Ukrainë, Papa: Zoti tregoftë rrugën për t’i dhënë fund kësaj lufte të çmendur
R. SH. - Vatikan
Një tjetër thirrje e re nga Papa për situatën në Ukrainë. Pas Engjëllit të kësaj së dieleje, Françesku i quajti përsëri “brutale” sulmet që rrënojnë jetën e “njerëzve të zakonshëm”:
“Përsëris afërsinë time me popullin ukrainas, të torturuar çdo ditë nga sulmet brutale, që pësojnë njerëzit e zakonshëm. Lutem për të gjitha familjet, veçanërisht për viktimat, të plagosurit, të sëmurët! Lutem për të moshuarit dhe për fëmijët. Zoti tregoftë rrugën për t’i dhënë fund kësaj lufte të çmendur!”.
Viktimat nën rrënojat e sulmit në Chasiv Yar, Donetsk
Kronika në terren pohon se gjatë sulmit rus, të shtunën në mbrëmje, në një ndërtesë pesëkatëshe në qytetin Chasiv Yar në rajonin e Donetsk, u vranë të paktën njëmbëdhjetë civilë dhe se “ka ende njerëz nën rrënoja”. Lajmi i ri u dha në Twitter nga ushtria e Kievit, sipas të cilës Rusia duhet të njihet si shtet përgjegjës për “terrorizmin”. Ministri rus i Arsimit, Sergey Kravtsov, sipas njoftimit të administratës komunale, solli sot tekstet e para nga Rusia në qytetin Melitopol, në rajonin Zaporizhzhia, në jug të Ukrainës.
Sanksionet e reja të Kanadasë kundër Rusisë
Ndërkohë, Kanadaja njofton se do të marrë masa të reja ndëshkimore kundër Rusisë, si përgjigje për pushtimin e Ukrainës: njoftimin e dha përmes një deklarate, ministrja e jashtme e vendit, Melanie Joly. Sanksionet e reja, thuhet në shënimin e publikuar në faqen e qeverisë, do të forcojnë ato tashmë në fuqi në sektorët e kimikateve, naftës dhe gazit dhe do të shtrihen në sektorin e prodhimit industrial. Në veçanti, ato do të ndikojnë, ndërmjet tjerash, edhe në prodhimin e kompjuterave, pajisjeve elektronike dhe elektrike dhe mjeteve të makinerisë.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës synon të thellohet
“Ne duhet të zhvillojmë dhe të forcojmë sistemin tonë të mbrojtjes ajrore dhe të mbrojtjes raketore”. Këtë e deklaroi - siç raporton Kiev Independent - ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, duke saktësuar se deri tani një numër mjaft i madh raketash dhe avionësh rusë janë rrëzuar, por mbrojtja e qiellit duhet të forcohet ndjeshëm. Sipas deklaratave të tij, rusët “përdorin raketa të vjetra dhe i flakin nga territori i Rusisë, territori i Bjellorusisë, ujërat e Detit të Zi dhe madje edhe nga Deti Kaspik dhe nga Krimeja ukrainase, e pushtuar përkohësisht. Armiku ka frikë të afrohet”.