Dita e dytë e vizitës së Papës Françesku në Kazakistan
R.SH. - Vatikan
Pak orë pasi mbërriti në tokën kazake dhe pasi u bëri thirrje autoriteteve të mbrojnë lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut, Papa Françesku – së bashku me krerë të njohur fetarë, mbledhur për Kongresin VII të Udhëheqësve të Feve Botërore dhe Tradicionale në Nur-Sultan - bëri thirrje për paqe dhe pajtim në një botë të tronditur nga lufta.
Dita e dytë e shtegtimit të 38-të apostolik të Atit të Shenjtë në Kazakistan, vendi i 57-të i vizituar nga Françesku, pati në sfond luftën në Ukrainë. Gjatë fjalimit të tij në hapjen e Kongresit, Ati i Shenjtë vuri në dukje pikërisht rolin e feve në botën pas pandemisë, së cilës i duhet tani t’u bëjë ballë edhe pasojave të konfliktit Moskë-Kiev. Pas seancës së parë të Kongresit, Papa mori pjesë në një lutje private me përfaqësuesit e feve të tjera. Iu kushtua mjaft kohë edhe takimeve dypalëshe të Atit të Shenjtë me krerët e ndryshëm fetarë.
Kujtojmë se Papa shkoi në Kazakistan si “shtegtar i paqes”, për një vizitë të përqendruar mbi paqen, bashkimin dhe dialogun ndërfetar. Pikërisht sot, ai u kushton një takim të shumëpritur katolikëve të vendit, që përbëjnë vetëm 1% të popullsisë 19 milionëshe kazake. Gjatë meshës, që do të kremtojë në sheshin modern Expo të kryeqytetit, ai do t’u kujtojë atyre dhe gjithë katolikëve, që kanë ardhur për ta takuar nga vende të tjera të Azisë Qendrore, qëndresën gjatë persekutimit komunist, deri në fitimin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, por edhe do t’i nxisë ta shohin të ardhmen me shpresë e besim në Zotin. Dita e sotme (14 shtator) e Papës përfundon në nunciaturën apostolike, vend ku Ati i Shenjtë qëndron zakonisht gjatë udhëtimeve të tij.