Mesdheu Mesdheu

Papa për MED Dialogues: nga politika tek diplomacia, të pengohet globalizimi i indiferencës

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve të Konferencës VII “Rome MED Dialogues”, promovuar edhe nga Ministria e Jashtme italiane, Papa Françesku uron një dialog politik të frytshëm mbi Detin Mesdhe, udhëkryq themelor i kërcënuar nga globalizimi i indiferencës. “Dialogët tuaj u frymëzofshin nga bisedimet e Mesdheut, përuruar nga Giorgio La Pira”

R.SH. - Vatikan

Të rimendohet mënyra e trajtimit të zonës së Mesdheut dhe të kërkohen përgjigje të reja dhe të përbashkëta për sfidat e rëndësishme të saj. Me këtë synim, filloi sot në Romë Konferenca VII e Dialogëve MED, e promovuar çdo vit nga Ministria Italiane për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe nga Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare. Papa Françesku - i impenjuar këto ditë në udhëtimin e tij apostolik në Qipro e Greqi – i dërgon përshëndetjet e tij me një mesazh, në të cilin e shikon “Mare nostrum” të lidhur me çështje si globalizimi, migrimi dhe roli i Kishës.

Mare nostrum vazhdon të ketë rëndësi qendrore gjeopolitike

Papa i kërkon politikës dhe diplomacisë të bëjë të pamundurën për t’iu kundërvënë “globalizimit të indiferencës”. “Megjithëse mbretëritë dhe perandoritë e zonës së Mesdheut i përkasin së kaluarës, mare nostrum vazhdon të ketë rëndësi qendrore gjeopolitike, edhe në shekullin e tanishëm. Mesdheu - kujton Bergoglio në mesazh - është hapësirë kufitare, prandaj, pikërisht për këtë, është vend takimi për tre kontinente, që jo vetëm lagen prej tij, por edhe prekin njëri-tjetrin përmes tij e kështu, janë të thirrur për të jetuar së bashku”.

Çinteresimi i plotë për fatin e popujve të tjerë

Kjo tregon se jo vetëm vendet përreth, por i gjithë planeti është një shtëpi e madhe e përbashkët dhe se fati i një vendi nuk mund të jetë i pavarur nga ai i të tjerëve, nënvizon më tej Papa. Ati i Shenjtë reflekton mbi ndryshimin e konceptit të pavarësisë, që po merr format e çinteresimit të plotë për fatin e popujve të tjerë. Që këtej, thirrja:

“Është e nevojshme që politika dhe diplomacia ta pyesin veten dhe të bëjnë gjithçka munden për të parandaluar degjenerimin e procesit të globalizimit në globalizimin e indiferencës. Ky impenjim duhet të ndihet edhe më shumë sot, kur kemi dëshmi gjithnjë e më të dukshme – nga kriza klimatike në atë pandemike – që jo vetëm shtetet, por akoma më tepër kontinentet nuk mund ta injorojnë njëri-tjetrin”.

Qasje e re, jo individuale dhe egoiste

Sipas Papës, kjo është edhe më e rëndësishme në zonën e Mesdheut. “Të gjitha burimet dhe potenciali i këtij deti kërkojnë një qasje të re, jo individualiste dhe egoiste, por të përbashkët, ndërmjet vendeve që e rrethojnë, si edhe ndërmjet atyre që nuk kanë kufi me të, por janë të interesuara për politikat mesdhetare. Një qasje - shpjegon Françesku – në gjendje t’i zbusë konfliktet e shumta rajonale… që nga deti shtrihen edhe në kontinente”.

03 dhjetor 2021, 14:29