1664091469007.JPG

Françesku: Eukaristia është profeci e një bote të re: nga egoizmi, tek dashuria

“Kush e adhuron Zotin nuk bëhet skllav i askujt. Nuk mund të ketë kult të vërtetë eukaristik, pa mëshirë para plagëve të njeriut, që vuan”. Kështu u shpreh sot Papa Françesku në homelinë e Meshës, në përfundim të Kongresit të 27-të Eukaristik Kombëtar, kremtuar në Stadiumin Komunal XXI Shtatori. Për shkak të kohës së keqe, Papa nuk mundi të niset nga Heliporti i Vatikanit, por nga Aeroporti Ciampino. Si zbriti në Gioia del Colle, u nis me auto drejt Materës. Në përfundim të kremtimit, rikthimi

R. SH. - Vatikan

Françesku ishte sot për vizitë baritore në Matera, në përfundim  të Kongresit të 27-të Eukarisitk Kombëtar. E priste një turmë e pafundme besimtarësh! E Papa e nisi homelinë pikërisht me përshkrimin e turmës, që mblidhet rreth sofrës së Zotit, i cili bëhet bukë për ne: “Bukë feste në sofrën e bijve, që ndahet bashkërisht, forcon lidhjet, ka shijen e bashkimit” - fjalë këto shkëputur nga Himni i Kongresit XVII Eukaristik Kombëtar Italian.

Shembëlltyra e trishtë të pasurit e të varfërit

 Por - theksoi menjëherë pas Papa - Ungjilli që sapo dëgjuam na kujton se në sofrën e botës buka nuk ndahet gjithnjë me drejtësi, bashkarisht!  E për ta shpjeguar më qartë këtë mendim, u ndalua tek skena dramatike e përshkruar nga Jezusi në shëmbëlltyrën ku nga njëra anë shikojmë të pasurin, veshur me purpur - nga ana tjetër, të varfërin që shtrihet rrëzë portës, duke shpresuar se nga sofra e begatë do të bjerë ndonjë thërrime buke për t’ia shuar urinë, që po e grin:

“E përballë kësaj kontradikte, nuk mund të mos pyesim: për çka na fton sakramenti i Eukaristisë, gurrë e kulm i jetës së të krishterit?”.

Përparësia e Zotit

Para së gjithash, Eukaristia na kujton përparësinë e Zotit. Njeriu i pasur në shëmbëlltyrë nuk mendon për Zotin! Çka ka rëndësi për të është vetëm mirëqenia, shijimi i jetës me fund - kujtoi Papa - për ta vijuar homelinë duke pikturuar portretin e pasanikut:

 “Ai kënaqet me vetveten, adhuron pasurinë e kësaj bote, mbyllet në botën e tij të vogël. Dehet nga paratë, shtanget nga panairi i kotësisë. Në jetën e tij nuk ka vend për Zotin, sepse adhuron veç vetveten. Nuk është për t'u habitur që emri i tij nuk përmendet: e quajmë ‘i pasur’, vetëm me një epitet, sepse tashmë e ka humbur emrin e quhet thjesht pasaniku”

I trishtuar, ky realitet edhe sot, kur ngatërrojmë kush jemi - me atë që kemi, kur i gjykojmë njerëzit nga pasuria, nga titujt, nga rolet që luajnë apo nga marka e rrobes që veshin. Ky është pasaniku - kujton Papa - që e vijoi homelinë duke pikturuar edhe portetin e tjetrit, atij që shtrihet plot plagë te pragu i derës së kamur:

 “…   varfanjaku, i shtrirë në prag të derës e  ka një emër, Lazarus, që do të thotë ‘Zoti të ndihmon’. Edhe në gjendjen e varfërisë dhe të braktisjes, ai mund ta ruajë të paprekur dinjitetin e tij, sepse jeton në marrëdhënie me Zotin, në emrin e tij ka diçka nga Zoti, e Zoti është shpresa e palëkundur e jetës së tij”.

Sfida e Eukaristisë: dashuri ndaj Zotit

Kjo, sfida e përhershme që Eukaristia i ofron jetës sonë:

“Të adhurojmë Zotin, jo veten. Ta vendosim Atë në qendër, jo kotësinë e vetvetes. Sepse vetëm Zoti është Perëndi dhe çdo gjë tjetër është dhuratë e dashurisë së Tij e sepse, po të adhurojmë veten, na zë frymën vetja jonë e vogël; e nëse i adhurojmë pasuritë e kësaj bote, ato na pushtojnë e na robërojnë; nëse adhurojmë zotin e paraqitjes dhe dehemi nga shpërdorimet, herët a vonë vetë jeta do të na kërkojë faturën”.

Ky, porteti i të pasurit, që adhuron kamjen. Nga  ana tjetër, kur adhurojmë Zotin Jezus të pranishëm në Eukaristi, e shikojmë me sy të rinj jetën tonë - kujtoi në vijim Papa - për t’u drejtuar të gjithë besimtarëve ftesën “Ta rizbulojmë lutjen e adhurimit: ajo na çliron dhe na rikthen dinjitetin e bijve!”.

