Kërko

 Maskwacis: Papa Françesku,  takim me popullsitë  indigjene, 25  korrik 2022 Maskwacis: Papa Françesku, takim me popullsitë indigjene, 25 korrik 2022 

Dita e fundit e shtegtimit pendestar të Françeskut në Kanada

Ditë plot veprimtari dhe emocione e sotmja, e fundmja e shtegtimit pendestar të Papës në Kanada, me temë “Të ecim së bashku”. Ishte vërtet “ecje së bashku” ky shtegtim i papërsëritshëm i Françeskut!

R. SH. - Vatikan

Dita e gjashtë dhe e fundit e ipeshkvit të Romës në Kanada, u hap me Meshën private, kremtuar në arqipeshkvinë e Québec. Në orën 9.00 me orën lokale, kur në Evropë do të jetë ora 15.00, Françesku do të takojë anëtarët e Shoqërisë së Jezusit, të pranishëm në Kanada, duke përsëritur kështu, atë që tashmë është bërë traditë e çdo shtegtimi apostolik.

300 km nga Rrethi Arktik

Takimi i parë publik i ditës do të jetë ai me një delegacion indigjenësh të pranishëm në Québec, që do të priten edhe në Kryeipeshkvi. Më pas, zhvendosja në aeroportin ndërkombëtar të Quèbec ku, në orën 12.30, Papa do të niset me avion për në Iqaluit, kryeqytet i trojeve kanadeze të Nunavut. Këtu, vetëm 300 kilometra në jug të Rrethit Arktik, Françesku do të mbërrijë pasdite, në orën 15.50. Është qyteti ku u nënshkrua Marrëveshja e Kërkesave për Tokën e Nunavut, në vitin 1993, më e madhja e pretendimit për tokën indigjene në historinë kanadeze. Qyteti është shtëpia e bashkësisë më të shumënumërt Inuit, rreth 3900 vetë:  popullsi indigjene e brigjeve të Amerikës, e shpërndarë nga Groenlanda në Alaskë, e pranishme edhe në Azi, në veri të gadishullit Chukchi, në Siberi.

Drama e ish shkollave rezidenciale

Papa do të vizitojë shkollën fillore Nakasuk, ku do të takojë privatisht disa nxënës të shkollave të dikurshme rezidenciale, atyre instituteve besuar nga qeveria, me pak fonde, kishave të krishtera vendase, duke përfshirë edhe atë katolike: në këto institute një nga faqet më dramatike është procesi i asimilimit të detyruar të fëmijëve të larguar nga bashkësitë e tyre indigjene dhe të detyruar të formohen sipas kulturës së re perëndimore. Sipas një Raporti të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, publikuar në vitin 2015, mbi tre mijë të mitur vdiqën nga sëmundjet, kequshqyerja dhe keqtrajtimi në një periudhë rreth njëqindvjeçare, që nga themelimi i këtyre shkollave, më 1883.

Të rinj e pleq, së bashku

Disa nxënës të ish shkollave rezidenciale do të kenë mundësinë t’i bëjnë disa pyetje Françeskut, i cili ditët e fundit ka kërkuar vazhdimisht falje për këto plagë ende të freskëta dhe të dhimbshme. Më pas, në orën 17, në sheshin përballë shkollës, do të mbahet takimi me të rinj e të rritur, i shoqëruar me valle, këngë dhe muzikë tradicionale.

Akt i fundit i këtyre ditëve ngarkuar me veprimtari, të kaluara nga ipeshkvi i Romës në tokën kanadeze - ceremonia e lamtumirës, planifikuar në orën 18.15 në Aeroportin Ndërkombëtar Iqaluit. Rreth tridhjetë minuta më vonë, avioni do të nisë fluturimin drejt Romës, ndërsa Françesku do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në bord. Mbërritja në Romë pritet në orën 7.50 të mëngjesit të së shtunës më 30 korrik.

29 korrik 2022, 11:57