Papa do ta mbyllë Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve
R. SH. - Vatikan
Zyra e kremtimeve liturgjike njoftoi se të martën, më 25 janar, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, Papa do të kryesojë kremtimet e Mbrëmësoreve të Dyta, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, me të cilat përfundon Java e lutjes për bashkimin e të krìshterëve, me temë: “Në Lindje pamë të dukej ylli i Tij e erdhëm ta adhurojmë” (Mt 2,2)
Vitin e kaluar kremtimin e pati krysuar kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, duke zëvendësuar Papën, që ato ditë vuante nga nervi shiatik.
Tema e Javës 2022, në program më 18 deri më 25 janar, me pjesëmarrjen e të gjitha Kishave dhe konfesioneve të krishtera të mbarë botës, u zgjodh nga Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme për të rikujtuar përvojën e Tre Mbretërve. Gjatë Javës, të gjitha bashkësitë janë të ftuara të reflektojnë për një aspekt të posaçëm, që pasqyrohet në temën e përgjithshme, ndërsa çdo ditë ka nëntemën e vet, që u prin pjesëmarrësve në meditimin dhe i nxit t’i vënë më pas në jetë, premtimet, që i bënë në heshtje Zotit e vetes, gjatë kësaj Jave lutjesh për bashkimin e gjithë të krishterëve.