Papa me autoritetet kanadeze: kolonizime ideologjike ka edhe sot, të mësojmë nga vlerat e indigjenëve
R.SH. - Vatikan
Papa shtegton me avion dy herë gjatë vizitës së tij në Kanada. Së pari, nga Edmonton në Québec, ku u takua me Guvernatoren e Përgjithshme të Kanadasë, Mary May Simon, kryeministrin Justin Trudeau, autoritetet civile, përfaqësuesit e popujve indigjenë dhe trupin diplomatik. Dita e Papës përfundoi në arqipeshkvi, në Rue Port-Dauphin, ku do të qëndrojë për dy netë.
Takimi me Autoritetet civile, përfaqësuesit e popullsive indigjene, dhe Trupin Diplomatik, nisi me përshëndetjen drejtuar Papës nga autoritet vendase, për të vijuar me atë të Atit të Shenjtë. “Kam kënaqësinë t’ju drejtohem juve, që keni përgjegjësinë t’u shërbeni banorëve të këtij vendi të madh, i cili “nga deti, në det” ofron një trashëgimi të jashtëzakonshme natyrore - ishin fjalët e para të përshëndetjes së Papës, që vijoi me përshkrimin entuziast të bukurive, ndërmjet të cilave, kujtoi pyjet e pafundme dhe spektakolare të panjave, drurë tipikë vendas, të cilat e bëjnë të pashoq peizazhin kanadez plot ngjyra.
Kthim në të kaluarën, me shikimin nga e ardhmja
Gjethja e këtyre panjeve - kujtoi në vijim Papa, duke u kthyer me kujtesë në të kaluarën - u duk sakaq në stemat e Kebekut, duke u bërë shpejt simbol, që bie në sy në flamurin e vendit. Ishte kthim me kujtesë në kohët kur kolonët nuk kishin mbërrjtë ende në tokën kanadeze e popullatat vendase nxirrnin lëngun, nga i cili bënin shurupe me vlera të mëdha ushqyese, gjithmonë të kujdesshëm për të mbrojtur tokën dhe mjedisin, besnikë ndaj vizionit harmonik të krijimit, që Papa e quajti:
“… libër i hapur, i cili i mëson njeriut të dojë Krijuesin dhe të jetojë në simbiozë me qeniet e tjera të gjalla. Ka shumë për të mësuar nga kjo, nga aftësia për të dëgjuar Zotin, njerëzit dhe natyrën. Ne kemi nevojë për të, veçanërisht në furinë e vorbullës së botës së sotme”.
Të tërhiqemi nga vlerat e pranishme në kulturat indigjene
Theksonte kështu, rëndësinë e trashëgimisë së traditave vendase:
“Sa shumë nevojë kemi për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të dialoguar, për t’u larguar nga individualizmi mbizotërues, nga gjykimet e nxituara, nga agresioni i shfrenuar, nga tundimi për të ndarë botën në të mira dhe të këqija! Gjethet e mëdha të panjeve, të cilat thithin ajrin e ndotur dhe e shndërrojnë në oksigjen, na ftojnë të mahnitemi nga bukuria e krijimit dhe të lëmë veten të tërhiqemi nga vlerat e shëndetshme të pranishme në kulturat indigjene: ato janë frymëzim për të gjithë ne dhe mund të na ndihmojnë t’i shërojmë zakonet e sëmura, që synojnë ta shfrytëzojnë veprimtarinë njerëzore vetëm mbi bazën e fitimit”.
Në gjurmë të një historie të dhimbshme
Në vijim, Papa kujtoi se këto mësime jetësore të indigjenëve, u kundërshtuan me dhunë në të kaluarën. E këtu preku nervin, që dhemb më shumë, atë të shkollave rezidenciale:
“Mendoj - nënvizoi - mbi të gjitha, politikat e asimilimit dhe të çlirimit, duke përfshirë edhe sistemin shkollor rezidencial, i cili dëmtoi shumë familje autoktone, duke minuar gjuhën, kulturën dhe vizionin e tyre për botën. Në atë sistem të mjerueshëm, promovuar nga autoritetet qeveritare të asaj kohe, që ndau kaq shumë fëmijë nga familjet e tyre, u përfshinë edhe institucione të ndryshme katolike lokale”.
E këtu Papa u ndalua shumë i prekur, disa çaste, për të kërkuar, më pas, përsëri, falje:
“Përsëris kërkesën time për falje, për të keqen e kryer nga kaq shumë të krishterë kundër popujve indigjenë. Është tragjike kur besimtarët, siç ndodhi në atë periudhë historike, përshtaten me rehatitë e botës dhe jo me Ungjillin”.
