Papa: Dialogu ndërfetar, vendimtar për ta krijuar paqen së bashku
R. SH. - Vatikan
Dialogu është çështje themelore në epokën e globalizimit, në të cilën komunikimet ndërkombëtare përparojnë me ritme gjithnjë më të shpejta. Po kështu, edhe dialogu ndërfetar. E pohoi sot Papa, duke takuar pjesëmarrësit në seancën plenare të dikasterit me të njëjtin emër, dikur Sekretariati për jo të krishterët, themeluar nga Pali VI në vitin 1964 “si shenjë e dukshme dhe institucionale e dialogut me besimtarët e feve të tjera”, i vetëdijshëm “për zhvillimin e shpejtë të marrëdhënieve të njerëzve, bashkësive, kulturave, gjuhëve dhe feve të ndryshme”.
Misioni i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar
Ndërsa sot, “me vetëdijen se dialogu ndërfetar konkretizohet përmes veprimit, shkëmbimit teologjik dhe përvojës shpirtërore” - shtoi Françesku - detyra e Dikasterit është t’i nxisë gjithë njerëzit “në kërkimin e vërtetë të Zotit”:
“Ky është misioni juaj: të nisni me besimtarët e tjerë vëllazërisht, udhën në kërkim të Zotit; duke menduar për besimtarët e feve të tjera jo në mënyrë abstrakte, por në mënyrë konkrete, me historinë e tyre, dëshirat, plagët, ëndrrat”.
Mund të dialogohet gjithnjë
Vetëm në këtë mënyrë, për Papën, do të jetë e mundur “të ndërtohet së bashku një botë të banueshme për të gjithë, në paqe”.
Përballë një sërë krizash dhe konfliktesh, “disa përpiqen t’i shpëtojnë realitetit duke u strehuar në botët private, të tjerët e përballojnë atë me dhunë shkatërruese, por ndërmjet indiferencës egoiste dhe protestës së dhunshme e ka gjithmonë një mundësi: quhet dialog”.
Harmonizimi i dallimeve, për një të ardhme më të mirë
Françesku foli, më pas, edhe për “harmonizimin e dallimeve”, që do të thotë “ta përfytyrosh dhe ta ndërtosh të ardhmen e lumtur me njëri-tjetrin”. Shpjegoi, në vijim, se harmonia “i bën jehonë dëshirës për bashkim, që zjen në zemrën e çdo njeriu, falë së cilës të gjithë mund të flasin me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë projekte dhe të ëndërrojmë ardhmërinë e përbashkët”:
“Harmonia bashkon shoqërisht, pa e kolonizuar tjetrin, duke ia ruajtur identitetin. Në këtë kuptim, ka vlerë politike, si alternativë ndaj copëzimit shoqëror dhe konfliktit”.
Prej këndej, inkurajimi i Françeskut “për të kultivuar frymën dhe stilin e përbashkët me njerëzit e traditave të tjera fetare, tejet të nevojshme sot në Kishë dhe në botë”. Papa solli shembullin e Jezusit, që u vëllazërua me të gjithë”. Zoti shoqërohej “me njerëz që konsideroheshin mëkatarë dhe të papastër”, “ulej në tryezën e taksambledhësve pa paragjykime”, duke u sjellë gjithnjë “si një shërbëtor dhe një mik besnik deri në fund të fundit”, dhe, si i Ngjallur, na dhuroi “hirin e bashkëjtesës universale”.
Plenarja e Dikasterit për Dialogun Ndërfetar
Seanca plenare e anëtarëve dhe këshilltarëve të Dikasterit për Dialog Ndërfetar, me temën “Dialogu ndërfetar dhe përshtashmëria e dallimeve”, nisi sot e do të vijojë deri më 8 qershor. Gjatë punës do të flitet për marrëdhëniet me zona të ndryshme gjeografike. Do të ketë hapësirë edhe për reflektime e shkëmbime mendimesh. Asambleja do të jetë edhe mundësi për të reflektuar mbi situatën aktuale të dialogut ndërfetar në pjesë të ndryshme të botës dhe për të thelluar atë, që duhet të jetë roli i bashkësisë së krishterë: dëshirën e anëtarëve të traditave të ndryshme fetare për vëllazërim, në mënyrë që të kontribuojnë për të mirën e mbarë njerëzimit.