Kërko

Papa në Asizi: duhet një ekonomi e re, që i dëgjon britmat e të varfërve e të tokës

Aftësi për ta vënë në dyshim modelin aktual të zhvillimit: këtë pret Papa Françesku nga ekonomistët dhe sipërmarrësit e rinj, të mbledhur sot në Asizi nga më shumë se 100 vende, për takimin e parë, në prani, të Ekonomisë së Françeskut. Situata aktuale botërore kërkon paradigma të reja ekonomike, që i vënë të varfërit, mjedisin dhe punën në qendër të jetës. Idealet dhe vlerat tuaja duhet të gjejnë konkretësi e të bëhen “korp”, këshilloi Françesku.

R.SH. – Vatikan

Kujdesi për të varfrit, ruajtja e kapitalit shpirtëror të shoqërisë, mbrotja e punëtorëve: të gjitha, karakteristika të një ekonomie të re, që Papa Françesku ua kërkoi dje të rinjve në Asizi, mbledhur për takimin e tretë të “The Economy of Francesco”. Ati i Shenjtë shkoi në qytetin e Shën Françeskut në fund të tri ditëve, gjatë të cilave ekonomistët e rinj, administratorët dhe ekspertët nga të gjitha anët e botës diskutuan për rrugët e mënyrat e ndryshimit të paradigmës aktuale ekonomike, bazuar mbi fitimin e konsumin.

Papa Françesku u dha vërtet këshilla të rinjve, por sidomos u shprehu besimin e tij në ta, sigurinë se ata do ta ndryshojnë sistemin tejet të ndërlikuar të ekonomisë botërore. “Ju të rinj, me ndihmën e Zotit, dini ta bëni, mund ta bëni – u tha Ati i Shenjtë, pasi dëgjoi dëshmitë e tetë prej tyre, në teatrin Lyrick të Asizit – të rinjtë e kanë bërë këtë edhe herë të tjera në histori”. Papa pranoi se gjendja aktuale, që duhet të përballojnë, nuk është e lehtë:

“Brezi ynë ju ka lënë trashëgim shumë pasuri, por nuk ditëm ta ruajmë planetin dhe nuk po e ruajmë as paqen. Ju jeni të thirrur të bëheni artizanë e ndërtues të shtëpisë së përbashkët, një shtëpi e përbashkët, që ‘po rrënohet’”.

Papa përmendi Shën Françeskun e Asizit, jetën e tij, që u shndërrua në profeci, pasi tregtari i dikurshëm u kthye në udhën e Zotit. Në Bibël, shpesh, të rinjtë janë protagonistë të profecive e sipas Shkrimit Shenjt, ata janë “bartës të frymës së shkencës e të inteligjencës”. Prandaj, të rinjtë kanë rëndësi të madhe për bashkësinë njerëzore, pasi “kur bashkësisë civile dhe ndërmarrjeve u mungojnë aftësitë e të rinjve, e gjithë shoqëria vyshket, jeta e të gjithëve shuhet. Mungon krijimtaria, mungon optimizmi, mungon entuziazmi. Shoqëria dhe ekonomia pa të rinj, janë të trishtë, pesimistë, cinikë”. Të rinjtë, nënvizoi Papa, janë shpirti e profecia e shoqërisë, të aftë ta ndryshojnë këndvështrimin e njerëzimit mbi ambientin dhe tokën. Nuk mjafton të bëhet pak retush aty-këtu, nguli këmbë Ati i Shenjtë.

“Duhet të vëmë në diskutim modelin e zhvillimit. Situata është e tillë, që na nxit të mos presim thjesht Takimin e ardhshëm ndërkombëtar: toka digjet sot e sot duhet të ndryshojmë, në të gjitha nivelet”.

Ekonomia e bimëve

Papa vuri në dukje se gjatë vitit të fundit, të rinjtë e “The Economy of Francesco” kanë ndjekur të ashtuquajturën “ekonomia e bimëve”. Është fjala për një paradigmë, që merr si shembull bimët, të cilat dinë të bashkëpunojnë me ambientin, që i rrethon. Duhet të mësojmë prej tyre, këshilloi Ati i Shenjtë, duke kritikuar sistemin ekonomik të Nëntëqindës, shekull, gjatë të cilit, njerëzimi e ka shfrytëzuar natyrën e tokën pa kriter:

“Shpesh, e kemi plaçkitur për të shtuar mirëqënien personale, por jo mirëqënien e të gjithëve. Kjo është koha për një guxim të ri në braktisjen e burimeve fosile të energjisë, në shpejtimin e zhvillimit të burimeve me ndikim zero, ose pozitiv” mbi ambientin.

