Kërko

Papa Françesku në bazilikën e Shën Marisë së Madhe Papa Françesku në bazilikën e Shën Marisë së Madhe

Françesku kthehet nga Kanadaja. Falënderon Zojën në bazilikën e Shën Marisë së Madhe

Papa Françesku u kthye në Romë në orën 8.06 nga udhëtimi i tij i 37-të apostolik, që kësaj radhe e çoi në shtegtim pendestar në Kanada. Si zakonisht, para se të shkonte në Vatikan, u ndal në lutje para fugures së Zojës, në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, duke e falënderuar për mbarëvajtjen e takimeve me popullsitë indigjene

R.SH. – Vatikan

         Pas gati gjashtë orë fluturimi me avion, Papa Françesku u kthye në Romë nga Kanadaja në orën 8.06, duke përfunduar kështu udhëtimin e tij të 37-të apostolik ndërkombëtar. Ende ndihej jehona e këngëve dhe e duartrokitjeve të të rinjve dhe të të moshuarve Inuit, protagonistë të takimit të fundit të shtegtimit papnor, kur Ati i Shenjtë la Iqaluit-in, kryeqendrën e shtetit Nunavut, banuar nga popullsitë indigjene Inuit, për të shkuar në aeroportin lokal, ku u zhvillua ceremonia e lamtumirës, para largimit nga Kanadaja.

Tweet-et e Papës

         Përshëndetjen e tij, shpresat për të ardhmen, mirënjohjen për këtë “shtegtim pendestar”, Françesku ia besoi një tweet-i të botuar në faqen e tij @Pontifex në dhjetë gjuhë: “Erdha në Kanada si shtegtar për të ecur ‘me’ dhe ‘për’ popujt indigjenë: që të vijojë kërkimi i së vërtetës, në shtigjet e shërimit dhe të pajtimit, si edhe të mbillet shpresa për indigjenët dhe jo-indigjenët, që dëshirojnë të jetojnë vëllazërisht”.

         E pastaj, një tweet tjetër për popullsitë autoktone: “Të dashur vëllezër e motra të popujve indigjenë - shkruan Papa - po kthehem në shtëpi, duke mbajtur në zemër një thesar të përbërë nga njerëz dhe popullata, që më kanë prekur thellë; të përbërë nga fytyra, buzëqeshje dhe fjalë; nga histori dhe vende, që do të më shoqërojnë gjithmonë. Shumë faleminderit të gjithëve!”

Falënderimi i Papës për Zojën

         Sot në mëngjes, si zakonisht në fund të çdo udhëtimi apostolik, Françesku shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u ndal në lutje para fugures së Zojës Salus Populi Romani. Në fund të vizitës, Papa u kthye në Vatikan.

Më 22 korrik, dy ditë para nisjes për në Kanada, Ipeshkvi i Romës ndenji në heshtje, në karrige me rrota, para fugures së Virgjërës në Bazilikën Liberiane për t’ia besuar asaj udhëtimin ndërkombëtar në Kanada. Që nga fillimi i papnisë, në mars 2013, para dhe pas çdo shtegtimi jashtë Italisë e Vatikanit, Françesku shkon të lutet para fugures mariane, që ruhet në kapelën Borghese, aq të dashur për popullin e Romës. Mbi 60, vizitat në bazilikën e Kodrës Esquilino të Romës.

30 korrik 2022, 09:33