Papa: më 26 janar lutemi për paqen në Ukrainë
R. SH. - Vatikan
Forca e lutjes e mund urrejtjen, luftën, vdekjen! Edhe një herë, si në vitet e kaluara për Libanin(2021), Kongon, Sudanin e Jugut (2018) e Sirinë(2013), Papa mbledh rreth vetes krishtërimin për t’i bërë ballë me fe një kërcënimi të rëndë mbi botën. Fantazma e një lufte të re endet prej javësh në kufirin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës e diplomacia nuk po ia del mbanesh të gjejë rrugën e marrëveshjes. Situata e shqetëson fuqimisht Papën, i cili e shpall 26 janarin e ardhshëm ditë e lutjes për paqen. Njoftimin e jep në përfundim të lutjes së Engjëllit, në të Dielën III të Fjalës së Zotit. Shpreh, kështu, druajtjet e tij:
“Ndjek me shqetësim thellimin e tensioneve, që krijojnë rrezikun e një sulmi të ri kundër paqes në Ukrainë dhe vënë diskutim sigurinë e Kontinentit evropian, me pasoja edhe më të gjëra”.
Prej këndej, thirrja për t’u lutur e për të vepruar, jo për interesat personale, por për të përbashkëtat:
“U bëj thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë t’i lartojnë lutje Zotit të gjithëpushtetshëm, që çdo veprimtari e nismë politike të jetë në shërbim të vëllazërimit njerëzor, më shumë se të interesave të pjesshme. Kush kërkon të realizojë qëllimet e veta, në dëm të të tjerëve, përbuz vetë natyrën e tij njerëzore, sepse të gjithë jemi krijuar si vëllezër”.
Më pas, thirrja për të mërkurën:
“Prandaj e me shqetësim, duke parë tensionet aktuale, propozoj që e mërkura e ardhshme, 26 janar, të jetë ditë lutjeje për paqen”.
Situata në kufirin ndërmjet Rusisë e Ukrainës
Tensionet në rritje në kufirin ruso-ukrainas po e shqetësojnë thellë bashkësinë ndërkombëtare. Diplomacia i shumëfishon takimet dhe videokonferencat për t’i vënë pritë sulmit ushtarak rus. Mbretëria e Bashkuar beson se Moska synon të caktojë një lider rus në qeveri. E prerë, përgjigjja: “Ministria e jashtme e Londrës t’i japë fund përhapjes së marrëzive!”. E ndërsa Kremlini vijon ta mohojë çdo hamendje të një hapi të mundshëm ushtarak, Moska vijon të rreshtojë më se 120 mijë ushtarë rusë në vijën e kufirit ukrainas e në trojet e Donbasit ku, ashtu si në Kiev, stërvitjet janë në rend të ditës.
Të hënë, pikërisht në Kiev, ka shumë mundësi që Ambasada amerikane, e ndoshta edhe ajo gjermane, të nisin evakuimin e familjarëve të personelit të tyre, ndërsa vijon dyndja e municioneve dhe instruktorëve ushtarakë të vendeve të Natos. Ngarkesa e parë e armëve, rreth 90 tonelata, ka arritur tashmë me urdhër të presidentit amerikan Biden. Javën e ardhshme, duke nisur nga e hëna, ministrat e jashtëm të 27 vendeve të BE-së do të takohen në një videokonferencë me sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Blinken, gjatë kthimit nga bisedimet me Moskën në Gjenevë. Ka mundësi të studiohen masat ndëshkimore, në rast sulmi. Parashikohen edhe bisedime dypalëshe të Mbretërisë së Bashkuar me Rusinë.