Papa: fjala e bërtitur brutalizon, harmonia është në heshtje

Duke takuar pjesëmarrëset e Kapitullit të Përgjithshëm të Motrave Terciare Kapuçine të Familjes Shenjte, Papa Françesku u tërhoqi vëmendjen të ruhen nga ata, të cilët e ngrenë zërin, parë si zgjidhje për të nxitur “masën e shurdhër të zgjedhë idenë e tyre”: me zërin e tënd dhe atë të tjerëve, arrihet në krijimin e bashkësisë që flet me një zë të vetëm!

R.SH. - Vatikan

Sot Papa, duke pritur në audiencë, në Vatikan,  Motrat Terciare Kapuçine të Familjes Shenjte, që vinin nga të katër anët e ndryshme të botës, u shprehu kënaqësinë për misionin e tyre të çmuar përkrah Kishës. Gjë e bukur - pohoi - që tregon se jetoni me të vërtetë  në frymën e pranimit dhe të vëllazërimit universal, sipas lidhjes suaj të veçantë me “Familjen e Shenjtë”.

Duke u kujtuar, në vijim, punimet e Kapitullit, Papa pohoi se këtë qëndrim, tipik për mjedisin familjar, e shprehën edhe në moton e takimit të tyre , që bazohet mbi dy ide: dëgjimin e përvuajtur  dhe sinodalitetin:

“Janë fjalë frymëzuese, të cilat kanë rrënjë të thella në jetën fetare. Për të dëgjuar, para së gjithash duhet heshtje, heshtje e thellë, heshtje e shpirtit”.

Të shkojmë kundër rrymës

Në vijim Papa u kujtoi  Motrave terciare se profecia që Jezusi kërkon prej nesh është pikërisht të shkojmë kundër rrymës, të kërkojmë heshtjen, të shkëputemi nga bota, nga zhurma. Kjo do të na lejojë t’i kushtojmë vëmendje dhe, me durim artizanal, t’i dëgjojmë tingujt e ndryshëm, t’i peshojmë dhe t’i dallojmë. Në këtë mënyrë zhurma fillestare do të nisë të marrë formë, ajo që dukej e shëmtuar, do të mund të kuptohet, do të ketë një emër, do të ketë një fytyrë:

“Asnjë notë nuk do të jetë shumë e lartë ose shumë e ulët dhe asnjë tingull nuk do të jetë i fortë për veshët tanë, nëse gjen harmoninë që mund t’ia japë vetëm heshtja jonë. Dhe them se vetëm heshtja jonë mund t’ia japë, sepse harmonia gjendet, nuk imponohet”.

Dashuri për të gjithë, pa dallim

Bëhuni profete të dëgjimit të zërit të Zotit  - i porositi Papa motrat terciare - para së gjithash duke dëgjuar zërin e Atij të Lumit, i cili ju thërret t’i doni të gjithë pa dallim:

“Ta doni krijimin si dhuratën e Tij, ta shihni në të gjithë madhështinë e Tij, siç na mëson Shën Françesku në Këngën e Krijesave. Kjo është melodia që lind natyrshëm, sepse esencë e të gjitha gjërave. Në të gjejnë kuptimin edhe dhimbjen, errësirën dhe vdekjen, por gjejmë edhe vëllain në vështirësi, atë që ka nevojë për falje, shpengim, për një shans të dytë, mund të kuptojmë arsyet e atyre që mendojnë ndryshe, të atyre që na kundërshtojnë, madje edhe kufizimet tona”.

Dhe pikërisht nga ky dëgjim i heshtur i Zotit dhe i njeriut mund të arrijmë nga kakofonikja, tek simfonikja. E edhe të ecim së bashku, të jemi një kor me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, pavarësisht nëse ndodhemi në kohë dhe situata të ndryshme - i porositi Papa terciaret, duke theksuar, më pas:

“Nuk është utopi …është rruga, sepse e vetmja rrugë është Jezusi. Nuk ju fsheh se është udha e kryqit, e përvujtërisë, e varfërisë, e shërbimit. Rruga e zgjedhur nga Shën Françesku dhe nga themeluesi juaj i nderuar, Luis Amigó, i cili i meditonte çdo ditë Mundimet e Krishtit, duke ju ftuar të zgjidhni stilin e vogëlsisë dhe të përuljes së vetvetes, parë si rrugë drejt qiellit”.

26 shtator 2022, 12:57