Papa Françesku: të përvuajturit janë gjithnjë fitimtarët e vërtetë

Papa kremtoi Meshën në sheshin e Bazilikës së Collemaggio-s në L’ Aquila e, duke u frymëzuar nga Ungjilli i kësaj të dieleje të 22-të gjat vitit kishtar nga Luka, u ndal posaçërisht tek konceptet e përvujtërisë, faljes dhe butësisë. “L’ Aquila qoftë kryeqytet i faljes, kryeqytet i paqes dhe i pajtimit!”, theksoi Ati i Shenjtë

R.SH. - Vatikan

Papa kremtoi Meshën në sheshin e Bazilikës së Collemaggio-s në L’ Aquila e, duke u frymëzuar nga Ungjilli i kësaj të dieleje të 22-të gjat vitit kishtar nga Luka, u ndal posaçërisht tek konceptet e përvujtërisë, faljes dhe butësisë. “L’ Aquila qoftë kryeqytet i faljes, kryeqytet i paqes dhe i pajtimit!”, theksoi Ati i Shenjtë

Të përvuajturit janë fitimtarët e vërtetë! Vetëm me forcën e tyre mund të realizohet vullneti i Zotit. Në ditën e veçantë të ndjesës Çelestiniane, për Aquilën dhe për mbarë Kishën, Ati i Shenjtë Françesku, duke menduar për Papën Çelestini V - jo ‘njeriun që mohonte', por njeriun që pohonte' - foli për të përvuajturit të cilët, edhe pse mund të duken të ligësht dhe humbës, “janë fitimtarët e vërtetë, sepse të vetmit që besojnë plotësisht te Zoti dhe e pranojnë vullnetin e Tij”:

“Në frymën e botës, pushtuar nga krenaria, Fjala e sotme e Zotit na fton të bëhemi të përvuajtur, të përulur. Përulësi nuk do të thotë ta zhvlerësosh vetveten, por të vlerësosh atë realizëm të shëndetshëm, që na bën t’i njohim aftësitë tona, por dhe mjerimet tona. Duke u nisur pikërisht nga vuajtjet tona, përvujtëria na bën t’i shkëpusim sytë nga vetja, për t’i sjellë kah Zoti, i cili mund të bëjë gjithçka, edhe çka nuk mund ta bëjmë vetë”.

Forca e të përvuajturve - theksoi Papa - është Zoti, jo strategjitë, mjetet njerëzore, logjika e kësaj bote, llogaritjet... jo, është Zoti”:

“Në këtë kuptim, Çelestini V ishte dëshmitar i guximshëm i Ungjillit, sepse asnjë logjikë e pushtetit nuk mundi ta burgoste dhe ta përdorte sipas dëshirave të veta. Në të ne admirojmë Kishën e lirë nga logjika e kësaj bote dhe dëshmitare të plotë të emrit të Zotit, që është Mëshira”.

Falja na afron me ringjalljen

Mëshira është “vetë zemra e Ungjillit” - theksoi Papa - do të thotë “ta dimë se dikush na do në mjerimin tonë: mjerimi e mëshira shkojnë krah për krah. Mëshira nuk mund të kuptohet, pa e kuptuar mjerimin e tjetrit”. “Të jesh besimtar - pra - nuk do të thotë t’i afrohesh një Zoti të errët dhe të frikshëm”, por përkundrazi, t’i afrohesh  “Jezusit, Birit të Zotit, i cili është Mëshira e Atit dhe Dashuria që shpëton”. “Po, mëshira është Ai! Nëse ndonjëri nesh mendon ta gjejë mëshirën në një rrugë tjetër, që nuk është mjerimi, ka marrë rrugën e gabuar. Kjo është arsyeja pse duhet ta kuptojmë realitetin. Prandaj L'Aquila e mbajti gjallë gjatë shekujve dhuratën e Çelestiniane:

“Është privilegj t’u kujtosh të gjithëve se me mëshirë, dhe vetëm me të,  çdo burrë dhe e çdo grua mund të jetojë me gëzim. Mëshira është përvoja që të bën ta ndjesh veten të mirëpritur, që të ngre përsëri në këmbë, të forcon, të shëron, të inkurajon. Ta ndjesh forcën e faljes, do të thotë të përjetosh këtu dhe tani, çka i afrohet më shumë ringjalljes. Falje do të thotë të kalosh nga vdekja në jetë, nga përvoja e ankthit dhe e fajit, në atë të lirisë dhe të gëzimit”.

