Kërko

Papa Françesku me gazetarët Papa Françesku me gazetarët

Papa: gazetaria e mirë kërkon aftësinë për të dëgjuar

Mesazhi i Françeskut për Ditën e 56-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore: “Kaq shumë mosbesim ndaj informacionit zyrtar ka shkaktuar edhe një 'infodemi', duke e bërë të vështirë besueshmërinë dhe transparencën e botës së informacionit”. Thirrja për emigrantët: “Të kapërcehen paragjykimet, duke ua dëgjuar historitë, nuk kemi përpara numra a pushtues të rrezikshëm”

R.SH. - Vatikan

Podcast, audio chat, media shoqërore, reportazh. Në Mesazhin për Ditën e 56-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që u bë i njohur sot (24 janar), Papa Françesku flet për format e reja të informacionit aktual, por i fton gazetarët dhe komunikatorët të shkojnë më thellë e të kapin thelbin e asaj që tregohet, botohet apo regjistrohet. Ky veprim është i mundur vetëm përmes “dëgjimit”, që nuk do të thotë “përgjim a spiunim” e aq më pak “të flasësh sa për të folur”, siç ndodh shpesh në debatin publik, por “të dëgjosh vetveten, nevojat më të vërteta, të shkruara në intimitetin e çdo njeriu”. Është edhe mënyrë për të kapërcyer pengesat dhe paragjykimet, si ato për migrantët, të cilët nuk janë "numra", ose "pushtues të rrezikshëm". Gjithashtu, shërben për të kuptuar "shqetësimin shoqëror" të ushqyer nga pandemia.

 "Dëgjo", atëherë. Rreth tridhjetë herë, Ati i Shenjtë e përsërit këtë folje në dokumentin për Ditën, që do të kremtohet më 29 maj 2022. Idealisht, ajo vjen pas dy foljeve të tjera "shko e shiko" të Mesazhit të vitit të kaluar, që i ftonte gazetarët t’i ndotnin këpucët për të zbuluar të vërtetën. Dëgjimi, shkruan kësaj radhe Papa, “përfshin këdo, që është i thirrur të jetë edukator, formues, ose komunikator”: duke filluar nga prindërit tek mësuesit, nga njerëzit e informacionit tek punonjësit baritorë e duke përfunduar me politikanët.

Mosdëgjimi çon në agresivitet kundër tjetrit

 Dëgjimi "është themelor për komunikimin njerëzor", megjithatë kemi prirjen për t’i mbyllur veshët, duke refuzuar t’i dëgjojmë të tjerët E kjo mund të kthehet në agresion kundër tyre, thekson Papa Françesku. “Vetëm duke treguar vëmendje për ata, që dëgjojmë, për çka dëgjojmë e si dëgjojmë, mund të zhvillojmë artin e komunikimit, qendra e të cilit nuk është ndonjë teori a teknikë, por aftësia e zemrës që bën të mundur afërsinë”, shkruan Ati i Shenjtë.

T’i dëgjojmë historitë e migrantëve

“Të gjithë kemi veshë, por shumë herë edhe ata me dëgjim të përsosur nuk arrijnë ta dëgjojnë tjetrin. Në fakt, ekziston një lloj shurdhimi i brendshëm, më i keq se ai fizik”, vëren Papa. Kështu ndodh me migrantët, problemet e të cilëve janë të vështira për t’u zgjidhur. “Për të kapërcyer paragjykimet për migrantët dhe për të shkrirë ngurtësinë e zemrave tona, duhet të përpiqemi t’i dëgjojmë historitë e tyre. T’i japim secilit një emër dhe një histori. Tashmë, shumë gazetarë të mirë e bëjnë këtë – vëren Ati i Shenjtë. - E shumë të tjerë do të dëshironin, sikur të mundnin. Le t’i inkurajojmë! T'i dëgjojmë këto histori! Pastaj, secili do të jetë i lirë të mbështesë politikat e migracionit, që i konsideron më të përshtatshme për vendin e vet. E në çdo rast, para syve duhet të kemi jo numra, jo pushtues të rrezikshëm, por fytyra dhe histori njerëzish konkretë, shikime, pritje, vuajtje burrash e grash, që duhen dëgjuar”.

