Kërko

Takim i Papës me anëtarët e Deloitte Global Takim i Papës me anëtarët e Deloitte Global

Françesku: që prej 15 vitesh, bota në krizë të rëndë. Duhet përfshirje, përkujdesje, thjeshtësi

Papa pret në audiencë anëtarët e Deloitte Global, firmë ndërkombëtare konsulence. “Bëhuni këshilltarë të gjithanshëm për të bashkëpunuar në riorientimin e mënyrës së qëndrimit në këtë planet të sëmurë nga klima dhe pabarazitë”. Kjo, ftesa e Papës, i cili nënvizoi: “Nuk ka fitim të ligjshëm nëse nuk ekziston opcioni për të varfërit dhe natyrën”. Përmendi edhe shën Palin VI: “Emri i ri i paqes është drejtësi shoqërore”

R.SH. – Vatikan

 Recesioni i madh i vitit 2007, borxhi sovran, Covid, lufta në Ukrainë, kërcënimet globale. E, ndërkohë: konfliktet “mizore” në mbarë botën, shpërthimi i fenomenit migrator, ndryshimet klimatike, varfëria endemike, sepse vitet e fundit, “ndërsa një pjesë e burrave dhe grave përmirësonin jetën e tyre të përditshme, një pjesë tjetër vuante mbi shpinë vendime pa skrupuj, duke u bërë viktima kryesore e një lloj kundërzhvillimi”.

Është analiza e qartë, por e ashpër, e realitetit të pesëmbëdhjetë viteve të fundit e Papa Françesku nuk heziton ta paraqesë në fjalën për Deloitte Global, një firmë konsulence ndërkombëtare me qendër në Londër, anëtarët e së cilës u pritën sot paradite në Pallatin Apostolik. E pranishme, një përfaqësi e rreth 350.000 punonjësve, që “në çdo orë të ditës” punojnë për t’u dhënë këshilla dhe ndihmë organizatave e institucioneve të ndryshme. “Përgjegjësi e madhe!”, vërejti Françesku, i cili u kërkoi të jenë “konsulentë të gjithanshëm për të bashkëpunuar në riorientimin e mënyrës së qëndrimit në këtë planet, të sëmurë nga klima dhe pabarazitë”.

Botë që vuan

“Njerëzimi është i globalizuar dhe i ndërlidhur, por varfëria, padrejtësia dhe pabarazitë mbeten”, nënvizoi Papa.

“Sot, bota vuan nga keqësimi i kushteve mjedisore; shumë popullsi a grupe shoqërore jetojnë në mënyrë jo dinjitoze në planin e ushqimit, shëndetit, arsimit dhe të drejtave të tjera themelore”.

Lini një shenjë në botë

Për ta ndryshuar këtë gjendje, Ati i Shenjtë propozoi tri rrugë. Së pari, u tha përfaqësuesve të Deloitte Global, ju që orientoni vendimet, ndikoni mbi kriteret e vlerësoni përparësitë e firmave, të ndërmarrjeve, të organizmave të ndryshme e deri të qeverive, duhet të jeni të vetëdijshëm se “mund të lini një shenjë” në këtë botë. Pyeteni veten se ç’shoqëri dëshironi t’u lini bijve e nipave tuaj, theksoi Papa.

“Njohuritë, përvoja, kompetencat dhe gjerësia e rrjetit të marrëdhënieve tuaja përbëjnë një trashëgimi të jashtëzakonshme jomateriale, që i ndihmon sipërmarrësit, bankierët, administratorët privatë e publikë të kuptojnë kuadrin e përgjithshëm, të imagjinojnë të ardhmen dhe të marrin vendime. Pra, ndihmojini t’i kenë njohuritë për t’i ndihmuar të marrin vendime”.

Këndvështrim ungjillor për ekonominë e shoqërinë

Së dyti, Ati i Shenjtë u sugjeroi ekonomistëve ta ndiejnë përgjegjësinë për kulturën, që krijohet me vendimet e propozuara prej tyre. Përgjigjet profesionale duhet të jenë koherente me këndvështrimin ungjillor të ekonomisë e të shoqërisë, me antropologjinë dhe etikën.

“Kulturat e ndryshme, që kanë prodhuar pasuri në shekuj, duhet të ruhen që bota të mos varfërohet. E kjo, pa harruar të nxiten që, nga takimi i tyre me realitete të tjera, të dalë në dritë diçka e re”.

Të vlerësohen ndryshimet

Këshilla e tretë e Papës Françesku ishte vlerësimi i ndryshimeve. Institucionet, ndërmarrjet, bankat, shoqatat e lëvizjet, vërejti Ati i Shenjtë, nëse administrohen me ndershmëri, kanë të drejtë ta ruajnë identitetin e tyre, duke krijuar kështu një lloj “biolarmie sipërmarrësish”, që është e shëndetshme për ekonominë e për njerëzimin, i cili, pas krizës së vitit 2007, ka vijuar të kalojë probleme të tjera, deri te pandemia e lufta e sotme.

Emri i ri i paqes është drejtësi shoqërore

Këto probleme kanë shkaktuar shumë pabarazi, prandaj, siç thoshte Papa shenjt Pali VI, “emri i ri i paqes është drejtësi shoqërore”. Edhe këshilltarët e Deloitte Global mund të kontribuojnë për arritjen e kësaj drejtësie, duke pasur një vështrim të gjithanshëm mbi çdo çështje, që nga puna dinjitoze tek kujdesi për shtëpinë e përbashkët, tek vlera ekonomike e shoqërore dhe ndikimi pozitiv i çdo vendimi mbi bashkësitë e ndryshme. Puna e tyre është të propozojnë rrugë të reja për sfidat e sotme, duke pasur parasysh lidhjet dhe ndërvarjen e botës e të problemeve të saj.

“Në fakt, asnjë fitim nuk është i ligjshëm kur mungon horizonti i promovimit të gjithanshëm të njeriut, i destinacionit universal të të mirave, i opcionit preferencial për të varfërit dhe i kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët”.

Papa Françesku uroi të ndërtohet “ajo urë e nevojshme ndërmjet paradigmës aktuale ekonomike, bazuar në konsumin e tepruar, që po përjeton fazën e saj të fundit, me paradigmën që po përvijohet, paradigmë e bazuar mbi përfshirjen, thjeshtësinë, kujdesin dhe mirëqenien”.

22 shtator 2022, 14:41