Kërko

Takimi i Papës me jezuitët kanadezë Takimi i Papës me jezuitët kanadezë

Françesku: kur Kisha është e bashkuar mund të bëhen mrekulli

Kisha ose është sinodale, ose s’është Kishë: Papa përsërit një koncept të dashur për të në takimin privat, që pati me 15 nga më se 200 jezuitët e provincës kanadeze, më 29 korrik, në kryeipeshkvinë e Québec-ut, pak para se të përfundonte udhëtimi i tij i 37-të apostolik. Në revistën e jezuitëve “La Civilità Cattolica”, teksti i plotë i bisedës, në një artikull të nënshkruar nga drejtori, Át Antonio Spadaro

R.SH. – Vatikan

         Kur themi “Kishë Sinodale” shprehja është me fjalë të tepërta, sepse "Kisha ose është sinodale, ose s’është Kishë". Sinodi mbi sinodalitetin shërben për ta theksuar këtë, kujton Papa në një bisedë një orëshe me jezuitët e Kanadasë, vend që e ka vizituar edhe dy herë të tjera, para udhëtimit të 37-të apostolik, që sapo përfundoi: në vitet ‘70 si mësues i rishtarëve dhe në vitin 2008, me rastin e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar.

Uniteti i Kishës kanadeze

“Sinodi – kujton Françesku – nuk është takim politik, as komitet për vendime parlamentare. Është shprehje e Kishës, me protagonist Shpirtin Shenjt, ashtu siç tregohet në ngjarjet e Veprave të Apostujve”. Sinod do të thotë të ecim së bashku dhe pikërisht “Të ecim së bashku” ishte edhe motoja e shtegtimit pendestar në Kanada, nga 24 deri më 30 korrik: rast, në të cilin doli në pah uniteti i Kishës, vëren Ipeshkvi i Romës, duke cituar thënien “nëse dëshiron të ecësh shpejt, shko vetëm, nëse dëshiron të ecësh i sigurt, shko i shoqëruar”.

Mrekullitë e një Kishe të bashkuar

Procesi i pajtimit me popujt indigjenë nuk ka përfunduar, por “më e rëndësishmja është se ipeshkvijtë kanë rënë dakord, e kanë pranuar sfidën, kanë ecur përpara”: “ky i Kanadasë ishte shembull i episkopatit të bashkuar” e “kur episkopati është i bashkuar, mund t’i përballojë mirë sfidat, që i dalin përpara”. Nëse kjo rrugë e pajtimit po ecën mirë, vëren Papa Françesku, “nuk ndodh, për shkak të vizitës sime. Unë jam vetëm qershia mbi tortë. Janë ipeshkvijtë, që kanë bërë gjithçka, me unitetin e tyre”. Ati i Shenjtë nënvizon edhe aftësinë e vendasve autoktonë për ta trajtuar mirë këtë çështje dhe për t’u angazhuar personalisht. Vërehet një farë familjariteti ndërmjet ipeshkvijve dhe indigjenëve, vë në dukje Papa: “Këto janë mrekullitë, që mund të bëhen kur Kisha është e bashkuar”.

Zoti u jep forcë të brishtëve

Më pas, Ati i Shenjtë flet për njërin prej armiqve më të këqij të unitetit në Kishë, për ideologjinë. “Forca e vërtetë e një jezuiti – nënvizon ai - është vetëdija për brishtësinë e tij. Është Zoti që na jep forcë”. Më pas, Françesku pyetet për disa komente, që dolën në shtyp gjatë udhëtimit të tij në Kanada, si për shembull, pse Papa kërkon falje në emër të të krishterëve, por jo në emër të Kishës si institucion. “Unë flas në emër të Kishës edhe kur nuk e them qartë këtë”, saktëson ai. “Përkundrazi, duhet ta bëj të qartë se është mendimi im personal, kur nuk flas në emër të Kishës”.

Ligji, ashtu si morali, zhvillohen për udhë

Atyre që pyetën pse nuk pati takime me viktimat e abuzimit seksual gjatë këtij udhëtimi, Françesku u shpjegon se u është përgjigjur letrave të ndryshme për këtë, para udhëtimit. Kësaj radhe vëmendja duhej përqendruar në popullsitë indigjene.  Ndërsa flitej për abuzimet, disa nga të pranishmit në takim vënë në dukje se shumë e konsiderojnë Papën si njeri të ndryshimeve, edhe në planin e së drejtës penale. “Ligji nuk mund të mbahet në frigorifer, ai shoqëron jetën dhe jeta vazhdon: ashtu si morali, edhe ai priret drejt përsosurisë”, përgjigjet Ipeshkvi i Romës. “Aftësia njerëzore për të kuptuar ndryshon me kalimin e kohës dhe vetëdija thellohet”. Është gabim ta konceptosh këndvështrimin e doktrinës së Kishës si monolit.

Tradicionalizmi, paganizmi i mendimit

Prandaj, është e rëndësishme të respektohet tradita autentike, “kujtesa e gjallë e besimtarëve”, krejt e kundërt me tradicionalizmin, i cili, thekson Papa, është “jeta e vdekur e besimtarëve”. Justifikimi i çdo veprimi me shprehjen “është bërë gjithmonë kështu”, shton ai, “është paganizëm i mendimit”.

Liturgjia dhe uniteti i Kishës

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për liturgjinë dhe unitetin e Kishës, Françesku kujton, nga njëra anë, deformimet liturgjike të papranueshme në Amerikën Latine tridhjetë vjet më parë dhe, nga ana tjetër, “dehjen indietriste drejt kohrave të vjetra”. “Veprimi im në këtë fushë”, shpjegon Ati i Shenjtë, ka ndjekur “vijën e Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI, të cilët e lejuan ritin e lashtë, duke kërkuar të verifikohej më vonë. Verifikimi i fundit na bëri të kuptojmë se ishte e nevojshme të disiplinohej çështja dhe të mos kthehej në modë, por të mbetej çështje baritore”. Papa është i sigurt se “do të bëhen studime, që do ta përmirësojnë reflektimin për një temë kaq të rëndësishme”, sepse “liturgjia është lavdi publik i popullit të Zotit”.

Kalvari i Haitit

Provinca kanadeze e Shoqërisë së Jezusit përfshin edhe territorin e Haitit, prandaj, s’mund të mungonte një mendim mbi procesin e vështirë të pajtimit kombëtar në vendin e Karaibeve. “Haiti po përjeton një sprovë”, komenton Françesku duke shprehur gjithë shqetësimin e tij se mos vendi bie në “pusin e dëshpërimit”. “Nuk më duket se organizatat ndërkombëtare e kanë kuptuar si të veprojnë”, shton Papa, duke i ftuar të gjejnë zgjidhje konkrete për të kapërcyer krizën dhe duke i sugjeruar Kishës nisma lutjeje dhe pendese për të ndihmuar popullsinë haitiane të ketë shpresë.

04 gusht 2022, 12:32