Kërko

VATICAN POPE DIPLOMACY VATICAN POPE DIPLOMACY

Papa: të imunizohet sa më shumë popullsia, pa rënë pre e ideologjive të çastit

Në audiencën me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, Papa Françesku u ndal mbi pasojat shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore të pandemisë: “Duhet një ‘terapi realiteti’ për t’i bërë ballë problemit”. Thirrje kundër së ashtuquajturës “luftë me prokurë” (proxy war), si edhe në favor të migrantëve: “Nuk janë mall për treg”. Kritikë kundër mendimit unik: nuk zhduken ndryshimet për të qenë gjithëpërfshirës. Pedofilia: “Të sqarohen abuzimet”

R.SH. - Vatikan

Lajmet e rreme dhe vaksinat. Pandemia dhe pasojat e saj në nivelin shëndetësor, shoqëror e ekonomik. Mundësia për t’u trajtuar nga pikpamja shëndetësore dhe vaksinat. E ashtuquajtura “luftë me prokurë” (proxy war) dhe konfliktet në Siri, Jemen, Ukrainë, Sudanin e Jugut. Pastaj, rreziku i “cancel culture” dhe i mendimit unik, përgjegjësia për edukimin dhe mungesa e punës. E më tej akoma, ekonomia, kujdesi për shtëpinë e përbashkët, fenomeni i migracionit.

Papa Françesku hyri në nyjet e botës aktuale, ato më të vështirat për t’u zgjidhur, gjatë fjalimit të tij të gjatë në audiencën e sotme me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve të Vitit të Ri. Denoncoi dramat dhe padrejtësitë, duke kërkuar ndërhyrje e perspektiva për të ardhmen. E ardhme, që do të jetë “rast për të zhvilluar shërbime e sipërmarrje të reja, për t’i përshtatur ato ekzistuese, për të shtuar punën dinjitoze dhe për t’u impenjuar në respektimin e të drejtave të njeriut e në përcaktimin e niveleve të duhura të shpërblimit e të mbrojtjes shoqërore”, nënvizoi Ati i Shenjtë para ambasadorëve të mbledhur në Sallën e Bekimit në Vatikan, ndër të cilët edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë, zonja Majlinda Dodaj.

Imunizimi i popullsisë

Françesku falënderoi përfaqësuesit e 183 shteteve, që kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë e, më pas, duke folur mbi pandeminë e Covid-19, kujtoi ish-nuncin apostolik në Venezuelë, imzot Aldo Giordano, që ndërroi jetë në Belgjikë më 2 dhjetor 2021, për shkak të koronavirusit. Është një nga viktimat e shumta të pandemisë, vuri në dukje Papa, duke kërkuar të bëhet ç’është e mundur për të imunizuar popullsinë botërore. Të gjithë kemi përgjegjësi për veten e për shëndetin tonë, por edhe për shëndetin e të afërmit, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke kritikuar ideologjitë, që i kundërvihen fushatës së vaksinimit.

“Shumë herë, ndikohemi nga ideologjia e çastit, e cila, shpesh, ngrihet mbi lajme të pabaza, ose mbi fakte pak të dokumentuara.  Çdo pohim ideologjik i ndërpret lidhjet e arsyes njerëzore me realitetin objektiv. Ndërkaq, pikërisht pandemia na imponon një lloj ‘terapie realiteti’, që na kërkon ta shohim në sy problemin dhe të marrim ilaçet e duhura për ta zgjidhur”.

Vaksinat, mjet i arsyeshëm

“Vaksinat – shtoi Papa – nuk janë mjete magjike për shërim, por sigurisht, duke iu shtuar terapive që duhen zhvilluar më tej, përfaqësojnë zgjidhjen më të arsyeshme për parandalimin e sëmundjes”. Prandaj, Ati i Shenjtë u kërkoi politikanëve të marrin vendime të drejta për imunizimin e popullsisë, duke e bërë çdo qytetar të përgjegjshëm për detyrën e tij e duke shmangur konfuzionin e “relativizmin shoqëror”.

Asistencë shëndetësore falas për të gjithë

Françesku i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të sigurojë terapi e vaksina për gjithë njerëzimin, duke vënë në dukje se në disa zona të botës, asistenca shëndetësore mbetet “mirazh”.

“U bëj thirrje shteteve, që po impenjohen për të përcaktuar një mënyrë ndërkombëtare për t’u përgatitur e për t’u dhënë përgjigje pandemive, nën kryesinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të vendosin për një politikë bashkëndarjeje pa interes, si parim-kyç për t’u garantuar të gjithëve mjete diagnostike, vaksina dhe ilaçe”.

