Papa i porosit prindërit e 16 të pagëzuarve: rritini me dritën, që morën sot
R. SH. - Vatikan
Kisha kremton sot Festën e Pagëzimit të Zotit e, pas pushimit të vitit të kaluar, për shkak të pandemisë, Papa Françesku rifilloi, këtë të diel, zakonin e lashtë të pagëzimit të fëmijëve të disa punonjësve të Vatikanit. Herën e fundit, më 12 janar 2020, Françesku pati pagëzuar 32 fëmijë e pati mbajtur një homeli të shkurtër, shqiptuar lirisht, për të mos i lodhur ferishtet dhe prindërit e tyre, e edhe për t’i lënë të lirë gjatë gjithë këtij kremtimi me vulën e freskisë e të bukurisë. Kështu bëri edhe sot.
Sot përkujtojmë Pagëzimin e Zotit - me këto fjalë e nisi homelinë e Meshës Papa, në kapelën Sikstine. Këndohet një himn liturgjik shumë i bukur në festën e sotme - vijoi - që na kujton kohën kur populli i Izraelit shkonte në Jordan me këmbë zbathur e edhe me shpirt zbathur, domethënë, me shpirtin, që dëshironte të njomej nga Zoti, që nuk kishte kurrfarë pasurie, por vetëm nevojë të madhe për Zotin - kujtoi Papa - ndërsa rrethohej nga të posalindurit, në pritje të Pagëzimit:
“Edhe këto ferishte vijnë me shpirt të zbathur të marrin nga Zoti shfajsimin, forcën e Krishtit, fuqinë për të ecur përpara në jetë, me identitetin e krishterë”.
Është kjo që kërkojnë, thjeshtësisht: këtë theksoi Papa që në fillim të homelisë, për t’u rikujtuar më pas prindërve, nunëve e nunave, atë që po ngjiste nën atë Kapelë, ku kanë qarë shumë “burra shteti”, domethënë, foshnje të pagëzuara në rrjedhë vitesh e shekujsh në atë skenë mahnitëse, disa prej të cilëve, ndoshta, mbanin në krahë Njomzakët, që nisën sot një jetë të re në Zotin, me hirin e pagëzimit.
Papa porosit etërit e nunët
Pikërisht etërve e nunëve, iu drejtua më pas Papa:
“E Ju, etër e nunë, duhet ta ruani këtë identitet. Kjo është puna juaj gjatë jetës: të ruani identitetin e krishterë të fëmijëve tuaj. Eshtë punë e përditshme t’i rrisni me dritën, që po e marrin sot. Vetëm këtë desha të them. Ky është mesazhi i sotëm: të ruani identitetin e krishterë, që të mund ta marrin edhe fëmijët tuaj, të cilët ju i sollët sot këtu”.
Më pas, gjithnjë duke folur lirisht, Papa kujtoi se kremtimi i sotëm është pakëz i gjatë e se sigurisht ferishtet habiten në këtë mjedis, që nuk e njohin: E kjo…
“.. sepse nuk e dinë që janë protagonistë të kremtimit”.
Këtë kujtoi Françesku duke i këshilluar prindër e nunë t’i ruajnë fëmjët nga e nxehta e nga e ftohta e t’i mëkojnë, po të kenë uri, që të ndjehen krejt të qetë para Zotit:
“E nëse këlthasin, lërini të këlthasin, sepse ata kanë shpirtin e bashkësisë, mund të themi “shpirtin e bandës”, shpirtin që kërkon bashkim. Mjafton t’ia nisë njëri, që të pasojë e gjithë orkestra! Lëri të qajnë të qetë, që të ndjehen të lirë. Të mos kenë këtu as të ftohtë, as të nxehtë e as uri. Të jenë në paqe. E kështu, me këtë paqe, ta vijojmë kremtimin, pa harruar se po marrin identitetin e krishterë e se detyra juaj do të jetë t’ua ruani këtë identitet”.
Kremtimi vijoi me dorëzimin e veshjes së bardhë, simbol i rilindjes si krijesa të reja e me ndezjen e Dritës së Krishtit: çdo atë ndezi qiriun, që do ta shoqëronte me dritën e tij gjatë dëshmisë për fenë e fëmijës së vet.
Në përfundim të kremtimit Papa Françesku u ndalua për të përshëndetur familjet e pranishme e për t’i dhënë edhe një ledhatim vogëlushëve të tyre, që e mbyllën ceremoninë “duke kënduar në kor!”.