Kërko

Takimi i Papës Françesku me jezuitët e Kazakistanit Takimi i Papës Françesku me jezuitët e Kazakistanit

Papa: të kuptohen shkaqet e kësaj lufte botërore dhe të lirohen zemrat nga urrejtja

“Ne po përjetojmë Luftën e tretë Botërore”, është “gabim të mendosh se ajo bëhet vetëm ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”. Duhet t’i "çlirojmë zemrat nga urrejtja". Këto janë disa reflektime të Papës Françesku më 15 shtatorin e kaluar, në Kazakistan, me anëtarët e të ashtuquajturit "Rajoni rus" i Shoqërisë së Jezusit. Ukraina, pohoi Papa, është viktima e parë e një agresioni të papranueshëm dhe sakrileg. Intervista e plotë në faqen e “La Civiltà Cattolica”

R.SH. – Vatikan

         Lirojini zemrat nga urrejtja. Duke pasur parasysh konfliktin në vijim, Papa Françesku u kërkoi pikë së pari këtë 19 jezuitëve, që i takoi në nuciaturën apostolike të Astanasë, gjatë udhëtimit apostolik në Kazakistan. “Në luftë janë njerëzit që vuajnë, njerëzit. Kjo sjell urrejtje”, “kush bën luftë e harron njerëzimin”, pohon Papa në intervistën e publikuar sot, në faqen e “La Civiltà Cattolica”, në një artikull të nënshkruar nga drejtori i revistës, Át Antonio Spadaro.

Gabim të mendohet se ka të mirë e të këqinj në luftë

         “Gabim të mendosh se lufta është si film me cowboy, ku ka të mirë dhe të këqinj”, u tha Papa jezuitëve: "kjo është luftë botërore". Duhen parë faktorët ndërkombëtarë, që kontribuan në shpërthimin e saj. Ati i Shenjtë kujtoi deklaratat e politikanëve të ndryshëm për afrimin e tepruar të Natos në kufijtë e Rusisë, duke nënvizuar se nuk mund të shqyrtohet gjendja në mënyrë të thjeshtëzuar: “unë shoh imperializma në konflikt. E, kur ndihen të kërcënuar e në dekadencë, imperializmat reagojnë duke menduar se zgjidhja është shpërthimi i ndonjë lufte për t’u rimëkëmbur e, edhe për të shitur e për të provuar armët”.

Vizita në Ukrainë, jo në këtë çast

         “Që nga dita e parë e deri dje, kam folur vazhdimisht për këtë konflikt, duke iu referuar vuajtjeve të Ukrainës”, u kujtoi Ati i Shenjtë jezuitëve të Rajonit Rus, të cilëve u përmendi edhe vizitën e tij në ambasadën ruse, “e pazakontë” për një Papë, por me dëshirën për të folur me presidentin Putin dhe për të hapur "një dritare të vogël dialogu". Pastaj, erdhi biseda telefonike me presidentin Zelensky; misionet në Ukrainë të kardinajve Czerny dhe Krajewski, ose vizita e imzot Gallagher; angazhimi për të burgosurit ukrainas. “Edhe unë kisha ndërmend të shkoja”, shpjegoi Papa, por “më duket se vullneti i Zotit është të mos shkoj pikërisht në këtë moment; do të shohim më vonë, gjithsesi”.

Njerëzit e zakonshëm janë viktima të luftës

“E quajta pushtimin e Ukrainës agresion të papranueshëm, të neveritshëm, të pakuptimtë, barbar, sakrileg”, theksoi Françesku, i cili përsëriti se njerëzit e thjeshtë “janë viktimat e vërteta, që e paguajnë çmendurinë e luftës në lëkurën e tyre”. Për këtë pati kritikuar edhe vrasjen e vajzës së ideologut të presidentit Putin. Polemikat që pasuan, vuri në dukje Papa, bënë të harroheshin gjithë fjalët e tjera thënë kundër luftës. “Por, i kuptoj reagimet e njerëzve, sepse vuajnë shumë”. “Papa nuk zemërohet kur keqkuptohet, sepse e njeh mirë vuajtjen, që njerëzit mbajnë në shpinë”, vërejti Ati i Shenjtë. Jezuitëve u tha të mos lodhen fort duke mbrojtur Papën, por të qëndrojnë pranë popullit, i cili duhet t’i njohë si vëllezërit e Papës. Stili i Zotit është afërsia.

Afrimi katolikë-ortodoksë

         Jezuitët e Kirgizistanit i vunë në dukje Atit të Shenjtë se në periferinë e Kishës, jo gjithnjë ndihet prania e Vatikanit. “Ngrejeni zërin!” u kërkoi Papa. “Kisha ka nevojë të dëgjojë shumë zëra, të cilat duhet të shprehen e, madje, të shprehen edhe në dialekt!”. Më pas, Ipeshkvi i Romës shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin katoliko-ortodoks në fushën e ndihmës për njerëzit me aftësi të kufizuar. Ka një afrim gradual ndërmjet të krishterëve, vërejti Françesku. “Ka akoma shqetësim për uniatizmin. Por u kam thënë [ortodoksëve] se ajo fjalë është harruar tashmë. Duhen qetësuar e kjo ndihmon”. Duhet të punojmë së bashku, të lutemi për njëri-tjetrin e t’i kapërcejmë dyshimet”.

Të lutemi “pulseando”

         Lutja duhet të jetë qendra e jetës së një jezuiti, i cili nuk duhet të jetë thjesht “ekspert” në një temë apo tjetrën. Françesku u sugjeroi seminaristëve të jenë “të rinj normalë”, “normalë edhe në lutje”. "Lutja që më vjen spontanisht - tregoi ai - është shigjetorja ‘Shikoje popullin tënd, o Zot!’. Lutja ndërmjetësuese”. Ndërmjetësim do të thotë “të trokasësh në zemrën e Zotit" me parrezi, qartësi dhe guxim. Lutje këmbëngulëse: "të lutesh “pulseando”(si në një duel)", "ballë për ballë": "të kërkosh, të kërkosh, të kërkosh".

Guximi i nënave argjentinase

         Papa argjentinas kujtoi mizoritë e diktaturës së jetuar në vendin e tij të origjinës, “situata në të cilat humbasin të drejtat, por edhe ndjeshmëria njerëzore”. "Shumë herë kam dëgjuar katolikë të mirë të thonë: ‘Këta komunistët e meritojnë! Ia bënë vetes!’. Është e tmerrshme – pranoi Françesku – kur ideja politike del mbi vlerat fetare”. Më pas, kujtoi guximin e nënave argjentinase “në luftën kundër diktaturës dhe në kërimin e fëmijëve të tyre”, desaparecidos.

Ruajtja e varfërisë

Jezuitët e Kazakistanit e pyetën Françeskun çfarë ndjeu kur u zgjodh Papë: "duke pranuar – u përgjigj Ati i Shenjtë - plotësova kushtin e katërt, atë të bindjes". Papa i ftoi ta "ruajnë varfërinë". “Kur nuk ka varfëri, hyjnë të gjitha të këqijat”. Në fund të takimit - njofton “La Civiltà Cattolica” - Ipeshkvi i Romës bekoi gurin e parë të katedrales së re, që do të ndërtohet në Kirgizistan.

29 shtator 2022, 17:45