Kërko

Takimi i papës me indigjenët në Québec Takimi i papës me indigjenët në Québec

Papa, indigjenëve: erdha si mik, si vëlla, si pjesëtar i familjes tuaj

Një nga veprimtaritë e sotme të Papës ishte takimi, në mjediset e kryeipeshkvisë së Québec-ut, me një grup indigjenësh ardhur nga vende të ndryshme. Françesku i quajti takimet e kësaj natyre, të shumta gjatë kësaj vizite, me temën e shtegtimit të 37-të apostolik: “Walking Together” (Të ecim së bashku). Realiteti i popullsive autoktone, nënvizoi, do ta shoqërojë kudo. Ati i Shenjtë ua besoi udhën e pajtimit e të shërimit tri grave: shën Anës, shën Marisë dhe shën Kateri Tekakwitha-s

R.SH. - Vatikan

“Një nga veprimtaritë e sotme të Papës ishte takimi, në mjediset e kryeipeshkvisë së Québec-ut, me një grup indigjenësh ardhur nga vende të ndryshme. Papa i quajti takimet e kësaj natyre, të shumta gjatë kësaj vizite, “Walking Together” (të ecësh së bashku). E më pas nënvizoi edhe një herë arsyen e këtij shtegtimi, aspak të lehtë për Të:

“Erdha si mik për t’ju takuar, për të parë, për të dëgjuar, për të mësuar dhe për të vlerësuar sesi jetojnë popujt indigjenë të këtij vendi. Erdha si vëlla, për të zbuluar nga afër frytet e mira dhe të këqija të prodhuara nga anëtarët e familjes katolike vendase gjatë viteve. Erdha me shpirt pendese, që t’ju shpreh dhimbjen për të keqen që jo pak katolikë ju shkaktuan duke mbështetur politika shtypëse dhe të padrejta kundër jush. Erdha si shtegtar, me kufizimet e mia fizike, për të bërë hapa të mëtejshme përpara me ju dhe për ju”.

E gjithë kjo, që të vazhdohet kërkimi i së vërtetës, të ecet përpara në rrugët e shërimit dhe të pajtimit, të mbillet shpresë për brezat e ardhshëm të indigjenëve dhe jo-indigjenëve, të cilët dëshirojnë të jetojnë së bashku vëllazërisht, në harmoni.

Erdha i nxitur nga këto dëshira - nënvizoi në vijim të takimit Papa - e po  kthehem në shtëpi shumë më i pasuruar:

 “Ruaj në zemrën time thesarin e pakrahasueshëm të njerëzve dhe popullatave, të fytyrave, buzëqeshjeve, fjalëve; të historive dhe vendeve që nuk do të mund t’i harroj; tingujve, ngjyrave dhe emocioneve…”

 Guxoj të them - vijoi Françesku - nëse më lejoni, se tani ndihem pjesë e familjes suaj dhe jam i nderuar për këtë. Kujtimi i festës së Shën Anës, i jetuar së bashku me disa breza dhe shumë familje autoktone, do të mbetet i pashlyeshëm në zemrën time. Në një botë që për fat të keq është kaq shpesh individualiste, sa e çmuar është ajo ndjenjë familjariteti dhe komuniteti, kaq e vërtetë ndërmjet jush! Dhe sa e rëndësishme është të kultivojmë lidhjen mes të rinjve dhe të moshuarve dhe të ruajmë  marrëdhënie të shëndetshme dhe harmonike me të gjithë krijimin!

Në besë të tri grave: Marisë, Anës e Katerisë

Në përfundim, Papa ia besoi çka u jetua këto ditë e edhe çka do të jetohet në të ardhmen, tri grave:

“Shën Anës, butësinë dhe mbrojtjen e së cilës munda ta ndjej, duke e nderuar së bashku me popullin e Zotit, që i njeh dhe nderon gjyshet. Marisë, për t’u udhëhequr nga dora e Birit të saj - dhe Shën Kateri Tekakwitha-s, e nderuar për jetën e shenjtë në mes të indigjenëve”

Këto gra - vijoi - mund të na ndihmojnë për t'u bashkuar, për  t’u pajtuar, për ta shikuar historinë pa mëri e pa harresë -  e edhe të ndërmjetësojnë për ne e për këtë vepër të madhe shërimi e pajtimi, kaq të pëlqyer për Zotin:

“Ju bekoj nga zemra. Dhe ju lutem, ju lutem, të vazhdoni ta thoni një uratë për mua. Faleminderit”.

29 korrik 2022, 17:45