Kërko

Katedralja e Karagandës, Kazakistan Katedralja e Karagandës, Kazakistan

Papa në Kazakistan, ipeshkvi Dell’Oro: bukuria dhe bamirësia janë udha e dialogut

Sfidat e pakicës katolike në pritje të Papës janë në qendër të intervistës së ipeshkvit të Karagandës, që e udhëheq bashkësinë katolike kazake të asaj dioqeze me krijimtari dhe afërsi me më nevojtarët. Në dëshminë e tij, kujtimi i vizitës së Gjon Palit II në vitin 2001, shembulli i të krishterëve të persekutuar nga sovjetikët dhe zhgënjimi për mungesën e Patrikut Kirill në Kongresin e liderëve botërorë dhe të feve tradicionale. “Lufta është e tmerrshme, veçanërisht ndërmjet popujve të krishterë"

R.SH. – Vatikan

Në kalendarin e kremtimeve liturgjike, njoftuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit, ёshtё edhe udhëtimi i 38-të apostolik i Papёs nё Kazakistan, nga data 13 deri më 15 shtator, në kryeqytetin Nur Sultan ku do tё mbahet “Kongresi VII i udhëheqësve botërorë dhe i atyre të feve tradicionale”, qё mbledh së bashku krerë të ndryshëm fetarë e liderë nga e gjithë bota.

Katolikët në Kazakistan janë 0,01% e 19 milionë banorëve të vendit, 70% e të cilëve janë myslimanë, ndërsa 26% janë të krishterë, kryesisht ortodoksë. Dikur bashkësitë katolike përbëheshin nga grupe të ndryshme etnike, veçanërisht nga ish-të dëbuarit e regjimit sovjetik, por pas pavarësisë, shumë prej tyre u kthyen në vendet e origjinës. Edhe sot, për shkak të situatës ekonomike, emigracioni vazhdon.

Besimtarët katolikë janë të shpërndarë në 4 dioqeza (kryeipeshkvia e së Shenjtnueshmes Virgjër Mari në Astana - Nur-Sulltan, dioqeza e së Shenjtnueshmes Trini në Almaty, dioqeza e Karagandës dhe Administratura Apostolike e Atyrau), gjithsej 70 famulli, ku shërbejnë rreth njëqind meshtarë. Në këtë realitet, numerikisht të parëndësishëm, jeta kishtare lulëzon, siç shpjegon imzot Adelio Dell'Oro nga Karaganda, territor dioqezan, i cili ka një shtrirje prej rreth 750 mijë kilometrash katrore. Është bari i kësaj bashkësie prej 7 vjetësh e gjysmë, pasi që nga viti 1997 ka shërbyer si meshtar Fidei Donum. Në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News, rrëfen punën për regjistrimin e shtegtarëve, që do të vijnë në kryeqytet për takimin me Françeskun, i cili do të shkojë në Kazakistan nga 13 deri më 15 shtator…

Ky ka qenë shqetësimi im më i madh. Siç e dinë të gjithë, kemi kaluar shtatëdhjetë vjet nën regjimin sovjetik, gjatë të cilit u ndalua çdo formë e shprehjes fetare dhe besimtarët e feve të ndryshme, jo vetëm katolikët, ishin të detyruar ta jetonin përvojën e fesë në mënyrë klandestine. Kemi dëshmi të jashtëzakonshme për atë periudhë. Për shembull, gjashtë vjet më parë, në shtator, u shpall i Lum një meshtar, mik i Papës Wojtyla. Władysław Bukowiński kaloi 13 vjet e gjysmë në një kamp internimi dhe më pas, kur u lirua, pati një veprimtari shumë intensive në Karaganda, pikërisht pasi nuk mund të largohej nga ky territor. Këtu jetonin të mbijetuarit e kampeve të përqendrimit, përfshirë shumë katolikë. Ka qenë edhe një grua, Gertrude Detzel: edhe ajo kaloi 13 vjet në një kamp internimi dhe kur u lirua, organizoi në mënyrë klandestine shumë bashkësi katolike, pikërisht këtu në qytetin e Karagandës. Në gusht të vitit të kaluar hapëm procesin dioqezan për lumnimin e saj.

