Papa në Kanada: u kërkoj falje indigjenëve për tё këqijat e pësuara nga të krishterët
R. SH. - Vatikan
Takimi i parë publik i udhëtimit apostolik në Kanada ёshtё ai në Maskwacìs, ku Papa u Françesku takua me përfaqësuesit e Métis, Inuit dhe First Nations.
“Vij në trojet tuaja të lindjes për t’ju thënë personalisht se jam i hidhëruar, për t’i kërkuar Zotit falje, shërim dhe pajtim, për t’ju treguar afërsinë time, për t’u lutur me ju dhe për ju. “Jam këtu sepse hapi i parë i këtij shtegtimi pendestar mes jush është përsëritja e kërkesës për falje. Dua t’ju them me gjithë zemër se jam thellësisht i pikëlluar: kërkoj falje për mënyrat me të cilat, fatkeqësisht, shumë të krishterë mbështetën mendësinë kolonizuese të fuqive, që i shtypën popujt indigjenë. Më dhemb shpirti. Kërkoj falje, në veçanti, për mënyrat me të cilat shumë anëtarë të Kishës dhe të bashkësive fetare bashkëpunuan, edhe përmes indiferencës, në ato projekte shkatërrimi kulturor dhe asimilimi të detyruar nga ana e qeverive të kohës, që arritën kulmin me sistemin e shkollave rezidenciale", kёshtu tha Papa Françesku në takimin e tij të parë me përfaqësuesit e popujve indigjenё të Kanadasë.
Në vijim një përmbledhje e fjalës së Papës Françesku me përfaqësuesit e Kombeve të Para (First Nations), Metis dhe Inuit, në rezervatet e Maskwacìs, 100 kilometra në jug të Edmontonit:
"Unë prisja të vija mes jush. Pikërisht prej këtu, prej këtij vendi të ngarkuar me kujtime të trishta, do të doja ta zbraz çka kam në zemër: shtegtimin pendestar! Këto, fjalët e para në takimin e parë me popullsitë indigjene të Kombeve të para, Metis e Inuit shqiptuar nga Papa. E njëkohësisht edhe programi i shtgegtimit:
“Vij në trojet tuaja të lindjes për t’ju thënë personalisht se jam i hidhëruar, për t’i kërkuar Zotit falje, shërim dhe pajtim, për t’ju treguar afërsinë time, për t’u lutur me ju dhe për ju”.
Nëpër gjurmët e rrugës së pajtimit
Më pas Papa Françesku kujtoi takimet në Romë, katër muaj më parë, kur indianët i dhuruan dy palë mokasine, shenjë e vuajtjeve të pësuara nga fëmijtë indigjenë, sidomos nga ata që, fatkeqësisht, nuk u kthyen më në shtëpi nga shkollat rezidenciale. Më kërkuan t’ua ktheja mokasinet sapo të mbërrija në Kanada - vijoi - Do ta bëj në përfundim të këtyre fjalëve, për të cilat do të doja të marr shkas nga ky simbol, që ma përtëriu dhimbjen, revoltën dhe turpin muajt e kaluar:
“Kujtimi i atyre fëmijëve të ngjall pikëllim dhe të nxit të veprosh për të siguruar kushtet që çdo fëmijë të trajtohet me dashuri, nderim e respekt. Por ato mokasine janë edhe simbol i një shtegtimi, që duam ta bëjmë së bashku. Të ecim së bashku, të lutemi së bashku, të punojmë së bashku, në mënyrë që vuajtjet e së kaluarës t’i lëshojnë vendin një ardhmërie me drejtësi, shërim, pajtim”.
Shtegtim në kujtesë kohe
Kjo - vijoi Papa - është arsyeja pse faza e parë e shtegtimit tim ndërmjet jush jetohet në këtë rajon ku indigjenët jetuan që në kohë që nuk mbahen mend. Është tokë që flet, që të ngjall shumë kujtime, të nxit të shtegtosh theksoi Papa në vijim të këtij fjalimi prekës, që përshkon shekujt.
Të kujtosh…
Vendi ku ndodhemi - vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio - më ngjall në shpirt kumbimin e një klithme dhimbjeje, një britme të mbytur, që më shoqëroi në çdo hap muajt e fundit:
“Mendoj përsëri për dramën që e pësuan shumë prej jush, familjet tuaja, bashkësitë tuaja; për vuajtjet që i rikujtuat bashkë me mua, përjetuar në shkollat rezidenciale. Por është e drejtë të kujtojmë, sepse harresa të çon në indiferencë dhe, siç thotë një fjalë e vjetër, ‘e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, po indiferenca... e kundërta e jetës nuk është vdekja, është indiferenca ndaj jetës ose vdekjes’”(E.Wiesel)”.
