Kërko

Papa: Zoti është paqe, mos e përlyej me urrejtje! Shenjtëria nuk duhet të mbështesë pushtetin

Papa ndërhyn në Kongresin e prijësve fetarë në Nur-Sulltan: “Të investojmë në arsim, jo ​​në armatim. E t’i heqim qafe konceptet kufizuese dhe rrënuese, që fyejnë emrin e Zotit. I Gjithëpushtetshmi nuk duhet të jetë kurrë më peng i vullnetit të pushtetit njerëzor”. E, duke bërë thirrje për lirinë fetare, “e drejtë e patjetërsueshme”, kërkon të garantohet kudo dhe të mos kufizohet vetëm në lirinë e kultit: “Përderisa të ketë pabarazi e padrejtësi, do të vijojnë edhe urrejtja e terrorizmi!”

Papa Françesku duke folur sot në Kongresin e VII të prijësve fetarë në Nur-Sulltan, në Kazakistan, tha: “Të investojmë në arsim, jo ​​në armatim. E t’i heqim qafe konceptet kufizuese dhe rrënuese, që fyejnë emrin e Zotit. I Gjithëpushtetshmi nuk  duhet të jetë kurrë më peng i vullnetit të pushtetit njerëzor”. E, duke bërë thirrje për lirinë fetare, “e drejtë e patjetërsueshme”, kërkon të garantohet kudo dhe të mos kufizohet vetëm në lirinë e kultit: “Përderisa të ketë pabarazi e padrejtësi, do të vijojnë edhe urrejtja e terrorizmi!”.

Zoti është paqe, mos e përlyej me urrejtje

“Ne nuk e përligjim dhunën. E nuk lejojmë që çka është e shenjtë, të shfrytëzohet nga çka është profane. Shenjtëria nuk duhet të mbështesë  pushtetin e pushteti të mbështetet mbi shenjtërinë”.

E përsëri:

“Le ta pastrojmë veten nga pandehma se jemi të drejtë dhe nuk kemi asgjë për të mësuar nga të tjerët; të çlirohemi nga ato koncepte reduktuese dhe rrënuese, që e fyejnë emrin e Zotit nëpërmjet ngurtësisë, ekstremizmit, fundamentalizmit! E e marrin nëpër këmbë me urrejtjen, fanatizmin dhe terrorizmin, duke shpërfytyruar edhe njeriun”.

Papa Françesku ulet pranë presidentit të Kazakistanit, Kassym-Jomart K. Tokayev, në sallën e madhe futuristike të konferencave me tapet blu të Pallatit të Pavarësisë Nur-Sulltan, ku sot në mëngjes u hap Kongresi VII i Liderëve të Botës dhe i Feve tradicionale. Imamët dhe patriarkët, rabinët dhe murgjërit budistë, myftitë, diplomatët dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, u ulën rreth tryezës së rrumbullaktë, si të barabartë ndërmjet të barabartëve: rreth njëqind përfaqësues, të 50 vendeve. Para hapjes së Kongresit, u lutën së bashku, në heshtje, secili në gjuhën e vet dhe sipas bindjeve të veta.

Bij dhe bija të të njëjtit Qiell

 “Vëllezër dhe motra”, i quajti të gjithë Papa në fillim të fjalës së tij. Një hapje e zakonshme e fjalimeve të Papës, por që në këtë vend, në këtë ngjarje dhe në këtë epokë të plagosur nga luftërat dhe përçarjet vëllavrasëse, fiton vlerë të veçantë. “Më lejoni t’ju drejtohem me këto fjalë të drejtpërdrejta, familjare …” – kështu u shpreh Françesku, duke kujtuar më pas “atë vëllazëri që na bashkon të gjithëve, si bij e bija të të njëjtit Qiell”.