Dhurata për të kuptuar dhimbjen e të tjerëve

Bazilika e Collemaggio-s - uroi Françesku - qoftë vend pajtimi, hiri, ku ne mund të “përjetojmë atë Hirin, që na ngre përsëri në këmbë dhe na jep  mundësi të tjera. Zoti ynë është Zoti i mundësive: sa herë, o Zot? Një herë, shtatë, shtatëdhjetë herë shtatë…? Është Zot, që të jep gjithmonë një mundësi tjetër”. Qoftë vendi i faljes, “jo vetëm një herë në vit, por gjithmonë, çdo ditë”, sepse “pikërisht përmes faljes së marrë dhe të dhënë”  ndërtohet paqja:

“Por kjo mund të bëhet duke u nisur nga mjerimi ynë dhe duke parë si arrihet falja, sepse edhe në mjerimin tonë do të gjejmë gjithmonë diçka të ndritshme, që është rruga për të shkuar te Zoti. Është Ai, që të ndriçon në mjerim”.

Fuqia e mëshirës së Zotit që hyn në mjerimin e jetëve sonë, e nxiti Papën të lërë mënjanë tekstin e të pohojë duke folur lirisht:

 “Sot në mëngjes, për shembull, mendova për këtë: kur mbërritëm në L'Aquila nuk mundëm të zbrisnim, sepse mjegull e dendur, krejt errësirë… Piloti i helikopterit u kthye, u kthye, u kthye, u kthye ... në fund pa një vrimë të vogël dhe u fut atje, doli mjeshtër. Dhe në mjerim mendova: e njëjta gjë ndodh me mjerimin, me mjerimin tonë. Sa herë, duke parë kush jemi, asgjë, më pak se asgjë, dhe kthehemi, kthehemi ... ndonjëherë Zoti bën një vrimë të vogël: ‘Hyrë atje, janë plagët e Zotit. Mëshira e Tij dhe mjerimi juaj. Aty është vrima që Zoti bën në mjerimin tënd, për të të lejuar të hysh’. Është mëshira që vjen në mjerimin tuaj, në timin, në mjerimin tonë”.

Atyre, që pas tërmetit përpiqen të ngrihen e të ngrihen përsëri në këmbë, Papa Françesku u jep një këshillë të veçantë, me vlerë për të gjithë:

“Ata që kanë vuajtur, duhet t’i vlerësojnë si thesar vuajtjet e tyre, duhet të kuptojnë se në errësirën e përjetuar, morën dhuratën për të kuptuar dhimbjen e të tjerëve. Mund ta ruash dhuratën e mëshirës, ​​sepse e di se çfarë do të thotë të humbasësh gjithçka, të shohësh duke u shembur çka u ndërtua, të lësh çka ishte më e dashur për ty, të ndjesh lotin e mungesës së atij, që e deshe me gjithë shpirt. Ju mund të jeni të mëshirshëm edhe pse e provuat mjerimin”.

Tërmetet e shpirtit

Gjithkush mund ta përjetojë në jetë tërmetin, atë “të shpirtit”, i cili sidoqoftë e bën ta kuptojë “brishtësinë, kufijtë, mjerimin e vet”. Gjithashtu në këtë rast njeriu mund të jetë humbës i madh, por, në vend që të zemërohet, mund të mësojë përulësinë dhe butësinë, “karakteristikat e atij që ka për detyrë ta ruajë dhe ta dëshmojë mëshirën:

“Po, sepse mëshira kur vjen tek ne, vjen me që ne e ruajmë, e edhe sepse mund të japim dëshmi për këtë mëshirë. Është dhuratë për mua mëshira, për mua të mjerin, por kjo mëshirë duhet t’u përcillet edhe të tjerëve, si dhuratë nga Zoti”.

Dhe nëse merrni rrugën e gabuar - këshilloi Papa Françesku - është një këmbanë që bie e ta bën të qartë: mendimi për të zënë vendin e parë:

“Shpesh herë njeriu mendon se vlen aq sa vendi që zë në këtë botë. Po njeriu nuk është vendi ku ulet! Është liria për të cilën është i aftë. Liria,  që duket plotësisht kur zë vendin e fundit, ose kur e ka një vend të lirë, në Kryq”.

Ungjilli, revolucion i lirisë shpirtërore

Jeta e të krishterit “nuk është karrierë sipas mendësisë së kësaj bote”, por  “sipas mënyrës së Zotit”, i cili erdhi “për të shërbyer dhe jo për t'u shërbyer”:

“Derisa nuk do të kuptojmë se revolucioni i Ungjillit është i tëri në këtë lloj lirie, do të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të luftërave, të dhunës dhe padrejtësive, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse simptoma e jashtme e mungesës së lirisë së brendshme. Aty ku nuk ka liri të brendshme, rrugëtojnë egoizmi, individualizmi, interesi, shtypja dhe gjithë këto mjerime. Atëhere mjerimet e marrin në dorë komanden”.

28 gusht 2022, 12:38