Dhimbja e Papës në Lesbos

Duke përshkuar ngjarjet, udhëtimet, audiencat me krerët e shteteve e të qeverive gjatë vitit të kaluar, Papa e hodhi vështrimin mbi pesë kontinente: nga Libani, “shtrënguar në darën e krizës ekonomike e politike”, në udhëtimin e tij në Irak, djep qytetërimi, që ka të drejtë të rigjejë dinjitetin e vet e të jetojë në paqe. Pastaj, shtegtimi në Budapest për përfundimin e Kongresit Eukaristik, ai në Sllovaki, në Qipro e në Greqi. Duke u ndalur në këtë të fundit, Papa nuk mundi të mos kujtonte emigrantët e takuar në ishullin Lesbos.

“Në sytë e tyre shihet lodhja e udhëtimit, frika nga e ardhmja e pasigurt, dhimbja për të afërmit që kanë mbetur pas dhe nostalgjia për atdheun, të cilin janë detyruar ta braktisin. Para këtyre fytyrave nuk mund të mbetemi indiferentë e nuk mund të fshihemi pas mureve e pas telave me gjemba, me pretekstin se po mbrojmë sigurinë, ose mënyrën tonë të jetesës”.

Migrantët nuk janë problem i të tjerëve

Papa Françesku vuri në dukje veprime konkrete, kërkuar gjithnjë për migrantët e refugjatët: mikpritja, mbrojtja, promovimi njerëzor dhe integrimi. Nënvizoi se e kupton vështirësinë e shteteve kur mijëra vetë u trokasin në derë, por theksoi se ka një ndryshim të madh ndërmjet mikpritjes, edhe kur është e kufizuar dhe, mospranimit të plotë e kthimit mbrapsht të migrantëve.

“Duhet ta mposhtim indiferencën dhe ta hedhim poshtë mendimin se migrantët janë problem i të tjerëve. Rrjedhojat e këtij qëndrimi shihen qartë në dehumanizimin e vetë migrantëve, përqendruar në ‘hotspot’, ku bëhen pre e lehtë e kriminalitetit dhe e trafikantëve të njerëzve, ose në dëshpërim, përpiqen  të ikin, duke përfunduar, nganjëherë, me vdekje”.

Qëndrim i përbashkët në BE për politikat migratore

Sot, denoncoi Ati i Shenjtë, migrantët kthehen në armë politike, ose në mall për treg. Papa i bëri thirrje Bashkimit Evropian të gjejë një qëndrim të përbashkët mbi migracionin, ashtu siç diti të bëjë për pandeminë, pasi si për të, ashtu edhe për këtë sfidë globale, askush s’mund të gjejë zgjidhje i vetëm e askush s’mund të shpëtojë i vetëm. Mungon vullneti për të hapur dritare dialogu e spirale vëllazërimi, duke ushqyer kështu, tensione të vazhdueshme, theksoi Papa.

“Përkundrazi, duhet të rigjejmë identitetin tonë të përbashkët si familje e vetme njerëzore. Alternativa është vetëm izolimi në rritje, karakterizuar nga paragjykime të anasjellta e mbyllje në vetvete, që faktikisht, e vënë më tej në rrezik qasjen shumëpalëshe”.

Mendimi unik, i rrezikshëm

Papa Françesku kritikoi edhe organizatat e shumta ndërkombëtare, që nganjëherë, përcaktojnë përparësi të diktuara nga një mendim, i cili mohon bazat e natyrshme të njerëzimit dhe rrënjët kulturore, që përbëjnë identitetin e shumë popujve. Është formë kolonizimi ideologjik, që sot, ngriti zërin Ati i Shenjtë, shfaqet në të ashtuquajturën “cancel culture”.

“Në emër të mbrojtjes së ndryshimeve, zhduket çdo identitet, me rrezikun për të heshtuar qëndrimet, që mbrojnë një ide të respektueshme dhe të ekuilibruar të ndjeshmërive të ndryshme. Shkohet kështu drejt një mendimi unik, i detyruar ta mohojë historinë, ose më keq akoma, ta rishkruajë atë mbi bazën e kategorive bashkëkohore, ndërsa çdo situatë historike duhet interpretuar sipas hermeneutikës së kohës”.

Diplomacia shumëpalëshe, u tha Papa ambasadorëve, nuk duhet t’i fshijë, por t’i vlerësojë ndryshimet e udhët historike, që karakterizojnë popujt, pa harruar se ka vlera të patjetërsueshme si e drejta për jetën, nga zënia deri në fundin e natyrshëm, dhe e drejta për lirinë fetare.

