Papa Françesku kremton meshën në Nur-Sultan, Kazakistan Papa Françesku kremton meshën në Nur-Sultan, Kazakistan

Papa në Meshë: paqja dhe bashkëjetesa paqësore arrihen me impenjim të përditshëm

“Shikoni Kryqin e Krishtit” dhe “të jesh i krishterë do të thotë të jetosh pa helme” në shpirt: këto, dy fraza thelbësore të homelisë së Papës Françesku në meshën e kremtuar për katolikët e Kazakistanit, në ditën e dytë të udhëtimit të tij të 38-të apostolik, në festën e Lartimit të Kryqit. Ati i Shenjtë kërkon të mos harrohet e kaluara, sepse "paqja nuk fitohet kurrë një herë e mirë, ajo duhet fituar çdo ditë, ashtu si edhe bashkëjetesa"

R.SH. – Vatikan

Mesha e kremtuar për katolikët kazakë, por edhe për ata, që kishin ardhur nga vende të ndryshme të Azisë Qendore nё Nur-Sultan, ishte veprimtaria e fundit e Papës Françesku në ditën e dytë të udhëtimit të tij të 38-të apostolik nё Kazakistan, në festën e sotme liturgjike Lartimit të Kryqit Shenjtё apo të Shna Krygjës.

Ati i Shenjtë Bergoglio u takua sot me atë 1% të popullsisë së Kazakistanit, - aq janë katolikët në këtë vend - që së bashku me të tjerët, u qëndroi persekutimeve të kohës sovjetike, pa e humbur fenë dhe pa e ulur kryet, deri në shpalljen e pavarësisë së vendit, më 1991. Por, edhe sfidat e së tashmes nuk janë të lehta, u tha Papa besimtarёve tё pranishёm, i cili, duke komentuar leximet e së kremtes së sotme liturgjike, u përvijoi kazakëve udhën për t’u ndjekur.

Gjarpërinjtë, që helmojnë

Në Meshën e kremtuar në Expo Grounds, Sheshi ku duket nga larg Muzeumi i Energjisë së Ardhshme, struktura më e madhe në botë në formë sfere, simbol i modernizimit të Kazakistanit, Papa u përqendrua në dy llojet e gjarpërinjve, që përshkruhen në Leximin e Parë, marrë nga Libri i Numrave (21,4-9): gjarpërinjtë, që i helmojnë njerëzit dhe gjarpërin, që i shpëton. Izraelitët ishin lodhur nga shkretëtira e mërmërisnin kundër Zotit. Gjarpërinjtë, që i helmuan, ishin rezultat i këtij mëkati, i mosbesimit se Hyji do ta mbante premtimin për t’i nxjerrë nga shkretëtira e për t’i çuar në një tokë më pjellore. Sa herë na ndodh kështu edhe neve, vërejti Ati i Shenjtë.

“Janë çastet e lodhjes dhe të sprovës, në të cilat nuk kemi më forcë të shikojmë lart, drejt Zotit; janë situatat e jetës personale, kishtare e shoqërore në të cilat na pickon gjarpri i mosbesimit, që na injekton helmet e zhgënjimit e të dëshpërimit, të pesimizmit e të dorëzimit, duke na mbyllur në vetvete, duke na e shuar entuziazmin”.

Ta ruajmë kujtimin për sa vuajtëm

Në historinë e këtij vendi, vijoi Papa Françesku, nuk kanë munguar edhe ngjarje të tjera të dhimbshme si këto: dhuna, persekutimi ateist, kërcënimi kundër lirisë së popullit dhe cënimi i dinjitetit të tij.

“Na bën mirë ta ruajmë kujtimin për sa vuajtëm: nuk duhet t’i zhdukim nga kujtesa disa ngjarje të errëta, përndryshe mund të besojmë se kanë kaluar tashmë dhe se rruga e së mirës është e përcaktuar një herë e përgjithmonë. Jo, paqja nuk fitohet kurrë një herë e mirë, ajo duhet fituar çdo ditë, ashtu si edhe bashkëjetesa ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe traditave fetare, zhvillimi i gjithanshëm, drejtësia shoqërore”.

Gjarpri, që shpëton

Për këtë, theksoi Papa gjatë homelisë së Meshës me katolikët kazakë, duhet impenjim nga ana e të gjithëve, por edhe një akt i ri besimi në Zotin. E këtu, Ati i Shenjtë Bergoglio përdori simbolin e gjarprit prej bronxi, që Moisiu, i shndritur nga Hyji, e lartoi në majë të shtyllës. Kush e shihte, edhe pse i helmuar nga gjarpërinjtë e tjerë, shpëtonte. Por Zoti nuk i mbyt gjarpërinjtë helmues. “Si atëherë, ashtu edhe sot – vuri në dukje Françesku - në betejën e madhe shpirtërore, që e karkaterizon historinë deri në fund, Zoti nuk e asgjëson poshtërsinë, të cilën njeriu e ndjek lirisht: gjarpërinjtë helmues nuk zhduken, ata ende ekzistojnë, rrinë në pritë, mund të pickojnë gjithmonë”. Por ç’bën Hyji? Na çon Krishtin, u përgjigj Ati i Shenjtë, duke kaluar në komentin e Ungjillit sipas Gjonit (3,13-17).

