Papa Françesku: fëmijët ushtarë, britmë që lartohet drejt Zotit
R. SH. - Vatikan
Tragjedi e “krim i shëmtuar”. Papa vijon, prej vitesh të ngrejë zërin kundër plagës së tmerrshme të fëmijëve ushtarë, duke u bërë zë i fëmijëve me fëmijëri të mohuar, të miturve që, në vend të lojrave, detyrohen të rrokin armët, duke u bërë mjete vdekjeje. Në një tweet, që e lexojmë sot në faqen papnore të internetit @Pontifex, botuar me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve në situata konflikti, Françesku shkruan:
“Fëmijëve ushtarë u rrëmbehet fëmijëria e tyre, pafajnia, ardhmëria. E nganjëherë, edhe vetë jeta. Secili prej tyre është një britmë e dhimbshme që lartohet drejt Zotit e që i akuzon të rriturit, të cilët i detyruan të rrokin armët me duart e tyre të njoma”.
Shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve
Fëmijë, që përdoren si ushtarë, por edhe si kuzhinierë, si hamaj, roje, lajmëtarë. Vajza të mitura, që merren me një mori aktivitetesh si transporti, ndihma mjekësore, kuzhina, pastrimi, kujdesi për fëmijët e tjerë që do të përdoren së shpejti si ushtarë, në konfliktet vdekjeprurëse, si në Afrikë, ku më se 40% e vajzave të rekrutuara nga forcat dhe grupet e armatosura marrin pjesë drejtpërdrejt në ndeshje, ose në Lindjen e Mesme, ku ekzistojnë njësi armësh taktike, që përdoren vetëm nga gratë. E të mendosh se të dyja palët janë viktima të grabitjeve, kërcënimeve, manipulimeve. Disa shtyhen nga varfëria, nga nevpoja e familjeve për bukën e gojës. Të tjerë, nga mungesa e mundësive për të mbijetuar, të tjerë janë robër konfliktesh. Sido që të jetë, rekrutimi i fëmijëve është shkelje e rëndë e të drejtave të tyre dhe e së drejtës humanitare ndërkombëtare.
Plagë e vështirë për t’u shëruar
Dita ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve në gjendje lufte u shpall më 12 shkurt 2002, datë në të cilën hyri në fuqi Protokolli i Konventës OKB mbi të drejtat e fëmijëve, që e ndalon përfshirjen e tyre në konfliktet e armatosura. Po kjo përfshirje vijon, posaçërisht në Jemen, ku jetohet kriza më e rëndë humanitare në nivel global e ku vetëm ndërmjet 6 janarit e 2 shkurtit të vitit në vijim, u vranë 354 të rritur e u plagosën 30 fëmijë.
Në këtë vend fatkeq fëmijët në mëngjes shkojnë në shkollë, pasdite veshen ushtarë e shkojnë të luftojnë. Shumica janë jetimë, të tjerë, të shitur nga familjet, të detyruar nga milicët ose grupet e trafikantëve për t’u shndërruar nga fëmijë që janë në ushtarë ose, keq e më keq, në trafikantë droge. Të tjerë akoma bëhen “mish për top” në kufi, për të zmbrapsur sulmet e armikut. Të tjerë detyrohen të mbledhin plehëra ose të kërkojnë lëmoshë rrugëve.
“Britma e tyre e dhimbshme, që lartohet drejt Zotit, i akuzon të rriturit, të cilët i detyruan të rrokin armët me duart e tyre të njoma” – rikujtoi Papa në Ditën e sotme ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve në situata konflikti.