Papa në takim me klerin: Kisha, familje ku askush nuk është i huaj
R.SH. - Vatikan
Në takimin me komunitetin e vogël katolik, ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret dhe veprimtarët baritorë, në Kishën Katedrale të Nur-Sulltan, Kazakistan, Papa Françesku foli për trashëgiminë, larg joshjes nga tundimi për t’u kthyer mbrapa. “Vështrimi i krishterë, kur kthehet për të kujtuar, dëshiron të na habisë përpara misterit të Zotit, të na i mbushë zemrat me lavdërim dhe mirënjohje për çka kreu Ai i Lumi”.
“Askush nuk është i huaj në Kishë, jemi një popull i vetёm i shenjtë i Zotit i pasuruar nga kaq shumë popuj! Dhe forca e popullit tonë meshtarak dhe të shenjtë qëndron pikërisht në përbërjen e diversitetit një pasuri, përmes bashkёndarjes tё asaj që jemi dhe të asaj që kemi. Vetëm së bashku mund të bëjmë diçka të mirë".
Është dita e fundit e qëndrimit të tij në Kazakistan dhe Papa Françesku nuk mund të mungonte në takimin me komunitetin e vogël katolik, me ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, motra rregullltare që veprojnë në Kazakistan. Ndërsa presin Papën në Kishёn Katedrale kushtuar Zojёs sё Bekuar - Nënës Ndihmë e Përhershme, një nga 70 famullitë kishtare ekzistuese në të gjithë Kazakistanin, seli e Kryedioqezës “Shenjtueshmja Mari” Astana, fëmijtё e një familjeje prej 18 fëmijësh të birësuar luanin instrumentet e lashta të "Tokës së Kozakëve".
Kisha, familje ku askush nuk është i huaj
Fjalët e para të Papës ishin fjalë përshëndetjeje drejtuar Konferencës Ipeshkvnore të Azisë Qendrore, një Kishe katolike me shumë fytyra, histori dhe tradita të ndryshme, të gjitha të bashkuara nga besimi i vetëm në Krishtin Jezus. Kujtoi, në vijim, fjalët prekëse të imzot Mumbiela Sierra-s: “Shumica jemi të huaj”:
“Është e vërtetë - pohoi - sepse vini nga vende të ndryshme, por kjo është bukuria e Kishës: ne jemi familje, në të cilën askush nuk është i huaj”.
Misteri i Zotit - kujtoi në vijim, duke cituar Shën Palin - iu zbulua të gjithë popujve. Jo vetëm njerëzve të zgjedhur, as një elite besimtarësh, por të gjithëve… të gjithë popujt u thirrën në Krishtin Jezus për të formuar të njëjtin trup dhe për të marrë pjesë në të njëjtin premtim nëpërmjet Ungjillit" (Letra Efezianëve 3,6).
Trashëgimia dhe premtimi
Do të doja të nënvizoja - kujtoi më pas - dy fjalë të përdorura nga Pali: “Trashëgimia dhe premtimi”: trashëgimia e së kaluarës është kujtesa jonë, premtimi i Ungjillit, e ardhmja e Zotit, që vjen të na takojë. Do të doja të reflektoja për këtë me ju: për një Kishë që ecën në histori ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes:
“Para së gjithash, kujtesa. Kujtoj sot përhapjen e krishterimit në Azinë Qendrore, që në shekujt e parë, përmes ungjillëzuesve dhe misionarëve të shumtë që shkrinë jetën për përhapjen e dritës së Ungjillit, duke themeluar bashkësi, faltore, manastire dhe vende kulti. Ekziston, pra, një trashëgimi e krishterë, ekumenike, që duhet nderuar dhe duhet ruajtur, një transmetim i besimit që ka parë edhe shumë njerëz të thjeshtë si protagonistë, shumë gjyshër e gjyshe, baballarë e nëna”.
Në udhëtimin shpirtëror dhe kishtar, ne nuk duhet të humbasim kujtimin e atyre që na shpallën besimin, sepse kujtimi na ndihmon të zhvillojmë frymën e soditjes për mrekullitë që bëri Zoti në histori, edhe në mes të vështirësive të jetës, ligështive personale dhe të bashkësisë. Këtë theksoi Papa në takimin me komunitetin e vogël katolik në Katedralen e Nur-Sulltan të Kazakistanit.
Kujtesa dhe e ardhmja
Papa Françesku u kërkoi të pranishmëve të jenë të kujdesshëm: të mos kthehen pas me mall, të mos rendin pas gjërave të së kaluarës, duke ndenjur duarkryq. Kështu e shpjegoi tundimin për t’u kthyer prapa:
“Vështrimi i krishterë, kur kthehet për të kujtuar, dëshiron të na habisë me misterin e Zotit, të na mbushë zemrat me lavdërim dhe mirënjohje për çka kreu Zoti. Një zemër mirënjohëse, nga e cila vërshon lavdërimi, nuk ushqen keqardhje, përkundrazi, e mirëpret të sotmen, të cilën e jeton si hir. E dëshiron të niset, të shkojë përpara, të komunikojë Jezusin, si gratë dhe dishepujt e Emmaus në ditën e Pashkëve!”.
