Dhurata e Papës për viktimat e përmbytjeve të Pakistanit
R.SH. - Vatikan
Pamjet e shkatërrimeve shkaktuar nga përmbytjet, të cilat vijojnë në Pakistan që nga qershori, nuk mund të na lënë indiferentë. Prandaj Papa Françesku, nëpërmjet bamirësisë apostolike, i dhuroi 100 mijë dollarë vendit që numëron të vdekurit, deri tani rreth 1300 viktima. Lajmin e dha, për Vatican News, lëmoshtari i Papës, Kardinali Konrad Krajewski.
Në Pakistan situata mbetet e rëndë. Qindra mijëra njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa dëmi llogaritet të jetë rreth 10 miliardë dollarë e jeta tronditet në themel për gati 33 milionë njerëz, në gjirin e një popullsie prej 220 milionë banorësh. Përmbytjet u shkaktuan nga shirat e vazhdueshme të musonit dhe shkrirja e akullnajave në malet veriore. Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për më shumë se 6.4 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë në zonat e përmbytura. OKB-ja i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të mbledhur 160 milionë dollarë, ndërsa në vend do të arrijë për vizitë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili do të vizitojë kryesisht zonat e prekura.
“Shkatërrim i paparë! E janë më të varfërit që paguajnë haraçin”- këto, fjalët që theksoi Kardinali Joseph Coutts, kryeipeshkëv nderi i Karaçit, javët e fundit në Romë, në takimin e Papës me kardinajtë e botës për reformën e Kuries. Kardinali kujtoi edhe afërsinë e Françeskut me vendin e përmbytur tragjikisht i cili, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, shprehu solidaritetin e tij me popullin e Pakistanit, duke kërkuar një përgjigje të shpejtë dhe bujare.