Papa: “Jeta e Jezusit”, për t’u takuar me Të
R. SH. - Vatikan
“Një aspekt vendimtar, që më bie gjithmonë në sy kur lexoj Ungjillin, është vlera e shikimeve, hollësi që haset shpesh tek kjo “Jetë e Jezusit”. Takohen disa shikime: të mendojmë për Zakeun, hipur në maje të një peme në mënyrë groteske, sepse dëshiron ta shikojë Jezusin fshehurazi. Po Zoti e shikon, e fton të zbresë e madje shkon në shtëpinë e tij. Të mendojmë, pastaj, për të verbrin e Jerikos: nuk mund të shihte, por kërkonte shikimin e Zotit, donte ta shikonte Jezusi. Ndaj derisa sytë e Zotit nuk u ngulën mbi të, vijoi të bërtasë, të pyesë, të lypë.
Nuk ka faqe Ungjilli, pa shikime! Është mënyra me të cilën njerëzit e takojnë Jezusin. Edhe shikimet e doktorëve të Ligjit, të atyre, që u përpoqën ta vënë në provë, si dhe shikimet e habitura të atyre, që nuk e kuptonin. Shikimi është i rëndësishëm. Nuk mjafton vetëm të lexosh, as vetëm të dëgjosh, duhet të hysh ti vetë në ngjarjet ungjillore, me sytë e Krishtit në mendje dhe në zemër. Përfytyrojini, për shembull, sytë e Tij duke u ngulur, ndërmjet shumë njerëzve të tjerë, mbi një vejushë të varfër, që i jep një lëmoshë të vogël tempullit: sytë e Jezusit ndiqnin me kujdes mjeshtrat e Ligjit, që ecnin në tempull për t’u vënë re dhe për t’u dukur të përsosur, por më pas shikimi i Tij ngulet mbi vejushën, që jep dy kacidha, sepse e di që dha gjithçka kishte. Ky shikim është shenjtërim i bujarisë.
Le të mendojmë përsëri për Jairin, që shkon të kërkojë ndihmë për të bijën, në grahmat e vdekjes e që, kur është përballë Mjeshtrit, vijnë e i thonë se sapo dha shpirt. E ai shikon Jezusin, e Jezusi atë. E shikon dhe e qetëson. Jezusi ka një aftësi të pashoqe për t’i parë njerëzit drejt e në sy. Dhe ndërsa Jairi i thotë Jezusit se tani është e kotë të shkojë në shtëpinë e tij, Krishti vazhdon rrugën dhe e kthen në jetë vajzën. Por gjithçka fillon me shikimin! Edhe e veja e Nainit duhet ta ketë shikuar sigurisht Zotin kur u afrua me dishepujt e tij. Po çfarë kërkonin sytë e asaj gruaje të pikëlluar e të thyer më dysh nga dhimbjet? Sigurisht nuk kërkonte jetën e të birit, ngaqë ishte e sigurt se ai kishte vdekur dhe asgjë e askush nuk mund ta rikthente në jetë. E pra diçka e kërkonte me atë shikim! Jezusi, duke e parë atë dhe dhimbjen e saj, preket thellë. I afrohet varganit që e shoqëronte të vdekurin, e ringjall djalin e vdekur dhe e kthen shëndosh e mirë në krahët e sëmës.
Herë të tjera ndeshemi me shikime të paafta, që nuk janë në gjendje ta shikojnë Zotin: të mendojmë për dishepujt e Emmausit. Sytë e tyre ishin si të mjegulluar. Të mendojmë për Magdalenën, kur shkon te varri e kujton se Jezusi i ngjallur është kopshtari. Dhe pastaj, Zoti i duket! E njëjta gjë ndodh me ne, kur marrim Ungjillin në dorë, lexojmë diçka dhe në një çast të caktuar, shikojmë Zotin që duket, duke na lënë me gojëhapur nga habia!
[...] Të kujtojmë, pastaj, episode nga jeta e Jezusit, me sytë plot meditim. Është e vërtetë se feja nis me dëgjimin, por takimi fillon me shikimin. Prandaj është e rëndësishme ta dëgjosh dhe ta shohësh Jezusin në Ungjijtë. Shikimi bashkohet më lehtë me kujtesën, gjë që e bën jetën e krishterë të lëshojë shtat: është, siç na mëson Shën Gjoni, por në përgjithësi i gjithë Shkrimi i Shenjtë, kujtim i atyre gjërave, që i pamë e i dëgjuam.
Ky libër, kjo “Jetë e Jezusit”, e shkruar duke përdorur fjalët e Ungjijve, mund të na ndihmojë të takohemi me Të, që të mos mbetet vetëm një personalitet i madh, protagonist i historisë, prijës fetar apo mësues morali, por të bëhet për secilin, çdo ditë, Zot! Zoti i jetës. I uroj, atij që do ta lexojë, ta shohë Jezusin, ta takojë Jezusin dhe të ketë hirin - dhuratë e Shpirtit Shenjt - të tërhiqet prej Tij.