Të kujtosh përvojat shkatërrimtare jetuar në shkollat rezidenciale, është e rëndë, tronditëse, e dhimbshme, por edhe e nevojshme:
“Ju falënderoj pse ia besuat zemrës sime zemrën tuaj, pse e shkarkuat barrën e rëndë, që kishit në shpirt, pse e ndatë me mua kujtimin e përgjakur. Sot jam këtu, në këtë tokë që, së bashku me një kujtim të lashtë, ruan edhe plagët e plagëve, ende të hapura. Jam këtu, sepse hapi i parë i këtij shtegtimi pendestar ndërmjet jush është të përsëris kërkesën time për falje dhe t’ju them, me gjithë zemër, se jam thellësisht i pikëlluar”.
Kërkim i faljes, dalë nga zemra e lënduar
E pas kësaj sinteze tejet të dhimbshme, që koha do ta vulosë në kujtesë, kërkimi i faljes, dalë nga zemra e një Pape që, ndonëse në karrigë me rrota e në mes të një vape zharitëse, u nis e shkoi për të kërkuar, atë që pritej prej tij:
“Kërkoj falje për mënyrat me të cilat, për fat të keq, shumë të krishterë e mbështetën mendësinë kolonizuese të fuqive, që i shtypnin popujt autoktonë”.
Ishte një kërkesë për falje, që arriti kulmin me shprehjen e keqardhjes së thellë për çka ndodhi e çka mbeti e pashlyeshme në kujtesën e popujve:
“Me vjen keq. Kërkoj falje në veçanti për mënyrat sesi bashkëpunuan shumë anëtarë të Kishës dhe të bashkësive fetare, duke përfshirë edhe indiferencën, në ato projekte të shkatërrimit kulturor dhe të asimilimit të detyruar të qeverive të kohës, që arritën kulmin me sistemin shkollor rezidencial”.
Edhe pse bamirësia e krishterë ishte e pranishme dhe nuk kishte pak raste shembullore përkushtimi ndaj fëmijëve - vijoi tejet i prekur Papa - pasojat e përgjithshme të politikave të lidhura me shkollat rezidenciale ishin katastrofike. E sigurisht nuk kanë të bëjnë fare me mësimet e Krishtit, me Ungjillin e Zotit tonë:
“Besimi i krishterë na thotë se ishte një gabim shkatërrimtar, i papajtueshëm me Ungjillin e Jezu Krishtit”.
Kisha, në gjunjë para Zotit, kërkon falje
Këtë nënvizoi Papa, për të kujtuar, në vijim, sa të dhemb shpirti kur mendon se ai terren kompakt vlerash, gjuhe dhe kulture, që u dha popujve indigjenë një ndjenjë të vërtetë identiteti, u gërrye, e se ata vazhdojnë të paguajnë pasojat:
“Përballë kësaj së keqeje, që të revolton, Kisha gjunjëzohet përpara Perëndisë dhe kërkon falje për mëkatet e bijve të saj! (krh. ST JOHN PAUL II, Bull Incarnationis mysterium [29 nëntor 1998], 11: AAS 91 [1999], 140)”.
Këtu Papa, i prekur në shpirt, ritheksoi, me turp e qartësi:
“Kërkoj përvujtërisht falje për të keqen e kryer nga kaq shumë të krishterë kundër popujve indigjenë. Lutem dhe shpresoj që të krishterët dhe shoqëria e kësaj toke të jenë gjithnjë më të aftë për të mirëpritur dhe për të respektuar identitetin dhe përvojën e popujve indigjenë”.
Në vijim Ati i Shenjtë i siguroi këta popuj, që e kanë ende në zemër vulën e dhimbjes, se do të vazhdojë t’i inkurajojë katolikët të ecin përkrah tyre. Prania ime këtu dhe angazhimi i ipeshkvijve kanadezë - nënvizoi - janë dëshmi e vullnetit për të ecur në këtë rrugë.
Jeni të gjithë në zemrën time
Ky shtegtim zgjat për disa ditë dhe do të prekë vende të largëta - kujtoi në përfundim të fjalmit të parë në trojet kandeze Ati i Shenjtë - megjithatë nuk do të më lejojë t’u përgjigjem shumë ftesave dhe të vizitoj qendra si Kamloops, Winnipeg, vende të ndryshme në Saskatchewan, Yukon dhe Territoret Veriperëndimore. Nëse kjo nuk është e mundur, ta dini se jeni të gjithë në mendjen, zemrën dhe në lutjet e mia. Ta dini se i njoh vuajtjet, traumat dhe sfidat e popujve indigjenë në të gjitha rajonet e këtij vendi.
Fjalë për t’u skalitur në kujtesë
Në këtë etapë të parë doja të lija vend për kujtesën - theksoi Papa në përfundim të takimit të parë me vendasit në trojet kanadeze:
“Sot jam këtu për të kujtuar të kaluarën, për të qarë me ju, për të parë tokën në heshtje, për t’u lutur pranë varreve. Ta lëmë heshtjen të na ndihmojë… e përballë së keqes, ta lusim Zotin për të mirën; përballë vdekjes, ta lusim Zotin për jetën!”.