Të dëgjohet britma e të varfërve

Sipas parimit etik universal, nënvizoi Papa, dëmet duhen riparuar. Jemi rritur duke abuzuar me planetin e me atmosferën, por tani duhet të mësojmë të jetojmë edhe me sakrifica. Përndryshe, brezat e ardhshëm do t’i paguajnë shtrenjtë vendimet tona. Françesku u bëri thirrje të rinjve ta ndihmojnë botën për një ndryshim të shpejtë e të vendosur. “Kam besim në ju! Mos na lini të qetë e bëhuni shembull për ne!”, kërkoi Ati i Shenjtë, duke paralajmëruar se një ambient i qëndrueshëm është realitet shumëpërmasor, që përfshin edhe aspektet shoqërore, relacionale dhe shpirtërore. Prandaj, kur punohet për shndërrime ekologjike, duhen pasur parasysh sidomos pasojat për të varfërit.

“Jo të gjitha zgjidhjet mjedisore kanë të njëjtat pasoja për më të varfërit, prandaj, duhet të parapëlqehen ato, që pakësojnë mjerimin dhe pabarazitë. Ndërsa përpiqemi të shpëtojmë planetin, nuk mund të harrojmë burrat dhe gratë, që vuajnë. Ndotja që vret nuk vjen vetëm nga dioksidi i karbonit, por edhe nga pabarazia, që e ndot për vdekje planetin tonë. Nuk mund të lejojmë që fatkeqësitë e reja natyrore të fshijnë nga opinioni publik fatkeqësitë e lashta dhe gjithnjë të pranishme të padrejtësisë shoqërore”.

Pasuria e marrëdhënieve njerëzore dhe ajo shpirtërore

Papa Françesku denoncoi varfërimin e marrëdhënieve njerëzore, sidomos në Perëndim, krizën e familjes, konsumizmin, që, pavarësisht se na mbush me mallra, na bën gjithnjë e më pak të lumtur. Denoncoi edhe paqëndrueshmërinë shpirtërore të kapitalizmit.

“Kapitali i parë i çdo shoqërie është ai shpirtëror, sepse është ai, që na jep arsyet për t’u zgjuar çdo ditë dhe për të shkuar në punë, bën të lindë gëzimi i të jetuarit, që është i nevojshëm edhe për ekonominë. Bota jonë po e konsumon me shpejtësi këtë formë themelore të kapitalit, akumuluar gjatë shekujve nga fetë, nga traditat e dijeve, nga përshpirtëria popullore”.

Ati i Shenjtë u kërkoi të rinjve ta rimarrin në dorë këtë trashëgimi shpirtërore, të shkojnë përtej teknologjisë e të ndërtojnë një ekonomi, në të cilën kapitali shpirtëror t’u japë përgjigje “pse”-ve të jetës, edhe të asaj ekonomike.

Duke u nisur nga përvoja e Shën Françeskut të Asizit dhe e françeskanëve, që krijuan një ekonomi të tyre, banka si “Monte del Pietà”, që i vlerësonin të varfërit, pa vepruar vetëm “me” e “për” ta, por duke i kthyer në protagonistë të ndryshimeve e të jetës së tyre. Vetë Shën Françesku deshi të bëhej i varfër si ata.

“Ne nuk duhet ta duam mjerimin, madje, duhet ta luftojmë atë, para së gjithash, duke krijuar punë, punë dinjitoze. Por, Ungjilli thotë se pa i vlerësuar të varfërit, nuk luftohet asnjë lloj mjerimi. Pikërisht prej kësaj duhet të rifillojmë, edhe ju sipërmarrësit dhe ekonomistët”.

Papa Françesku përvijoi tri rrugë: të shihet bota me sytë e të varfërve; të mos harrohet puna dhe punonjësit, duke krijuar për ta punë të denjë; si edhe ajo, që Ati i Shenjtë e quajti “mishërim” apo kthimi i idealeve, dëshirave e vlerave në vepra konkrete.

Lutja e Papës

Papa e përfundoi fjalën e tij me lutjen:

“O Atë, të kërkojmë falje që e kemi plagosur rëndë tokën, që nuk i respektojmë kulturat indigjene, që nuk i vlerësojmë dhe nuk i duam më të varfërit, që kemi krijuar pasuri pa bashkim me të tjerët. O Zot i gjallë, që me Shpirtin tënd frymëzove zemrat, krahët dhe mendjet e këtyre të rinjve dhe i nise drej tokës së premtuar, shiko me dashamirësi bujarinë, dashurinë, dëshirën e tyre që të jetojnë për një ideal më të madh. Bekoji në ndërmarrjet e tyre, në studimet, në ëndrrat e tyre; shoqëroji në vështirësi e vuajtje, ndihmoji që t’i shndërrojnë ato në virtyt dhe urti. Mbështeti dëshirat e tyre për të mirën dhe jetën, përkrahi në zhgënjime para shembujve të këqij, mos i lër të shkurajohen dhe bëj që të vazhdojnë rrugën e tyre. Ti, që pate si Bir të vetëm atë, që u bë marangoz, jepu atyre gëzimin e shndërrimit të botës me dashuri, zgjuarsi dhe me duart e tyre. Amen.

24 shtator 2022, 11:45