Eukaristia, dashuri ndaj vëllezërve

Përveç përparësisë së Zotit, Eukaristia na bën thirrje edhe për dashurinë ndaj vëllezërve. Krishti ofron vetveten, thyen për ne bukën dhe kërkon të bëjmë të njëjtën gjë, që jeta jonë të bëhet grurë i bluar, bukë që ushqen vëllezërit tanë. Pasaniku i Ungjillit dështon në këtë detyrë; ai jeton në bollëk, i shurdhër për klithmën e heshtur të Lazrit të gjorë,  varfanjakut që shtrihet i rraskapitur në prag të portës së tij.

Vetëm kur Zoti ia përmbys fatin, e vëren Lazrin dhe e kërkon prej tij shpëtimin. Por merr nga Abrahami përgjigjen: “Me nesh e teje është një humnerë e madhe” (Lk 16:26). E kish gërmuar ai vetë gjatë jetës së tij tokësore ndërmjet tij dhe Lazrit, ku edhe mbeti. Duke harruar se e ardhmja jonë e përjetshme varet pikërisht nga jeta e tanishme: nëse gërmojmë tani  humnera për vëllezërit, ne “gërmojmë varrin” tonë; nëse ngremë mure kundër vëllezërve tanë tani, mbetemi, më pas, të burgosur në vetminë e vdekjes!

Shembëlltyra ungjillore, histori e ditëve tona

E dhimbshme të mendosh se kjo shëmbëlltyrë është edhe histori e ditëve tona: padrejtësitë, pabarazitë, burimet e tokës të shpërndara në mënyrë të pabarabartë, abuzimet e të fuqishmit kundër të ligshtit, indiferenca ndaj britmës së të varfërve, humnera që gërmojmë çdo ditë duke krijuar mënjanime, nuk mund të na lërë indiferentë:

“Kështu sot, së bashku, e kuptojmë se Eukaristia është profeci e një bote të re, prani e Jezusit, që kërkon të angazhohemi në mënyrë që të bëjmë kthesë të vërtetë: nga indiferenca, në dhembshuri; nga shpërdorimi, në ndarje; nga egoizmi, në dashuri; nga individualizmi, në vëllazërim”.

Ëndrra jonë: Kisha eukaristike

Ne ëndërrojmë një Kishë si kjo: Eukaristike.

“Me burra e gra, të cilët thyhen si buka për të gjithë ata që përtypin vetminë dhe varfërinë, për ata që janë të uritur për butësi dhe dhembshuri, për ata që u shkërmoqet jeta, sepse u mungoi tharmi i mirë i shpresës. Një Kishë që gjunjëzohet përpara Eukaristisë dhe adhuron me mahnitje Zotin e pranishëm në bukë; por që di edhe të përkulet me dhembshuri para plagëve të atyre që vuajnë, duke lehtësuar të varfërit, duke terë lotët e atyre që qajnë, duke u bërë bukë shprese dhe gëzimi për të gjithë. Sepse nuk ka adhurim të vërtetë eukaristik pa dhembshuri për "Lazrat" e shumtë që edhe sot ecin pranë nesh”.

Thirrja e Papës: të kthehemi te Jezusi

Në përfundim të homelisë kaq prekëse, thirrja e Papës drejtuar të gjithë  burrave e grave, që e ndiqnin nga të katër anët e botës:

“Vëllezër, motra, nga ky qytet i Matera-s, ‘qytet i bukës", të kthehemi te Jezusi, të kthehemi tek Eukaristia. Tek shija e bukës, sepse ndërsa jemi të uritur për dashuri dhe shpresë, a të thyer nga mundimet dhe vuajtjet e jetës, Jezusi bëhet ushqim, na shujton, na shëron”.

Le të rikthehemi tek shija e bukës, sepse ndërsa padrejtësitë dhe diskriminimi ndaj të varfërve vazhdojnë në botë, Jezusi na jep Bukën e ndarjes dhe na dërgon çdo ditë si apostuj të vëllazërimit, të drejtësisë dhe të paqes. Le të kthehemi te shija e bukës, për të qenë Kishë Eukaristike, që e vë Jezusin në qendër dhe bëhet bukë butësie e mëshire për të gjithë. Të kthehemi te shija e bukës, për të kujtuar se, ndërsa jeta jonë tokësore shuhet, Eukaristia parashikon premtimin e ringjalljes dhe na prin drejt jetës së re, që e mund vdekjen.

E kur shpresa të na shuhet dhe ta ndjejmë vetminë e zemrës, lodhjen e shpirtit, mundimin e mëkatit, frikën nga e ardhmja e panjohur, të kthehemi sërish te shija e bukës:

“Të kthehemi te Jezusi, ta adhurojmë Jezusin, ta mirëpresim Jezusin, sepse Ai e mund vdekjen dhe e përtërin gjithnjë jetën tonë”.

25 shtator 2022, 11:01