2022.06.25 L'Osservatore di strada primo numero 2022.06.25 L'Osservatore di strada primo numero

“Nata”, nga numri i parë i “L’Osservatore in strada”

Për Komunikimin “me” të varfërit, për t’u rikthyer të drejtën e fjalës, nga data 29 qershor, me rastin e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, nisi shpërndarja e gazetës “Vëzhguesi në rrugë”, kushtuar të pastrehëve. Gazeta shpërndahet falas! Çdo të dielë të parë të muajit

R.SH. - Vatikan

Në solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, më 29 qershorin e kaluar, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot me Atin e Shenjtë Bergoglio, besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit iu shpërnda një e përmuajshme  e re e “L’Osservatore Romano-s”. Është L’Osservatore di Strada – “Vëzhguesi i rrugës”, gazetë e krijuar dhe e botuar nga bashkësia e punës e Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin e cila, me këtë projekt, synon t’u japë zë, atyre që zakonisht nuk dëgjohen, të varfërve, njerëzve të plagosur nga jeta, atyre që lihen pas dere, që përjashtohen.

Një gazetë, përmes së cilës do t’u njihet dhe do t’u rikthehet e drejta për të folur atyre, që shoqëria bashkëkohore i trajton si “mbeturinë”, duke nxjerrë në pah pasurinë e përvojave, të njohurive dhe të vlerave, të cilat nuk u mungojnë.

Nga faqja e parë e numrit të parë, korrik-gusht 2022, shkëputëm njërin nga shkrimet, me titullin simbolik rrënqetshës “Nata”, shkruar nga një i pastrehë….

“Nuk ka asnjë vend vërtet të sigurt për t’u fshehur në qytet: gjatë gjumit në rrugë, ose nën një urë, mund t’ju ndodhin të gjitha rreziqet e mundshme.

Gjëja më e keqe e jetës në rrugë të madhe? Për mua është nata.

Duhet të flini gjithnjë vetëm me një sy mbyllë, pa gjetur kurrë paqe! Mund të zgjoheni papritmas, se ju kanë vjedhur këpucët ose çantën e shpinës, në të cilën keni pasur dokumentet, pa të cilët jeni askushi.

Ose ndonjë djalë i keq, që i pëlqen të luajë teatër me ju,  ju çon vetëm sepse është i mërzitur ose dëshiron “të bëjë figurë kreshniku” para shokëve.

Pastaj vjen e ftohta ...

Nuk mund të përfytyrohet e ftohta e disa netëve dimërore, kur era fishkëllon e ti mund të kesh edhe dhjetë batanije, por nuk shpëton dot nga të dridhurat… e më pas, bëhesh qull, sepse ia nis edhe shiu!

E të mendosh që shumëkush është i bindur se mund të gjesh kollaj strehë nga shiu! Pa pasur nevojë të paguash. Por kjo nuk është e vërtetë.

Vitet e fundit shumë vende janë mbyllur me kangjella hekurash, ndonjëherë edhe përballë kishave. E nëse lageni deri në palc rrugës, atëherë nuk shkoni në shtëpi të ndërroheni. Jo!

Duhet të prisni të nesërmen, që të tereni në diell. Nëse ka diell.

Ndonjëherë, nga dëshpërimi, kam fjetur në një autobus… nga nisja, tek arritja. Duke zgjedhur rrugën më të gjatë, që të flija pak më shumë e edhe më ngrohtë, i mbrojtur nga shiu. Megjithatë, sado e gjatë të jetë rruga, pas 45 minutash mbërrini në terminalin tjetër dhe duhet të zbrisni. Pastaj ju prisni, shkoni përsëri lart, bëni edhe 45 minuta të tjera dhe zbrisni… E kështu me radhë. Ngjitu - zbrit. Natë e lumtur…

Për fat të mirë, herë pas here shoferi e kupton dhe të lë të flesh sipër edhe në terminal. Një herë dikush më solli edhe një kafe…  

Pastaj mund të shkosh edhe në një vend ku mund të lahesh, të marrësh rroba të pastra ...

Për të ngrënë? Për fat të mirë ka shumë mundësi, sepse në mensat e Bashkësisë së Shën Egjidit, në Caritas apo në shumë famulli mund të hani dhe të gjeni shumë njerëz të mirë, që ju dëgjojnë dhe ju japin konkretisht dorën.

Problemi i madh për mua ... e kuptoni, është mbrëmja ... dhe pastaj çasti kur bie nata...

Ja, kjo është gjëja që nuk mund ta duroj.

LUIGI

22 korrik 2022, 12:11