Udhë vëllazërore

Në këtë tokë të përshkuar nga karvanët, përgjatë rrugës së lashtë të mëndafshit që pa ndërthurjen e "historisë, ideve, besimeve dhe shpresave”, Papa i drejtoi këtij vendi urimet më të përzemërta:

“U bëftë edhe një herë Kazakistani vend takimi i të largëtve. Haptë një rrugë të re takimi për të largtit. Rrugë të re takimi, përqendruar mbi marrëdhëniet njerëzore: mbi respektin, ndershmërinë e dialogut, vlerën themelore të secilit, bashkëpunimin; udhën vëllazërore për të ecur së bashku drejt paqes”.

Fundamentalizmi i bren besimet

Me dorë në zemër, Papa bëri një përkulje të vogël me kokë, përpara se të merrte fjalën për të mbajtur një fjalim të gjatë dhe të plotë, pasuruar me citime nga Seneka e Leopardi, e sidomos, nga Abai, poeti, edukatori dhe më i famshmi kompozitor i Kazakistanit, babai i letërsisë moderne. Duke huazuar fjalët dhe vargjet e tij, Papa nënvizon se bota pret një “besim  të vërtetë”:

“Është koha për t’u zgjuar nga ai fundamentalizëm, që e ndot dhe bren çdo besim, koha për ta bërë zemrën të pastër dhe të dhembshur. Por edhe koha t'ia lëmë librave të historisë fjalimet që, për një kohë të gjatë, këtu e gjetiu, ngjallën dyshime dhe përbuzje ndaj fesë, sikur të ishte faktor destabilizues i shoqërisë moderne”.

Feja, përgjigje etjes për paqe

“Në këto vende - kujtoi Papa Françesku – njihet mirë trashëgimia e ateizmit shtetëror, imponuar prej dekadash, ajo mendësi shtypëse dhe mbytëse, e cila tërbohej vetëm nga shqiptimi i fjalës fe.  Ndërsa ‘fetë nuk janë probleme, por pjesë e rrugëzgjidhjes për bashkëjetesë në harmoni’”. Kërkimi i transcendencës dhe i vlerës së shenjtë të vëllazërisë, mund të “frymëzojë dhe të ndriçojë zgjedhjet që duhen bërë në rrethanat e krizave gjeopolitike, sociale, ekonomike, ekologjike, por në rrënjë, shpirtërore, që kalojnë shumë institucione të sotme, edhe demokracitë, duke vënë në rrezik sigurinë dhe harmoninë ndërmjet popujve”. Prandaj është e nevojshme që feja “t'i përgjigjet etjes së botës për paqen e përjetësinë që banon në zemrën e çdo njeriu”.

Liria fetare, kusht themelor

Megjithatë, kushti kryesor është liria fetare, “e drejtë themelore, parësore dhe e patjetërsueshme, që duhet të promovohet kudo, pa u kufizuar vetëm me lirinë e kultit. Vëllezër, motra, ne jemi krijesa të lira – theksoi me forcë Jorge Mario Bergoglio:

“Çdo njeri ka të drejtë ta dëshmojë publikisht fenë e vet e ta propozojë, pa e imponuar kurrë. Është praktika e mirë e shpalljes, e ndryshme nga prozelitizmi dhe indoktrinimi, nga të cilat të gjithë janë të thirrur të qëndrojnë larg”.

“Mbyllja e besimit më të rëndësishëm të jetës në sferën private do t’i mohonte shoqërisë pasurinë më të pafundme”, vijoi Papa, për t’u bërë, më pas, thirrje krerëve të feve të botës të "reflektojnë mbi rolin që kanë në zhvillimin shpirtëror dhe shoqëror të njerëzimit gjatë periudhës pas-pandemike”.

Sfida e pandemisë

Katër, sfidat “globale”, për të tashmen dhe të ardhmen, për të cilat foli Papa dhe të cilat i bëjnë thirrje të gjithëve për “unitet më të madh”. E para, pandemia:

“Covid-19 na vuri të gjithëve në një pozitë të barabartë. Na bëri të kuptojmë se, siç tha Abai, ‘ne nuk jemi demiurgë, por të vdekshëm’: të gjithë u ndjemë të brishtë, të gjithë në nevojë për ndihmë; asnjë plotësisht autonom, asnjë plotësisht i vetëmjaftueshëm. Tani, megjithatë, ne nuk mund ta shpërdorojmë nevojën për solidaritet që ndjemë, duke vazhduar të jetojmë sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.

