i keq” i pandemisë. Por tani, sfida e vërtetë “është të angazhohemi që të gjithë ta kenë vaksinën, që të ketë ‘teka’ për zgjedhjen e dozës më të famshme e, sidomos, që të jetë falas për këdo ka nevojë dhe jo diçka për të arritur fitime të lehta”. Në fakt, vaksina “mund të shpëtojë shumë jetë njerëzish, të mos e harrojmë këtë dhe të mos harrojmë ç’na ka mësuar historia me sëmundjet e tjera të këqija të së kaluarës”.
“Përtej stuhisë”
Kështu thotë Papa Françesku, në hyrjen e vëllimit “Përtej stuhisë. Reflektime për një kohë të re pas pandemisë”, botuar sot nga Shtëpia Botuese Rizzoli. Në të pasqyrohet intervista e Papës me gazetarin Fabio Marchese Ragona, transmetuar në televizionin italian Canale 5 në janar të këtij viti, si edhe reflektimet e presidentit të Parlamentit Evropian David Sassoli, të komisarit të Lartë të OKB -së për Refugjatët Filippo Grandi, të themeluesit të Bashkësisë së Shën Egjidit Andrea Riccardi, të regjisorit Giuseppe Tornatore, të shkrimtares Edith Bruck dhe të këngëtares Noa.
Shpresa nuk zhgënjen kurrë
Përpjekja për të kapërcyer stuhinë e pandemisë, shpjegon Papa, do të thotë të kthehemi në shpresën për të “gjetur paqe, pas territ të sëmundjes” si Abrahami, “i cili në një çast mosbesimi, në vend që të kërkonte djalin e premtuar, i cili nuk mbërrinte, i drejtohet Zotit për ta ndihmuar të vazhdojë të shpresojë. Nuk ka gjë më të bukur: lutja për shpresë, sepse shpresa nuk zhgënjen kurrë”. Papa Françesku falënderon “shkencëtarët, që kanë studiuar për shumë muaj kombinimin e duhur për të pasur vaksina të frytshme, por sidomos, falënderon ata, që na qëndruan pranë gjatë fazës më kritike, mjekët, infermierët, vullnetarët dhe shumë figura të tjera, të cilat mbeten në hije e nuk dalin në televizion, ose në faqet e para të gazetave”.
G20: 40% të vaksinuar brenda vitit
Në përkim me temat e propozuara nga Papa është edhe i ashtuquajturi Pakti i Romës, miratuar nga ministrat e shëndetësisë të vendeve të G20-ës. Synohet që deri në fund të vitit të vaksinohet kundër Covid-19, së paku 40% e popullsisë botërore. Fondet e caktuara për t’ua çuar vaksinën të gjithëve janë 2 miliardë dollarë, të cilat do të mundësojnë prodhimin autonom të vaksinës në zona të tjera të botës.