Prej këndej, kërkesa e Kreut të Kishës katolike, autoriteteve vendase:
“Nëse besimi i krishterë luajti rol themelor në formësimin e idealeve më të larta të Kanadasë, të cilat karakterizohen nga dëshira për të ndërtuar një vend më të mirë për të gjithë njerëzit e saj, është e nevojshme, duke pranuar gabimet tuaja, të punoni së bashku…për të promovuar të drejtat legjitime të popullsive vendase dhe për të nxitur proceset e shërimit dhe pajtimit ndërmjet indigjenëve dhe popujve jo-indigjenë të vendit”.
Kjo reflektohet në angazhimin tuaj për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme thirrjeve të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, si dhe në vëmendjen tuaj për njohjen e të drejtave të popujve indigjenë - vijoi.
Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me popujt indigjenë të Kanadasë
Papa shprehu, më pas, dëshirën konkrete të Selisë së Shenjtë dhe të bashkësive katolike vendase për promovimin e kulturave indigjene, duke përfshirë vëmendjen ndaj traditave kulturore, zakoneve, gjuhëve dhe proceseve arsimore, në frymën e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Popujve Indigjenë:
“Është dëshira jonë - theksoi Papa - për t’i ripërtërirë marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe popujve indigjenë të Kanadasë, marrëdhënie e karakterizuar si nga dashuria, që dha fryte të shkëlqyera, ashtu, për fat të keq, edhe nga plagët që po përpiqemi t’i kuptojmë dhe t’i shërojmë. Jam vërtet mirënjohës që takova dhe dëgjova përfaqësues të ndryshëm të popujve indigjenë muajt e fundit në Romë dhe munda të forcoj, këtu në Kanada, marrëdhëniet e bukura e të ngushta me ta”.
Dhimbja nuk shërohet lehtë!
“Dhimbja dhe përbuzja”, nuk shërohen lehtë - pohoi në vijim Papa, duke kujtuar të kaluarën ngarkuar me mendësi kolonizuese e duke paralajmëruar se ‘kolonizimi nuk ndalet, përkundrazi në disa zona, shndërrohet, maskohet, fshihet” (Nxitja Apostolike Querida Amazonia, 16).
E ardhmja e njerëzimit kalon përmes familjes
Më pas Françesku u ndalua tek familja, realiteti i parë konkret shoqëror. Foli me shqetësim për kërcënimet, që vijnë nga shumë faktorë: dhuna në familje, puna e rëndë, mendësia individualiste, karrierizmi i shfrenuar, papunësia, vetmia e të rinjve, braktisja e të moshuarve dhe e të pafuqishmëve... Popujt autoktonë kanë shumë për të na mësuar lidhur me kujdesin dhe mbrojtjen e familjes - kujtoi - ku fëmija mëson të dallojë çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, të tregojë të vërtetën, të korrigjojë gabimet, të fillojë nga e para, të marrë zemër, të pajtohet:
“E keqja që pësuan popujt autoktonë duhet të na shërbejë si paralajmërim sot, që kujdesi dhe të drejtat e familjes të mos lihen mënjanë në emër të ndonjë nevoje prodhuese dhe interesi individual”.
Papa u ndalua, në vijim edhe tek sfidat e mëdha të së sotmes, si paqja, ndryshimet klimatike, efektet pandemike dhe migrimi ndërkombëtar: sfida globale, që i prekin të gjithë. Ditët e fundit - kujtoi - dëgjova se shumë nevojtarë trokasin në dyert e famullisë. Edhe në një vend kaq të zhvilluar dhe të avancuar si Kanadaja, e cila i kushton jo pak vëmendje asistencës sociale, nuk janë të paktë të pastrehët që mbështeten te kishat dhe bankat ushqimore për të marrë ndihmë – e jo vetëm materiale:
“Vetëm duke punuar së bashku, mund t’i përballojmë sfidat e ngutshme të së sotmes. Ju falënderoj për mikpritjen, vëmendjen dhe vlerësimin tuaj, duke ju kujtuar, me dashuri të sinqertë, se Kanadanë dhe njerëzit e saj i kam vërtet për zemër”.
Me këto fjalë e përfundoi Papa këtë takim shumë të rëndësishëm me Autoritetet civile. Po vizita vazhdon. Sot, 28 korrik, në orën 10.00 (me orën kanadeze), Papa do të jetë në Bazilikën e Shën Anës së Beaupreé, ku do të kremtohet mesha; ndërsa në orën 17.15, në Katedralen e Notre-Dame, për Mbrëmësoren me ipeshkvijtë, priftërinjtë, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe laikët. Të nesërmen, para se të niset sërish me aeroplan, në orën 12.45, për të mbërritur në Ikaluit, Papa do të ketë dy takime në kryeipeshkvni: i pari, privat, me disa anëtarë të Shoqërisë së Jezusit, i dyti, me një delegacion indigjenësh, i pranishëm në Quebec.