Kërko

Logoja e vizitës së Papës në Kazakistan Logoja e vizitës së Papës në Kazakistan 

“Lajmëtarë të paqes e të bashkimit”, motoja e udhëtimit të Papës në Kazakistan

Salla e Shtypit e Vatikanit publikoi logon dhe moton e vizitës së Papës në vendin e Azisë Qendrore nga 13 deri më 15 shtator. Një pëllumb me degë ulliri simbolizon paqen, e cila së bashku me unitetin do të jenë temat qendrore të shtegtimit papnor

R.SH. – Vatikan

         Kongresi i shtatë i krerëve të Feve Botërore dhe Tradicionale, që do të mbahet në Nur-Sultan, kryeqyteti i Kazakistanit, më 14 dhe 15 shtator, është arsyeja e udhëtimit të ardhshëm apostolik ndërkombëtar të Papës Françesku, i cili do të niset më 13 shtator drejt vendit të Azisë Qendrore. Sot, Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të ditur moton e shtegtimit: “Lajmëtarë të paqes dhe të bashkimit”. Ajo publikon edhe logon zyrtare, shoqëruar  me një përshkrim të hollësishëm.

Kuptimi i Logo-s

         Në qendër të Logo-s shihet një pëllumb me një degë ulliri. “Flatrat - lexohet në përshkrim - përfaqësohen nga dy duar të bashkuara, që simbolizojnë ato të lajmëtarëve të paqes dhe të bashkimit. Zemra, brenda flatrave, përfaqëson dashurinë, fryt i mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe dialogut”. Dega e stilizuar e ullirit përfaqësohet nga “një imazh dekorativ tipik kazak”.

“Në sfondin e figurës - vazhdon deklarata - një ‘shanyrak’ bojë qielli, element i banesës tradicionale të popullit kazak, ‘yurta’ e, brenda saj, një kryq i verdhë. Ngjyrat e përdorura, bojë qielli dhe e verdha janë ngjyrat e flamurit të Kazakistanit; e verdha dhe e bardha, ato të flamurit të Vatikanit. E gjelbra e degës simbolizon shpresën. Motoja e udhëtimit, ‘Lajmëtarë të paqes dhe të bashkimit’, është vendosur në krye, lart, në gjuhën kazake, ndërsa poshtë, në rusisht”.

Përmbledhtas, programi i udhëtimit

Papa Françesku do të kalojë tri ditë intensive në kryeqytetin Nur Sultan, nën shenjën e dialogut ndërmjet feve: më 13 shtator, mbërritja në aeroport për pritjen zyrtare në orën 17.45 me orën lokale, pas më se 6 orë fluturimi me avion. Ceremonia e mirëseardhjes do të pasohet nga një vizitë kortezie tek presidenti i Republikës, Kasim-Jomart Tokayev dhe nga një takim me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Dita e mërkurë, 14 shtator do të nisë me një çast lutjeje në heshtje, në Pallatin e Paqes dhe Pajtimit, së bashku me krerët fetarë pjesëmarrës në Kongres. Papa Françesku do të flasë në hapje të veprimtarive, ndërsa pasdite, do të kremtojë meshën në sheshin Expo. Të nesërmen, Ati i Shenjtë do të takohet privatisht me bashkëvëllezërit e Shoqërisë së Jezusit, pas të cilëve do të bisedojë me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe punonjësit baritorë. Fjalimin e fundit të këtij udhëtimi Françesku do ta mbajë në Pallatin e Paqes dhe Pajtimit, ku në orët e para të pasdites do të lexohet Deklarata Përfundimtare e Kongresit. Nisja për në Romë parashikohet për orën 16.45, ndërsa mbërritja, në orën 20.15.

23 gusht 2022, 12:51