Klima: udhë e gjatë e kohë gjithnjë e më pak

Në këtë perspektivë, Papa Françesku theksoi edhe urgjencën e kujdesit për shtëpinë e përbashkët, e cila vuan nga shfrytëzimi i vazhdueshëm e pa kriter i pasurive të saj. Kujtoi konferencën për klimën në Glasgow, duke nënvizuar se vendet kanë bërë hapa përpara në përballimin e problemeve të klimës, por janë ende larg impenjimit të duhur për të dalë nga gjendja e vështirë. Kemi gjithnjë e më pak kohë për këtë, nënvizoi Papa, i cili bëri thirrje që viti 2022 ta përforcojë veprimin e përbashkët për të shkuar me rezultate më të mira në Cop27, konferencën për klimën, që do të mbahet në Egjipt, në nëntor.

Proxy wars dhe luftërat e harruara

Më pas, Françesku denoncoi të ashtuquajturat “proxy wars”, luftërat me prokurë. Mori si shembull Sirinë, ku nuk shihet ende një horizont i qartë, por edhe Jemenin, ku tragjedia e konfliktit vijon në heshtje. Pastaj, procesin e paqes ndërmjet Izraelit e Palestinës, tensionet institucionale në Libi, episodet e dhunës terroriste në Sahel e në Sudan, konfliktet ndërmjet Sudanit të Jugut dhe Etiopisë. Ati i Shenjtë nuk harroi të përmendë “konfliktet shoqërore” në kontinentin amerikan, ushqyer nga pabarazitë, padrejtësitë dhe korrupsioni. Kërkoi zgjidhje për konfliktin në Ukrainë e në Kaukazin jugor e shmangien e krizave të reja në Ballkan. U lut për dialog e vëllazërim në Mianmar, ku rrugët, që më parë ishin vende takimi, janë kthyer në teatër përleshjesh.

I pamoralshëm, zotërimi i armëve bërthamore

Të gjitha këto konflikte, pohoi Françesku, ushqehen nga shitja e armëve.

“Nganjëherë, kemi iluzionin se armatimet luajnë vetëm rol parandalues kundër agresorëve të mundshëm. Historia e, fatkeqësisht, edhe kronika e përditshme, na mësojnë se nuk është kështu. Kush zotëron armë, herët a vonë i përdor ato”.

Papa shprehu shqetësimin e tij sidomos për zotërimin e armëve bërthamore, duke ripohuar qëndrimin e Selisë së Shenjtë se ato janë kërcënim për sigurinë e popujve të shekullit XXI. Thjesht, zotërimi i tyre është i pamoralshëm, theksoi Françesku, që kërkoi rifillimin e bisedimeve të Vjenës për Marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Të mbrojmë edukimin

Në përfundim të fjalimit, Papa foli mbi edukimin dhe punën. Edukimi, nënvizoi, e bën njeriun të lirë e të përgjegjshëm, formon brezat e rinj. Mund të jetë proces i ngadalshëm dhe i vështirë, por nuk mund të heqim dorë kurrë prej tij. Françesku kritikoi zvogëlimin e buxhetit për arsimin në shumë vende, duke theksuar se edukimi i brezit të ri është “investimi më i mirë i mundshëm”. Duke pasur parasysh impenjimin edukativ të Kishës Katolike e shkollat e saj, Ati i Shenjtë, ndërsa nga njëra anë vuri në dukje rolin e madh të tyre në zhvillimin shpirtëtor, moral e shoqëror të të rinjve, nga ana tjetër, kujtoi edhe abuzimet me të miturit në disa prej tyre. “Është fjala për krime, të cilat duhen sqaruar me vendosmëri – ngriti zërin Papa – duke shqyrtuar çështjet një për një, duke u siguruar për përgjegjësitë, duke vendosur drejtësinë për viktimat dhe duke mos lejuar që tmerre të tilla të përsëriten në të ardhmen”.

Vlera e punës

 Përsa i përket punës, Françesku kujtoi pasojat e pandemisë, për shkak të së cilës shumë kanë humbur punën, ose mbrojtjen shoqërore.

“Nuk ka zhvillim ekonomik pa punë – theksoi Ati i Shenjtë – e as mund të mendohet se teknologjitë moderne mund ta zëvendësojnë vlerën shtesë, që ka puna e njeriut”.

 Papa Françesku kërkoi së fundi, bashkëpunim më të madh, në të gjitha nivelet, për të favorizuar zhvillimin njerëzor e për “të dhënë një kontribut konkret në arritjen e paqes” globale.

10 janar 2022, 13:10