Është ky kujtim i gjallë i Jezusit, që na mbush me mahnitje. Është thesari ynë. Prandaj, pa kujtesë nuk ka asnjë çudi. Nëse e humbasim kujtesën e gjallë, atëherë besimi, përkushtimet dhe veprimtaritë baritore rrezikojnë të shuhen, si flakë kashte, që ndizet menjëherë, por shuhet shpejt:
“Kur humbasim kujtesën, gëzimi mbaron. Dështon edhe mirënjohja ndaj Zotit dhe ndaj vëllezërve, sepse biem në tundimin që na shtyn të mendojmë se gjithçka varet nga ne”
Besimi - kujtoi Papa në fjalën e tij - nuk është shfaqje e bukur e kujtimeve nga e kaluara, por ngjarje gjithmonë e pranishme, takim me Krishtin, që vijon edhe tani në jetë!
Krishti është gjithnjë me ne!
E fjala e dytë - kujtoi Papa - është e ardhmja. Kujtesa e së kaluarës nuk na mbyll në vetvete, por na hap rrugën drejt premtimit të Ungjillit. Jezusi na siguroi se do të jetë gjithmonë me ne: prandaj nuk bëhet fjalë për një premtim që i drejtohet vetëm ardhmërisë së largët! Pavarësisht nga dobësitë tona, Ai vijon të jetë me ne, ta ndërtojë së bashku me ne të ardhmen e tij dhe të Kishës sonë.
Ftesë për një Kishë, ku banon gëzimi
Më pas, ftesa e Papës:
“Le të ëndërrojmë dhe, me hirin e Zotit, të ndërtojmë një Kishë më të banuar nga gëzimi i të Ngjallurit, që hedh poshtë frikën dhe ankesat, që nuk e lë veten të ngurtësohet nga dogmatizmi dhe moralizmi”.
Meshtarët, ikona të gjalla të zemrës së dhembshur të Krishtit
Me bindjen se një Kishë e tillë është vazhdimësi e veprës së dëshmitarëve të mëdhenj të besimit të këtij vendi, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë të Lumin Bukowiński, prift që e kaloi jetën duke u kujdesur për të sëmurët, nevojtarët dhe të shtypurit e duke e paguar besnikërinë ndaj Ungjillit me burg e tortura. Më thanë - kujtoi Papa Françesku - se edhe para lumnimit, mbi varrin e tij kishte gjithmonë lule të freskëta dhe një qiri të ndezur. “Kjo na kujton se Populli i Zotit di të dallojë se ku ka shenjtëri e ku ka barinj të dashuruar me Ungjillin”.
Kujtoi, më pas edhe barinj të tjerë, ikona të gjalla të Zemrës së Krishtit: Imzot Budka-n, priftin Don Zarizki dhe Gertrude Detzel, procesi i lumnimit të të cilëve ka nisur tashmë. Trashëgimia e tyre është burim i shenjtërisë së re!
Inkurajimi i Papës
“Jetojeni këtë trashëgimi me gëzim dhe dëshmojeni me bujari, në mënyrë që kush ju takon të kuptojë se edhe për ta ka një premtim shprese” - Unë ju shoqëroj me lutje.
Zoja i shkriftë zemrat e akullta!
Duke i ftuar të pranishmit t’ia besojnë veten posaçërisht zemrës së Zojës Bekuar, të cilën e nderojnë në mënyrë të veçantë si Mbretëresha e Paqes, Papa kujtoi një histori të ndodhur në kohë të vështira:
“Ndërsa shumë njerëz u dëbuan dhe u detyruan të vdisnin nga uria e të ftohtit, Ajo, nënë e butë dhe e kujdesshme, e dëgjoi lutjen që i drejtuan bijtë e saj. Në një nga dimrat më të ftohtë, bora u shkri shpejt mbi një liqen me shumë peshq, duke e ushqyer turmën e njerëzve të uritur”.
Prej këndej, urimi me të cilin Papa e përfundoi homelinë e Meshës së sotme me komunitetin e vogël katolik të Kazakistanit :
“Zoja e shkriftë akullin e zemrave, i mbushtë bashkësitë tona me ngrohtësi të përtërirë vëllazërore, na dhëntë shpresë dhe entuziazëm të ri për Ungjillin!”
Së fundi, bekimi me dashuri, falenderimi dhe kërkesa, që Papa e kujton gjithnjë: “Mos harroni të luteni për mua”.