Kërko

Papa, klerit kanadez: kurrë më, as të mos ju prekë ideja e epërsisë së një kulture mbi të tjerat

Në Mbrëmësoren e kremtuar në katedralen Notre-Dame të Québec-ut, më 28 korrik, ndërsa në Evropë ishte natë, Papa Françesku i ftoi ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e punonjësit baritorë të Kanadasë t’u bëjnë ballë sfidave, që pengojnë kumtimin e gëzimit të fesë, duke u kërkuar të jenë krijues në shërbimin e tyre baritor. Kërkoi edhe një herë falje për abuzimet kundër indigjenëve, "shkanduj, per t'iu pergjigjur me veprime te fuqishme".

R.SH. – Vatikan

         Të enjten (27 korrik) – ndërsa në Evropë ishte natë – Papa Françesku kryesoi lutjet mbrëmësore me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, seminaristët dhe punonjësit baritorë në Bazilikën e Notre-Dame të Québec-ut. Vazhdonte kështu etapa e dytë e shtegtimit të tij apostolik në Kanada, që filloi më 24 e do të përfundojë më 30 korrik.

Gëzimi i kumtimit të Ungjillit, gëzimi i të qenit të krishterë, në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, i cili kujtoi ipeshkvin e parë të katedrales, Shën François de Laval, që hapi Seminarin në vitin 1663 dhe ia kushtoi shërbesën e tij formimit të meshtarëve. Duke përmendur leximet e dëgjuara gjatë Mbrëmësores, Papa vuri në dukje cilësitë që shën Pjetri kërkonte për meshtarët, të cilët duhet të kujdesen për grigjën me të njëjtin shqetësim që kishte Jezu Krishti për të gjithë e me dhembshurinë e Tij për plagët e secilit. “Jemi shenjë e Krishtit”, u tha Françesku meshtarëve.

Gëzimi i krishterë

         E, prej këndej, buron gëzimi i secilit prej të shuguruarve në Krishtin. Ai është dhuratë falas, por nuk i përjashton kryqet e problemet e jetës. “Gëzimi i krishterë  - nënvizoi Papa - bashkohet me një përvojë paqeje, që mbetet në zemër edhe kur nuk na lënë të qetë sprovat dhe mundimet, pasi e dimë se nuk jemi vetëm, por na shoqëron një Zot, jo indiferent ndaj fatit tonë. Ashtu siç ndodh kur deti është i trazuar: në sipërfaqe është i stuhishëm, por në thellësi mbetet i qetë dhe i paqtë”.

Shekullar[i]zimi e shekullarizmi

         Ky gëzim minohet nga laicizimi i sotëm i jetës, kur ngjan sikur Zoti është lënë në sfond, vërejti Papa. “Ai duket sikur është zhdukur nga horizonti, Fjala e Tij nuk duket më si busull orientimi për jetën, për vendimet themelore, për marrëdhëniet njerëzore dhe shoqërore”. Por këtë situatë, mund ta shohim me dy mënyra, nënvizoi Françesku: me “këndvështrim negativ”, ose “me këndvështrim shoshitës”.

         Këndvështrimi negativ e kthen fenë në një lloj “armature” për t’u mbrojtur nga bota. “Me trishtim, e akuzon realitetin, duke thënë: ‘bota është e keqe, mbretëron mëkati’, duke rrezikuar kështu të mvishet me ‘shpirtin e kryqëzatave’”. Por, nëse ndalemi në këtë këndvështrim, i ikim realitetit dhe e mohojmë mishërimin e Zotit, që e shndërron atë. Kemi nevojë për “këndvështrimin shoshitës”, që pati përdorur Papa shenjt Pali VI, të cilin Françesku e mori si shembull.

         Për Papën Montini, shekullar[i]zimi është “përpjekje e drejtë dhe e ligjshme në vetvete, krejtësisht e pajtueshme me fenë”, pasi dëshiron të zbulojë ligjet e realitetit e të jetës, vendosur nga Krijuesi, që nuk na dëshiron skllevër, por bij të lirë. Përkundrazi “shekullarizmi” (ndryshimi qëndron veç në një “i”), është konceptimi i jetës larg Zotit, i cili bëhet kështu i panevojshëm. Duhet të dimë ta dallojmë këtë, i kërkoi klerit kanadez Papa Françesku.

