Kërko

Papa Françesku, në kthim nga Kanadaja Papa Françesku, në kthim nga Kanadaja

Papa Françesku do të shkojë në Kazakistan, në shtator

Udhëtimi i 38-të apostolik ndërkombëtar i Papës Françesku do jetë në Kazakistan, në mes të shtatorit. Ati i Shenjtë, njoftoi Salla e Shtypit e Vatikanit, do të vizitojë qytetin Nur-Sultan me rastin e Kongresit VII të krerëve të Feve Botërore e Tradicionale

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku do të vizitojë Kazakistanin në shtator. Në një deklaratë, ditën e sotme (1 gusht), Matteo Bruni, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë njoftoi: “Duke pranuar ftesën e autoriteteve civile dhe kishtare, Papa Françesku do të shkojë në udhëtimin apostolik të lajmëruar tashmë në Kazakistan, nga data 13 deri më 15 shtatorin e këtij viti. Do të vizitojë qytetin Nur-Sultan, me rastin e Kongresit VII të krerëve të Feve Botërore e Tradicionale”.

         Kongresi, pra, mbahet në kryeqytetin e Kazakistanit. Tema e këtij viti është “Roli i udhëheqësve të feve botërore dhe tradicionale në zhvillimin shoqëroro-shpirtëror të njerëzimit pas pandemisë”. Çdo tre vjet, ky takim mbledh delegacione nga të pesë kontinentet, që diskutojnë mbi rolin, që mund të kenë fetë në zgjidhjen e problemeve shoqërore të globit.

Kongresi i parë, më 2003

         Mbajtja e këtyre kongreseve filloi në vitin 2003, me nismën e ish-presidentit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev. Ai u frymëzua nga Dita e Lutjes për Paqen, themeluar nga Papa shenjt Gjon Pali II, në vitin 1986, në Asizi të Italisë, ku u mblodhën e vijojnë të mblidhen krerë fetarë dhe civilë për të promovuar dialogun ndërfetar, paqen dhe harmoninë ndërmjet njerëzve. “Fryma e Asizit” është kthyer në traditë, nga e cila marrin jetë takime të përvitshme në qytete të ndryshme të Evropës.

Nur-Sulltan (Kazakistan)
Nur-Sulltan (Kazakistan)

Interesi i vazhdueshëm i Papës për vizitën

         Në fillim të prillit, Papa foli për këtë udhëtim të mundshëm gjatë një bisede on line me presidentin kazak Kassym-Jomart Tokayev. Në avionin e kthimit nga shtegtimi i tij apostolik në Kanada, Papa e përsëriti shpresën e tij për të shkuar:

“Tani për tani – u tha gazetarëve - unë do të doja të shkoja në Kazakistan. Ky nuk do të ishte një udhëtim shumë i vështirë”, ngaqë nuk është fjala për të shkuar nga një vend në tjetrin, por për të marrë pjesë në një kongres. E Papës, që lëviz me karrige me rrota, për shkak të dhimbjes në gju, i duket një impenjim i përballueshëm.

Udhëtimi i Gjon Palit II në Kazakistan e Armeni
Udhëtimi i Gjon Palit II në Kazakistan e Armeni

Disa të dhëna për Kazakistanin

         Kazakistani fitoi pavarësinë nga ish-Bashkimi Sovjetik më 16 dhjetor 1991. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, vendi përbëhet nga së paku 70% myslimanë dhe rreth 25% të krishterë, nga të cilët më pak se 1% janë katolikë. Shën Gjon Pali II ishte Papa i parë, që vizitoi Kazakistanin, nga 22 deri më 25 shtator 2001, me moton “Duajeni njëri-tjetrin”.

01 gusht 2022, 12:57