Papa pentekostalëve: të ecim së bashku si dishepuj misionarë
R.SH. - Vatikan
Fillon me njё falënderim mesazhi i Papës drejtuar Komisionit për Dialogun Katolike-Pentekostal, mbledhur në Romë nga 8 deri më 14 korrik 2022 në seancë plenare, pranë Dikasterit tё Selisё sё Shenjtё për promovimin e Unitetit të të Krishterëve. Punë e zhvilluar “nëpërmjet dialogut e reflektimit”, që çoi në një rrugëtim të përbashkët “miqësie, solidariteti dhe mirëkuptimi të ndërsjellë ndërmjet katolikëve dhe pentekostalëve”.
"Shpresoj - shkruan Papa - që ky përvjetor i rëndësishëm do t'i pёrforcojë këto lidhje dhe do të ripërtërijë zellin tuaj për të shpallur, si dishepuj misionarë, gëzimin e Ungjillit në komunitetin kishtar dhe në mbarё shoqërinë". Duke ndjekur këtë rrugë dhe duke "dëshmuar lutjen drejtuar Zotit që të gjithë të jenë një", do të mund "t’i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona të përjetojnë në zemrat dhe në jetën e tyre fuqinë transformuese të dashurisë, mëshirës dhe hirit të Zotit" .
Një dialog i vazhdueshëm
Mesazhi i Papës u publikua në faqen e internetit të Dikasterit tё Selisё sё Shenjtё për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve, në të cilin kujtohet se dialogu mes palëve filloi në vitin 1972 me qëllim të promovimit të njohjes së ndërsjellë dhe tejkalimit të paragjykimeve ndërmjet katolikëve dhe pentekostalëve. Deri në vitin 1996 ka qenё i vetmi dialog teologjik ndërkombëtar qё u çua përpara nga përfaqësuesit Pentekostal me një bashkësi tjetër të krishterë. Një nga pionierët e dialogut ka qenё pastori David du Plessis i cili mori pjesë në seancën e tretë të Koncilit të Dytë të Vatikanit si mysafir i Sekretariatit të atëhershëm tё Vatikanit për Unitetin e tё Krishterëve. Deri më tani, janë publikuar së bashku gjashtë raporte mbi tema të ndryshme. Tema e fazës aktuale të dialogut është "Lex orandi, lex credendi".