“Infodemia”, që lind nga mosbesimi

 Më pas, Papa shpreh shqetësimin për kuadrin e cinizmit dhe të zhgënjimit, krijuar nga pandemia, edhe në fushën e informacionit. “Kaq shumë mosbesim ndaj ‘informacionit zyrtar’, i grumbulluar që më parë, ka shkaktuar edhe një lloj ‘infodemie’, brenda së cilës bota e informacionit është vështirë të bëhet e besueshme dhe transparente”.

Me mediat shoqërore, shtohet prirja për të përgjuar e për të spiunuar

“Duhet t’ua vemë veshin e t’i dëgjojmë mirë sidomos problemet shoqërore, që janë shtuar nga mbyllja e shumë veprimtarive ekonomike”, kërkon Papa. Por, denoncon ai, ka një aspekt të dëgjimit, që e kthen atë në të kundërtën e tij. E ky është përgjimi. “Një tundim gjithnjë i pranishëm, i cili sot, në kohën e mediave shoqërore, duket se është keqësuar, është ai i përgjimit dhe i spiunimit, që i shfrytëzon të tjerët për interesat tona. Në të kundërtën, çka e bën komunikimin të mirë dhe plotësisht njerëzor është pikërisht dëgjimi i atij, që kemi përballë, që ia shohim fytyrën, dëgjimi i tjetrit me çiltërsi, besim e ndershmëri”.

Kur flasim tepër

Devijim tjetër i dëgjimit është ai, që “për fat të keq shihet edhe në jetën publike, ku, në vend që të dëgjojmë njëri-tjetrin, flasim shpesh për vetveten”, shton Papa. Më tepër se e vërteta dhe e mira, kërkohet rritja e numrit të njerëzve, që ndjekin një mjet të caktuar informacioni. Komunikimi i mirë nuk përpiqet t’i bëjë përshtypje publikut me batuta a me talljen e bashkëbiseduesit, “por i kushton vëmendje arsyeve të tjetrit dhe përpiqet ta kuptojë realitetin e ndërlikuar”, nënvizon Papa. E kjo vlen edhe për debatet në Kishë, në të cilën nuk duhen krijuar fraksione ideologjike e kundërvënie të shterpëta.

Po, dialogut; jo, “duologut”

Papa Françesku vë në dukje edhe një rrezik tjetër: gjatë një debati, ka raste kur presim që tjetri të mbarojë fjalën, për të imponuar më pas këndvështrimin tonë. Dialogu kthehet kështu në “ duolog, një monolog me dy zëra”, shkruan Ati i Shenjtë, duke huazuar një shprehje nga filozofi Abraham Kaplan. Por, thekson Papa, “për ta treguar një ngjarje, ose për të përshkruar realitetin në një reportazh është themelore të dimë të dëgjojmë, të jemi të gatshëm për të ndryshuar mendim, për ta modifikuar hipotezën fillestare”. Duhen kontrolluar të gjitha burimet, vë në dukje Françesku një nga rregullat bazë të gazetarisë.

“Martirizimi i durimit” e “apostullimi i dëgjimit”

Nganjëherë, pranon Ati i Shenjtë Bergoglio, dëgjimi është i lodhshëm. Nevojitet “martirizimi i durimit”, siç thoshte kardinali Agostino Casaroli, kur përshkruante punën e tij diplomatike, sidomos me bashkëbisedues të vështirë. Por edhe në raste të tjera, dëgjimi kërkon durim, si edhe aftësinë “për t’u befasuar nga e vërteta”, qoftë edhe nga “një fragment” i saj. Ipeshkvi i Romës u kërkon komunikatorëve të jenë apostuj të dëgjimit. “Bashkimi – përfundon Papa – nuk është rezultat i strategjive dhe i programeve, por arrihet përmes dëgjimit të ndërsjellë të vëllezërve e motrave. Si në një kor, bashkimi nuk kërkon uniformitet, monotoni, por pluralitet e larmi zërash, polifoni”.

24 janar 2022, 14:03