         “Nëse dorëzohemi para këndvështrimit negativ dhe gjykojmë sipërfaqësisht, ka rrezik të përçojmë një mesazh të gabuar, sikur pas kritikës së shekullarizimit të ishte, nga ana jonë, nostalgjia për një botë kishtare, për një shoqëri të kohëve të tjera, në të cilën Kisha dhe njerëzit e saj kishin më shumë pushtet dhe rëndësi shoqërore. Kjo është perspektivë e gabuar”, ngriti zërin Papa Françesku.

Tri sfidat e kumtimit të Ungjillit

         Problemi i shekullarizimit, për të krishterët, nuk duhet të jetë rëndësia më e vogël shoqërore e Kishës, ose humbja e pasurisë materiale dhe e privilegjeve, vërejti Ati i Shenjtë. Bota e sotme i kërkon Kishës të reflektojë për ndryshimet shoqërore, që kanë ndikuar në mënyrën me të cilën njerëzit e mendojnë dhe e organizojnë jetën, për t’ua kumtuar Ungjillin dhe gëzimin e fesë në një mënyrë të re. “Ky kumt – theksoi Françesku – nuk jepet me fjalë, por me dëshminë e tejmbushur me dashuri falas, siç bën Zoti me ne”. Ati i Shenjtë i propozoi klerit kanadez tri sfida: t’i njohin njerëzit me Jezu Krishtin, ta dëshmojnë Atë dhe të kenë frymën e vëllazërimit.

Njerëzit duhet të njohin Krishtin

         Jo të gjithë e njohin Krishtin, vuri në dukje Papa, duke nënvizuar se është e kotë të paraqiten aspekte të fesë, të cilat janë dytësore për atë, që ende nuk e ka përqafuar Zotin në jetën e vet. E as të propozohen praktika të së kaluarës, që nuk funksionojnë sot.

         “Duhen gjetur mënyra të reja për t’u kumtuar zemrën e Ungjillit atyre, që nuk e kanë takuar ende Krishtin. Kjo presupozon një krijimtari baritore, e cila arrin tek njerëzit aty ku jetojnë, duke gjetur raste për dëgjim, dialog dhe takim”.

Dëshmia e Kishës në Kanada

         Por, kumtimi i Ungjillit duhet të jetë i besueshëm, vijoi Papa, duke i kërkuar klerit kanadez ta dëshmojë Krishtin me jetën e vet. Françesku nuk harroi të përmendë sërish plagën e vuajtjeve të popujve indigjenë, abuzimet e pësuara prej tyre, edhe nga ana e katolikëve. Kurrë më! – ngriti zërin Ati i Shenjtë. Dhimbja dhe turpi të shndërrohen në kthesë shpirtërore.

         “E, duke menduar për udhën e shërimit dhe të pajtimit me vëllezërit dhe motrat indigjene, kurrë më bashkësia e krishterë të mos lejojë as ta prekë ideja se ekziston epërsia e një kulture mbi të tjerat dhe se është legjitime të përdoren mjete detyrimi kundër të tjerëve. Të kujtojmë qëndrimin e flaktë të ipeshkvit tuaj të parë, Shën François de Laval, i cili qe tejet i ashpër me ata, që i degradonin indigjenët, duke i nxitur të konsumonin pije, për t’i mashtruar”.

Sfida e tretë: vëllazërimi

         Së fundi, sfida e tretë: vëllazërimi. “Kisha do të jetë dëshmitare e besueshme e Ungjillit nëse anëtarët e saj do ta jetojnë bashkimin, duke krijuar raste dhe hapësira, që kushdo i afrohet fesë të gjejë një bashkësi mikpritëse, e cila di të dëgjojë, të hyjë në dialog dhe të promovojë cilësinë e mirë të marrëdhënieve”. Nganjëherë, përdori Papa fjalët e ipeshkvit të parë të katedrales së Notre-Dame, një fjalë e hidhur, padurimi, fytyra e shtrembëruar, shkatërrojnë në një sekondë, çka është ndërtuar në vite. T’i përballojmë këto sfida, duke iu drejtuar Zotit për ndihmë, theksoi Françesku, duke kërkuar ndërmjetësimin e shën François de Laval, me lutjen:

         “Ke qenë njeriu i bashkëndarjes, duke vizituar të sëmurët,

duke veshur të varfrit, duke luftuar për dinjitetin e popullsive indigjene,

duke mbështetur misionarët e rraskapitur,

gjithnjë gati t’i zgjatësh dorën atij, që ishte më keq se ty.

Sa herë të kanë dështuar planet!

Po aq herë i ke rimëkëmbur.

E pate kuptuar se vepra e Zotit nuk është prej guri

e se në këto troje shkurajimi

kishte nevojë për njerëz të shpresës”.

29 korrik 2022, 07:15