Në Engjëllin e Tënzot, kujtimi i motrës Maria De Coppi, vrarë në Mozambik
R. SH. - Vatikan
Françesku, pas lutjes mariane, nënvizoi se rregulltarja komboniane i shërbeu për gati gjashtëdhjetë vjet popullit të vendit afrikan. E më pas, i drejtoi një përshëndetje të veçantë Popullit të Etiopisë, që “sot kremton Vitin e Ri tradicional”.
Lamtumira e fundit motrës Maria
Varrimi i motrës Maria De Coppi u bë në Mozambik më 9 shtator. Kryeipeshkvi i Napulës, Imzot Inácio Saure, para arkivolit të së Ndjerës, kujtoi fjalët e profetit Ezekiel: “U ktheftë në rrugën e fesë e rroftë mëkatari”. Bashkësia komboniane e Chipene, në veri të vendit, u sulmua natën ndërmjet 6 dhe 7 shtatorit nga një grup i armatosur. Motra Maria De Coppi, 84 vjeçe, me origjinë veneciane, në vendin afrikan që nga viti 1963, u vra nga një armë zjarri. Dy motrat e tjera të bashkësisë dhe dy priftërinj fidei donum mundën të iknin e të shpëtonin.
Përshëndetja e Papës për popullin e Etiopisë
Françesku i drejtoi “një përshëndetje të veçantë popullit të dashur të Etiopisë, që sot feston Vitin e Ri tradicional”:
“Ju siguroj për lutjet e mia dhe i uroj çdo familjeje dhe mbarë kombit - tha Ati i Shenjtë - dhuratën e paqes dhe të pajtimit”.
Ndërmjet thatësirës dhe armëve
Në veri të Etiopisë ka ende përleshje. Që nga nëntori 2020 vijon konflikti i përgjakshëm ndërmjet Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPFL) dhe forcave qeveritare. Një konflikt që - siç thekson edhe L’Osservatore Romano - thellon më tej krizën humanitare në vendin, tashmë të tronditur nga thatësira kronike dhe mungesa e të korrave. Llogaritet se të paktën 7 milionë fëmijë etiopë kanë nevojë për ndihmë. Konflikti në rajonin Tigray, me armëpushimin gjithnjë e më të pasigurt në mars, është një nga tragjeditë, që vijojnë në vend: ditët e fundit u bombardua një azil në Makallè, duke shkaktuar viktima të shumta.