“Përballë poshtërsive tona, Zoti na dhuron një lartësi të re: nëse e mbajmë shikimin të kthyer nga Jezusi, kafshimet e së keqes nuk mund të na sundojnë më, sepse Ai, në kryq, mori mbi vete helmin e mëkatit dhe të vdekjes dhe e mposhti fuqinë e tij shkatërrimtare… Kjo është madhështia e pafundme e mëshirës hyjnore: Jezusi që ‘u bë mëkat’ në favorin tonë, Jezusi që në kryq - mund të themi – ‘u bë gjarpër’ që, duke e parë Atë, t’u rezistojmë pickimeve helmuese të gjarpërinjve të këqinj, që na sulmojnë”.

Të krishterët, dëshmitarë të gëzuar të jetës së re, të dashurisë, të paqes

Papa i ftoi katolikët kazakë t’ia ngulin sytë Jezusit të kryqëzuar, “sepse nga Kryqi i Krishtit mësojmë dashurinë, jo urrejtjen; mësojmë dhembshurinë, jo indiferencën; mësojmë faljen, jo hakmarrjen. Krahët e hapur të Jezusit janë përqafim i ëmbël me të cilin Zoti dëshiron të na mirëpresë… Na tregojnë rrugën, udhën e krishterë: jo atë të imponimit e të detyrimit, të pushtetit e të rëndësisë, kurrë atë që e përdor kryqin e Krishtit kundër vëllezërve e motrave të tjera, për të cilat Ai dha jetën!”. Udha e Krishtit është ajo e dashurisë së përvuajtur, falas e universale, theksoi me forcë Ati i Shenjtë, i cili u dha këshillën përfundimtare të krishterëve të Kazakistanit, duke parë edhe më gjerë, drejt të krishterëve të gjithë botës e sidomos, duke pasur parasysh konfliktin në Ukrainë.

“Të jesh i krishterë do të thotë të jetosh pa helme: pa e pickuar njëri-tjetrin, pa mërmëritur, pa akuzuar, pa bërë thashetheme, pa përhapur në botë vepra të liga, pa e ndotur botën me mëkatin dhe me mosbesimin, që vjen nga i Keqi… Të lutemi që, me hirin e Zotit, të bëhemi gjithnjë e më shumë të krishterë: dëshmitarë të gëzuar të jetës së re, të dashurisë, të paqes”.

Çfarë duhet të ndodhë akoma që lufta të marrë fund?

Në përfundim të meshës, pas falënderimeve e përshëndetjeve, sidomos për imzot Tomash Bernard Peta, kryeipeshkëv metropolit i kryedioqezës së Të Shenjtnueshmes Virgjër Mari në Astanà, Papa i bekoi të gjithë, veçanërisht të sëmurët e të moshuarit, fëmijët e të rinjtë. Falënderoi Zotin për popullin e Kazakistanit, duke u kërkuar besimtarëve të ndihen shpirtërisht të bashkuar në shenjtëroren e Oziornoje-s, kushtuar Zojës Mbretëreshë e Paqes, pikërisht në këtë çast, kur paqja në botë kërcënohet.

“Mendoj për shumë vende të shkatërruara nga lufta, veçanërisht për Ukrainën e dashur. Të mos mësohemi me luftën, të mos dorëzohemi sikur ajo të ishte e pashmangshme. T’i ndihmojmë ata që vuajnë dhe të ngulim këmbë që të bëhen vërtet përpjekje për të arritur paqen. Çfarë duhet të ndodhë akoma, sa vdekje duhet të presim para se kundërshtitë t’i lënë vendin dialogut për të mirën e njerëzve, të popujve dhe të njerëzimit? E vetmja rrugëdalje është paqja dhe e vetmja rrugë për ta arritur është dialogu. Mora vesh me shqetësim se në këto orë janë ndezur vatra të reja tensioni në rajonin e Kaukazit. Të vazhdojmë të lutemi që edhe në këto territore, konfrontimi paqësor dhe pajtimi të mbizotërojnë mbi mosmarrëveshjet dhe bota të mësojë si të arrijë paqen, edhe duke kufizuar garën e armatimeve dhe duke i përdorur fondet e mëdha të luftës për mbështetjen konkrete të popullsive. Faleminderit të gjithë atyre, që besojnë në këtë, faleminderit juve dhe atyre, që janë lajmëtarë të paqes dhe të bashkimit!”

14 shtator 2022, 14:05