Kërko

Pritja zyrtare e Papës në Kazakistan Pritja zyrtare e Papës në Kazakistan 

Papa Françesku mbërriti në Kazakistan

Ati i Shenjtë Françesku mbërriti në Nur Sultan, kryeqytet i Kazakistanit, në udhëtimin e tij të 38-të apostolik. Takohet me presidentin e Republikës. Gjatë fluturimit me avion u uroi punë të mbarë gazetarëve dhe iu përgjigj një pyetjeje për Kinën, duke u treguar i gatshëm të shkojë në këtë vend

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku mbërriti në Kazakistan, ku do të qëndrojë për tri ditë në kryeqytetin Nur-Sultan, për të marrë pjesë në Kongresin e Krerëve të Feve Botërore e Tradicionale. Avioni mbërriti rreth orës 13.20, pasi ishte nisur nga aeroporti i Romës, Fiumicino, në orën 7.36. Tashmë, ka filluar takimi i tij me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik në Qazaq Concert Hall, pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe vizitës së kortezisë tek presidenti Kassym-Jomart K. Tokayev.

Françesku: jam gati të shkoj në Kinë

Gjatë fluturimit, Papa u paraqit i buzëqeshur para gazetarëve, duke ecur me shkop e duke i përshëndetur një për një, siç bën zakonisht. “Faleminderit për ndihmën tuaj”, u tha atyre. Iu përgjigj edhe pyetjes së korrespondentit të “La Croix”, duke përsëritur dëshirën e tij për të udhëtuar në Kinë. Kujtojmë se këto ditë ndodhet në kryeqytetin kazak edhe presidenti kinez Xi Jinping, gjë që i bëri të mendojnë gazetarët se mund të ketë ndonjë takim ndërmjet tij dhe Atit të Shenjtë, deri tani, i paparashikuar nga programi.

Takimi me presidentin Kassym-Jomart Tokayev

Për të arritur në Nur Sultan, Papa Françesku udhëtoi me avion për rreth gjashtë orë e gjysmë, duke kaluar mbi Itali, Kroaci, Bosnjë, Serbi/Mali i Zi, Bullgari, Turqi, Gjeorgji dhe Azerbajxhan. Të gjithëve, sipas traditës, u dërgoi një telegram me lutje për kombin.

Sapo mbërriti në Nur Sultan, zbriti nga avioni, u çua menjëherë në dhomën e pritjes, ku dy të rinj me veshje tradicionale i ofruan lule. Më pas, Papa Françesku dhe presidenti Kassym-Jomart Tokayev patën një takim të shkurtër në sallën Vip. Presidenti e priti Papën në pallatin Ak Orda, ku ndodhen zyrat e tij të punës, pas nderimit të Gardës e paraqitjes së delegacioneve.

13 shtator 2022, 15:38