Ipeshkvi i Karagandës, imzot Adelio Dell'Oro, me besimtarët
Ipeshkvi i Karagandës, imzot Adelio Dell'Oro, me besimtarët

Pastaj, erdhi viti 1991, erdhi pavarësia dhe më në fund, të gjithë mund të dilnin nga nëndheu. Mbërritën edhe shumë meshtarë të ftuar, veçanërisht nga Gjermania dhe Polonia, për të organizuar struktura kishtare, për të ndërtuar kisha, për të organizuar jetën e famullive. Ja, unë, këtu shoh, nga njëra anë, guximin që patën misionarët e parë dhe, nga ana tjetër, një kufizim, sepse u drejtoheshin, të themi, vetëm katolikëve të kombësisë së tyre. Përveç kësaj, ndodhi që pas pavarësisë shumë katolikë, veçanërisht gjermanë dhe polakë, u kthyen në atdheun e tyre. Pra, këto bashkësi, të cilat pas 91-shit ishin shumë të gjalla e të shumënumërta, me kalimin e kohës janë zvogëluar. Në dritën e kësaj historie, shqetësimi më i madh që kam është nëse kanë sjellë vërtet rezultate të gjitha sakrificat, që u janë kërkuar brezave të besimtarëve para nesh. Jemi të destinuar të zhdukemi? Apo Zoti po na kërkon diçka tjetër?

E cila është përgjigjja juaj?

Ajo që më duket se shikoj është se duhet të gëzohemi për faktin që në një vend, që ishte ateist, tani, mund ta jetojmë fenë, që e bën jetën tonë të bukur, tërheqëse, të gëzueshme. Kështu, mund të jemi të hapur – siç thoshte Papa Benedikti e siç i bën jehonë Papa Françesku - të jemi tërheqës për të gjithë, edhe për kazakët, 78% e të cilëve janë me traditë myslimane. Dy rrugët që jam përpjekur t'u propozoj meshtarëve, murgeshave dhe laikëve të dioqezës, gjatë shërbimit tim më se shtatëvjeçar, janë bukuria dhe bamirësia.

Një shembull: në katedralen e Karagandës ndodhet e vetmja organo e madhe dhe e bukur, dhuratë nga Austria, (dy të tjera janë në akademitë muzikore të Almatit dhe Astanasë). Në përgjithësi, nga prilli deri në tetor, rreth dy herë në muaj, kemi koncerte të muzikës kishtare me organo. Katedralja mbushet me njerëz në këmbë. Kjo do të thotë se zemra e çdo njeriu, pavarësisht nga kombësia, përkatësia e tij fetare, ka etje të madhe për bukuri. Një bukuri që të çon drejt misterit, drejt Zotit. Shembulli tjetër: në fundjavë të gjithë çiftet e reja - myslimanë, ortodoksë, protestantë - vijnë për t'u fotografuar me sfondin e katedrales, e cila është ndërtuar me stil gotik modern, shumë e bukur, mbresëlënëse. Nganjëherë as nuk e dinë ku vijnë. I takoj për t'i uruar dhe i pyes: pse keni ardhur këtu? E ata habiten: ku ta gjejmë një kështjellë kaq të bukur në qytetet tona? E kështu, gjejmë arsyen për të filluar dialogun me ta.

Pastaj është bamirësia. Ne, jashtë rrethit të famullive tona, nuk mund të bëjmë asgjë si Kishë. Kjo vlen edhe për fetë e tjera në qytet. Kur mbajmë mbledhje meshtarësh apo murgeshash, nuk mundemi, siç bëhej në vitet ‘90, të marrim me qira hapësira (sanatoriume, shtëpi pushimi...), që përdoreshin ende në epokën sovjetike. Duhet të organizohemi brenda strukturave tona, sepse liria fetare ende nuk është e plotë. Por kur vjen dikush me nevoja urgjente, jam i sigurt se, nëpërmjet asaj cope buke apo ilaçit, që i japim, kalon më shumë, kalon dashuria e Krishtit për të. Kjo është mrekullia. Dikur, motrat e Nënë Terezës, të cilat jetojnë me rreth tridhjetë të pastrehë në një qytet industrial aty pranë, ku ka një uzinë të madhe çeliku, në dimër, i hapën derën një burri, që trokiti në portën e tyre. Kërkoi strehim, por ishte me tuberkuloz. Nuk dinin ç’të bënin. Pastaj, kujtohen për një banjë të vogël që kishin, e pastrojnë, vendosin një dyshek dhe e shtrijnë aty. Ky burrë u tha murgeshave: “Nëse ka parajsë, duhet të jetë si kjo banjë!”.

Na tregoni një kujtim tuajin personal, nga koha kur filluat misionin në këto troje. Çfarë arritët të vlerësonit më shumë nga populli kazak, me kalimin e kohës?

