Papa: kujdes njerëzit, jo burimet, për të mos rënë në “biznesin e bamirësisë”
R.SH. - Vatikan
Jo vetëm “të dhurosh” por mbi të gjitha “të dhurohesh”. Njëheresh me mirënjohjen për dekadat e shërbimit, Papa Françesku i kujton Caritas-it spanjoll - duke pritur sot një delegacion me rastin e 75-vjetorit të themelimit - natyrën e misionit të tij dhe limfën nga e cila mund të merret forcë për ta kryer në mënyrë sa më të mirë të mundshme: bamirësinë. Gjë që - nënvizoi Papa në fjalimin e tij - do të thotë të punosh për t’i “ndryshuar” njerëzit dhe për të favorizuar zhvillimin e tyre, jo vetëm për t’i ndihmuar e për t’i përdorur më rregullisht burimet.
Për thirrje, jo për punësim
Në këtë pikë Papa - duke u shkëputur nga teksti i shkruar - ngulmoi në një mënyrë të veçantë:
“Ju lutemi, kujdesuni për burimet, por mos bini në biznesin e madh të bamirësisë, ku 40, 50, 60% e burimeve shkojnë për të paguar rrogat e atyre që punojnë atje. Ka ndërrmarrje në Evropë, ka, më falni, lëvizje bamirësie, të cilat 60% … ndoshta po them shumë... por 40% i shpenzojnë për rroga. Jo. Sa më pak ndërmjetësime, ju lutem! Edhe ato që ekzistojnë, ku është e mundur, të jenë për thirrje, jo për punësim. Jo eja këtu, të të jap punë në Caritas… Jo, jo, nuk bën kështu!”.
Uniteti i humbur
Françesku sqaroi dy herë se po fliste për “përvojën e tij, duke parë institucione të tjera ndihmëse që bien në këtë situatë”. Nuk po i drejtohej, pra, Caritas-it të Spanjës, të cilin, përkundrazi, Papa e falënderoi për punën e kryer, aq sa “të fitojë respektin e shoqërisë spanjolle, përtej besimeve dhe ideologjive të saj”. Ky është fakt shumë i rëndësishëm, sipas Papës, “sepse na lejon të shohim se si dashuria hyjnore mund të jetë model pune për Caritas-in”:
“Nëse Krishti na thërret në bashkim me Atin dhe me vëllaun tonë, përpjekja juaj synon pikërisht rifitimin e atij uniteti, nganjëherë të humbur, në njerëzit dhe në bashkësi”.
Rrugët e rimëkëmbjes
Në këtë kuptim, Papa Françesku theksoi tri sfida. E para është “të punosh duke u nisur nga aftësitë dhe mundësitë, e duke shoqëruar proceset:
“Në të vërtetë, nuk janë rezultatet ato që na motivojnë e na bëjnë t’i arrijmë objektivat e planifikuara, por njeriu i dërmuar, që nuk gjen vend e që ne e mirëpresim, i hapim rrugën për ta rigjetur vetveten e, pavarësisht nga kufizimet e tij dhe tonat, të kërkojë vendin e vet me të tjerët dhe me Zotin”.
Në këtë drejtim, duke u shkëputur nga fjalimi i shkruar, Papa rekomandoi një libër, për të cilin pati folur edhe gjatë kthimit nga udhëtimi në Maltë: “Hermanito”, një roman i Amets Arzallus Antia dhe Ibrahima Balde.
“Doli rreth dy vjet më parë në Spanjëë lexohet për dy orë” - shpjegoi Papa – që e quajti “burim frymëzimi”. “Është jeta e një emigranti nga Afrika Qendrore që mbërrin në Spanjë, mendoj se iu deshën dy vjet e gjysmë për të arritur atje, ose tre, po arriti të ngrihej në këmbë dhe të tregonte përvojën e tij”.
Nuk mjafton të japësh
Françesku citoi vëllimin, për të shpjeguar sfidën e dytë: “Realizimin e veprimtarive domethënëse”. “Nuk mjaftojnë gjestet që bëhen, por ato që nxisin ndryshimin e vërtetë te njerëzit” - theksoi Papa, duke kujtuar rastin e një famullie në Spanjë, ku njerëzit e pyesnin famullitarin nëse jepte “zarfa” apo “Nëse do të mund të përfitonin nga situata e ‘mirëqenies’ që në të vërtetë i mban të lidhur me zinxhirët e ndihmave, duke e penguar zhvillimin e tyre:
“Të varfërit duhet të mirëpriten gjithmonë, të shoqërohen, të integrohen. E gjitha punë për t’u bërë...”.
Porosia e Jezusit
Vetë Jezusi, me jetën dhe veprën e tij, na thotë qartë "nuk mjafton thjesht 'të japim'; duhet ‘të japim vetveten’”:
“Duke perifrazuar Ungjillin sipas Gjonit, nëse do të kërkoheshim dhe do të lavdëroheshim vetëm sepse njerëzit hëngrën bukë dhe për këtë arsye ne do të ndjeheshim si mbretër, do të tradhtonim mesazhin e Jezusit”.
Të thirrur për të lehtësuar vuajtjet e vëllait
Jemi të ftuar që “të bëhemi tharm i mbretërisë së drejtësisë, të dashurisë dhe të paqes” - theksoi në përfundim Papa Françesku. E, më pas, kujtoi sfidën e tretë: të përpiqemi për të qenë “kanal i veprimit të bashkësisë kishtare”. “Caritas na propozon veten, është si dora e shtrirë e Krishtit kur ua ofrojmë atyre që kanë nevojë për ne dhe njëkohësisht, na lejon të mbështetemi te Krishti, kur na bën thirrje ta ndihmojmë vëllain, që vuan” - kujtoi Papa:
“Të jesh kanal, nuk do të thotë thjesht përdorim më i rregullt i burimeve, ose hapësirë ku mund të shkarkosh përgjegjësinë e këtij misioni delikat kishtar. Shprehja 'të jesh kanal' duhet kuptuar, mbi të gjitha, si mundësi - të cilën duhet ta shfrytëzojmë të gjithë - që të kesh përvojën unike dhe të nevojshme, për të cilën na fton Zoti, kur thotë: ‘A do të dish se kush është i afërmi yt? Shko dhe bëj të njëjtën gjë”.