Dy vite më parë “Statio Orbis” e Papës për fundin e pandemisë: zë profetik kundër luftës
R.SH. – Vatikan
Kush nuk e mban mend Papën, që i vetëm, ecte ngadalë mbi tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, lagur nga shiu, duke bartur mbi supe ankthin e gjithë botës, që s’donte tjetër, veçse fundin e pandemisë së koronavirusit. Ai çast ka hyrë në histori si “Statio Orbis” i 27 marsit 2020, kur lutja e Atit të Shenjtë ishte vërtet diçka intime, krejt personale, por edhe korale, solemne, profetike, pasi, me sytë të ngulur në ekranin e televizorit, gjithë bota i përgjërohej Zotit me të.
Askush nuk shpëton i vetëm
“Me këtë stuhi, ra edhe grimi (makijazhi) i atyre stereotipeve, me të cilat maskonim ‘egon’ tonë, gjithnjë të shqetësuar për dukjen; e doli në dritë, edhe një herë, ajo përkatësi (e bekuar) e përbashkët, së cilës nuk i ikim dot: jemi të gjithë vëllezër”. Kjo është një nga frazat më prekëse të atij çasti të jashtëzakonshëm lutjeje në kohë pandemie, kryesuar nga Ati i Shenjtë, që kujtohet si një nga kulmet e papnisë së Françeskut. Errësirë, heshtje, boshllëk, turbullim, frikë: ndjenja, që njerëzit e izoluar nga pandemia i bartnin në zemra e që Papa – në dritën e tregimit ungjillor të stuhisë së fashitur nga Jezu Krishti – ia besonte Atit Qiellor. Gjerë e gjatë botës, përsëritur nga besimtarë e jo besimtarë, jehon akoma fraza “askush nuk shpëton i vetëm” e, edhe tjetra, “jemi të gjithë në të njëjtën barkë”. Janë kthyer në spirancë, në vetëdijen e përtërirë për lidhjen ndërmjet njerëzve, që nuk është kafaz i mbyllur, por jetë.
“Ndërsa lundrojmë në këtë det të trazuar, të përgjërohemi”
Thirrja e Papës i lartohej Hyjit të Gjithëpushtetshëm, ndërsa ekipe mjekësh, vullnetarësh, infermierësh mobilizoheshin në frontin e betejës kundër një virusi, që asgjësonte forca dhe mbillte viktima edhe në vendet më të izoluara. Sot, kur pandemia ende s’është zhdukur, një luftë tjetër ka shpërthyer në zemër të Evropës. Që prej një muaji, një konflikt i konsideruar “me intensitet të ulët” nga analistët ndërkombëtarë, u shkallëzua shpejt në luftë, duke pështjelluar gjithë Ukrainën dhe popullin e saj e duke i katapultuar popujt dhe kancelaritë e botës në një shushatje surreale. Sepse të gjithë e ndiejnë frikën e jashtëzakonshme për një asgjësim të mundshëm bërthamor.
Një luftë – theksohet vazhdimisht - që na zuri të papërgatitur. Megjithatë, vetë Papa Françesku nuk e ndan kurrë rrezikun dhe urgjencën e individit nga atë të bashkësisë, nevojat e fqinjëve, që banojnë afër nesh, nga ato të njerëzve, që jetojnë larg. Pikërisht në atë 27 mars, ai e lidhi shqetësimin për shëndetin e globit me atë për “padrejtësitë planetare”, duke denoncuar se njerëzit e kësaj kohe, të etur për fitime, u kanë dhënë mundësi sendeve t’ua përcaktojnë jetën dhe nxitimit t’ua trullosë mendjen.
“Nuk jemi ndalur para qortimeve të tua – i drejtohej Papa Zotit më 27 mars – nuk kemi protestuar para luftërave dhe padrejtësive globale, nuk e kemi dëgjuar britmën e të varfërve e të planetit tonë, sëmurë rëndë. Kemi vazhduar pa u tundur, duke menduar se do të ishim gjithnjë të shëndetshëm në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa lundrojmë në një det të trazuar, të përgjërohemi: ‘Zgjohu o Zot!’”.
Nuk jemi të gjithëpushtetshëm
“Në këtë botën tonë, që Ti e do më shumë se ne, ecëm përpara me shpejtësi, duke u ndierë të fortë e të aftë për gjithçka”, thoshte Papa, duke na kujtuar brishtësinë e njeriut, i cili tundohet vazhdimisht nga mendimi se është i gjithëpushtetshëm, duke vënë gjithnjë në qendër vetveten. Edhe më pas, Ati i Shenjtë përsëriti disa herë se nga një krizë si ajo e pandemisë, nuk dilet njëlloj si më parë: dilet ose më të mirë, ose më të këqinj. Dhe e ftoi njerëzimin të merrte guximin për të ndryshuar, për të qenë më i mirë e për të ndërtuar një të ardhme më pozitive. Duke e hedhur vështrimin pas, ndiejmë shijen e hidhur, që na shkakton mendimi se pikërisht ato fjalë largpamëse nuk i dëgjuam sa duhet dhe nuk e ruajtëm si duhet thesarin e paqes.
Duhet të kemi “guximin për t’i përqafuar të gjitha kundërshtitë e kohës së sotme – lutej Papa para dy vitesh – duke e braktisur një çast ankthin për të qenë të gjithëpushtetshëm e për të pasur sa më shumë e duke i dhënë kështu hapësirë asaj krijimtare, që vetëm Shpirti Shenjt është në gjendje të frymëzojë”. Edhe në këtë Krezhmë lufte, kjo do të thotë të përqafojmë Kryqin e Krishtit. T’ia besojmë Atij të gjithë frikën tonë, të mësojmë sërish ç’do të thotë të jemi vëllezër. E të shpresojmë. Të shpresojmë!