Kur mbërrita këtu gjeta shkatërrim të madh, fryt i agonisë së Bashkimit Sovjetik. Zgjoheshe në mëngjes e nuk e dije nëse kishte ujë të ftohtë a të nxehtë e madje, nëse kishte ujë ndopak. Më kujtohet një javë e tërë me 40 gradë nën zero, pa ngrohje. Qyteti nuk ndriçohej natën, sepse s’kishte elektricitet… Gjithsesi, nuk më turbulloi aq shumë kjo. Më bëri më shumë përshtypje shkatërrimi, shpërbërja, zhdukja e përgjegjësisë së njeriut. Njeriu sovjetik i viteve të fundit nuk ndihej përgjegjës për asgjë. Kjo dukej sidomos tek të rriturit, ndërsa tek të rinjtë shihje të kundërtën. E kjo më ngushëllonte disi. Pata mundësinë të jap mësim për gjashtë vite me radhë gjuhën dhe kulturën italiane në Universitetin Shtetëror të Karagandës. Ç’etje kishin të rinjtë për t’i dhënë kuptim jetës! Populli kazak ka një humanitet tejet të madh, aftësi të jashtëzakonshme për mikpritje, kujdes për të moshuarit aq sa çuditesh. Fjala “kazak” do të thotë “vagabond”, “njeri, që lëviz në stepë”, “nomad”. Ndoshta, në kushtet e jetesës së paraardhësve të tyre i kanë kultivuar këto vlera njerëzore, që në një farë mënyre, mbeten.

 Imzot Dell’Oro, a ju kujtohet vizita e Papës Gjon Pali II, 21 vite më parë? Si ka ndryshuar Kazakistani që atëherë?

Ajo vizitë ka qenë mbresëlënëse. Deri ditët e fundit, askush nuk e priste më, pasi sapo kishte ndodhur sulmi terrorist i 11 shtatorit. Të gjithë e vlerësuan vendimin dhe guximin e Papës për të ardhur, pavarësisht nga gjendja globale. Duhet shtuar një gjë: asnjeri nuk e dinte kush ishte Papa i Romës, kreu i katolikëve të botës. Në ato vite, sapo kishin filluar të dukeshin celularët, interneti. Nga ana tjetër, as Evropa nuk e dinte nga binte Kazakistani. Kurioziteti dhe dëshira për të ditur më shumë mobilizuan një mori njerëzish. E në meshë morën pjesë rreth 40 mijë vetë. Gjatë viteve në vijim gjendja ka ndryshuar jashtë mase. Njerëzit informohen aty për aty, prandaj duket sikur Papën Françesku nuk e presin me aq padurim. Në të vërtetë, pritshmëria është tejet e madhe, sidomos në nivelin e qeverisë e të presidencës së Republikës. Presidenti, që e ftoi Papën, është i bindur se prania e tij do të kontribuojë në pajtimin e paqen në botë.

A mund ta komentoni mungesën e Patrikut të Moskës e të gjithë Rusive, Kirill, në Kongresin e krerëve të botës dhe të feve tradicionale?

[E komentoj] me pikëllim dhe dhimbje të madhe, pasi po të ishin të pranishëm të dy, Papa Françesku dhe Patriku Kirill pa tjetër do të takoheshin. Dhe pas takimit, që patën online, ky rast do të kishte qenë mjaft i frytshëm për të gjykuar ç’po ndodh, jo nga pikpamja politike, por nga ajo fetare. Mendoj edhe për myslimanët: nëse Zoti është një i vetëm, të gjithë jemi bijtë e bijat e tij, pra, vëllezër e motra mes nesh. Prandaj, siç po ngre vazhdimisht zërin Papa, lufta është gjëja më e tmerrshme, më e paimagjinueshme që mund të ekzistojë. Aq më tepër kur ndodh ndërmjet popujve të krishterë.

Në festën e Lartimit të Kryqit, më 14 shtator, Papa do të kremtojë meshën bashkë me ju. Ç’rëndësi ka kjo në kuadrin e luftës në Ukrainë, që shqetëson gjithë botën?

Do të na kujtojë të gjitha vuajtjet e këtyre trojeve: mendoni, Karaganda ishte qendra e një sistemi kampesh internimi sa Franca. Rreth 30 kilometra prej këndej, në mes të stepës, ndodhet një varrezë e përbashkët me gati 20 mijë të burgosur lufte, me kombësi të ndryshme. Në Dolinka, qendra e drejtimit të këtij sistemi, sot ka një muzeum për të mos e harruar këtë histori të tmerrshme. Prandaj, festa e Shna Krygjës na kujton se, ashtu si për Jezu Krishtin, shëlbimi nuk vjen veçse përmes kryqit. Bindja ndaj vullnetit të Zotit i jep njeriut një jetë të re. E kur njerëzit ndryshojnë, ndryshon edhe shoqëria.

09 shtator 2022, 08:28