Më poshtë, një fragment nga kapitulli 8 i librit Jeta e Jezusit
“Të Lum.. të Lum ...”. Mbretëria e Zotit që ngre të përvuajturit!
Viti 28 pas Krishtit, gusht
Turma e ndiqte, sepse kërkonte mrekulli. Atij i afroheshin më të varfërit, që jetonin vetëm me lëmoshë; të dëbuarit, që nuk ndiheshin mirë; ata, të cilëve gjithçka u shkonte për së prapi. A që kishin të sëmurë në shtëpi. E edhe ndonjë keqbërës a ndonjë “hukubet”. Ata panë në atë Mjeshtër, kaq të ndryshëm nga shumë të vetëquajtur “Mesi”, një autoritet të paparë. Të preknin menjëherë sytë, përpara Fjalës së Tij. Të prekte mënyra si të shikonte, duke të bërë të ndiheshe i mirëpritur, i kuptuar, i dashur e, në të njëjtën kohë, lakuriq përballë së vërtetës së jetës, mëkatit, mjerimit njerëzor.
[...] Jezusi, i cili i shikoi me sy plot dashuri, dhembshuri, miqësi, atë ditë e kuptoi se më në fund kishte ardhur koha për të thënë më shumë, për t’u shpallur Mbretërinë e Perëndisë, të gjithëve, jo vetëm të tijve. Prandaj, pasi thirri të dymbëdhjetët dhe kaloi kohë me ta, vendosi të fliste me turmat, që e prisnin.
Ishte mëngjes dhe dielli tashmë po ngjitej lart, duke i mbushur ujërat e detit të Galilesë me reflektime të shkëlqyera. Ditë vere, por pa vapë. E gjithë natyra përreth dukej se ishte gati ta pranonte fjalën, që do ta thoshte. Prapa, “malit”, një kodër e gjelbëruar, nga maja e së cilës frynte puhiza, që do t’i ndihmonte fjalët e tij të përshkonin horizontet. Përpara tij, një hapësirë mbresëlënëse njerëzish, ardhur jo vetëm nga Kafarnao dhe qytetet e tjera të Galilesë, por edhe nga Jeruzalemi, Sidoni dhe Tiri.
[...] Secili prej tyre kishte një pyetje të pathënë, një ankth të pashprehur, një dyshim, një dhimbje, një dëshirë, një shqetësim, një plagë. Asnjëri prej tyre nuk mund ta quante veten të ngopur apo të qetë. Ishin këto turma që nxisnin dhembshurinë e Jezusit […] Nënat i ngrenin lart fëmijët e tyre më të vegjël, që ai t’i shikonte, t’i bekonte. Për shumë nga ato gra, krijesat e njoma ishin gjithçka që kishin. Jezusi i ngulte sytë mbi ta: ai e dinte sesi do të rriteshin, kush do të ishin, si do të vijonte jeta e tyre. Për secilin prej atyre fëmijëve, i lutej Atit t’i hapte portat e Qiellit!
Pasi pati shikuar për një kohë të gjatë turmën, u bëri shenjë të gjithëve të uleshin, për të dëgjuar më mirë. Pikërisht atëherë filloi ta brohoriste atë fjalë duke e përsëritur shumë herë: “I lum... i lum... i lum”. Ata që ishin më larg, në skaje, mund ta shikonin, por jo ta dëgjonin. Gjithsesi e kuptonin se Mjeshtri po fliste për lumturinë, lumturi për ta. Jezusi thoshte:
“Lum skamnorët në shpirt
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
Lum ata që qajnë
sepse do të ngushëllohen!
Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën!
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi
sepse do të ngihen!
Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!
Lum ata që janë të pastër në zemër
sepse do ta shohin Hyjin.
Lum të butët,
sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
Lum ata që salvohen për Hyjin,
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!”.
[...] Një heshtje ireale mbuloi kodrën, nga bregu i liqenit deri në majë. [...] Është e vërtetë, Lumturitë premtonin diçka për të ardhmen. Por ngushëllimi tashmë mund të përjetohej vetëm nga mënyra si i shikonte Jezusi!
Botuar për Piemme nga Mondadori Libri S.p.A.
© 2022 Mondadori Libri S.p.A., Milano
Për të drejtat e teksteve papale:
© Libreria Editrice Vaticana-Dicastery for Communication
* Libri paraqitet të martën pasdite më 27 shtator në burgun "Opera" në Milano nga Kryeipeshkvi Mario Delpini, kantautori Roberto Vecchioni dhe Arnoldo Mosca Mondadori. Pasditen e 12 tetorit, në Universitetin LUMSA të Romës, paraqitja me Kardinalin Tolentino. Mbrëmjen e 19 tetorit, prezantimi në Chioggia, në auditorin San Nicolò, me pjesëmarrjen e Don Luigi Epicoco.