Jo pretendimeve të rreme të gjithëpushtetit

Kini kujdes, pra, “nga pretendimet e rreme të gjithëpushtetit, frymëzuar nga progresi teknik dhe ekonomik, i cili i vetëm nuk mjafton”. Kujdes  “nga grackat e fitimit, parë si të ishin ilaçe për të gjitha sëmundjet” ose “nga mbështetja e zhvillimit të paqëndrueshëm, që nuk i respekton kufijtë e vendosur nga krijimi”. E, paralajmëron Papa, nuk është e nevojshme as “ të anestetizohemi nga konsumizmi që trullos, sepse mallrat janë për njeriun dhe jo njeriu për mallrat”.

Kujdes për njerëzimin, në të gjitha përmasat

Në periudhën e paspandemisë, besimtarëve u drejtohet thirrja “të kujdesen për njerëzimin në të gjitha përmasat e tij, duke u bërë artizanë të bashkimit. Kjo, në praktikë, do të thotë të dëgjosh zërin e të ligshtëve, t’i bësh jehonë solidaritetit global me ata, që vuajtën më shumë nga pandemia, e cila e nxori fuqimisht në pah pabarazinë e padrejtë planetare”:

“Sa shumë, ende sot, nuk e kanë të lehtë të vaksinohen! Ne jemi në anën e tyre, jo në anën e atyre që kanë më shumë dhe japin më pak; të bëhemi ndërgjegje profetike dhe e guximshme, të jemi pranë të gjithëve, por veçanërisht me njerëzit e harruar, me të përjashtuarit, me shtresat më të ligshta dhe më të varfra të shoqërisë, me ata që vuajnë në fshehtësi dhe në heshtje, larg nga qendra e vëmendjes”.

Pabarazia dhe padrejtësia, viruse më të rrezikshme se Covid

Përderisa do vazhdojnë të tërbohen pabarazitë dhe padrejtësitë, nuk do të pushojnë as viruset më të këqija se Covid: ato të urrejtjes, të dhunës, terrorizmit”.

Paqe, përballë plagës së luftës

“Kjo çon në sfidën e dytë, atë të paqes. Krerët e feve e kanë diskutuar për dekada këtë çështje, megjithatë, vëren Papa, “ne i shohim ditët tona të ngarkuara ende me fatkeqësinë e luftës, me klimën konfrontimit të acaruar, me pamundësinë për të bërë një hap prapa dhe për t’i shtrirë dorën tjetrit”.

 “Si mund të mendojmë se njerëzit e kohës sonë, shumë prej të cilëve jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte, janë gati të angazhohen në një dialog të respektueshëm, plot përgjegjësi, nëse fetë e mëdha, të cilat përbëjnë shpirtin e kaq shumë kulturave dhe traditave, nuk angazhohen në mënyrë aktive për paqen?”.

Takime, dialog, negociata me durim

“Të ndërgjegjshëm për tmerret dhe gabimet e së kaluarës, t’i bashkojmë forcat që i Gjithëpushtetshmi të mos bëhet kurrë më peng i vullnetit të fuqisë njerëzore”, kjo thirrja e Ipeshkvit të Romës. “Zoti është paqe dhe të çon gjithmonë në paqe, kurrë në luftë”, përsërit Papa. Prandaj, ne duhet të angazhohemi dhe të bëjmë edhe më shumë, “të japim ndihmesën që konfliktet të mos zgjidhen me forcë, me armë e kërcënime”, por me “takime, dialog, bisedime durimtare”. Duhen mbrojtur ëndrrat për zhvillimin dhe të ardhmen e brezave të rinj. Duke menduar për to, “investojmë jo në armatim, por në arsim”.

Sakrilegj, temjani i indiferencës

Sfida e tretë është mirëpritja vëllazërore. “Sot përpjekja për ta pranuar  njeriun është e madhe”- theksoi Papa Françesku:

“Çdo ditë të posalindurit dhe fëmijët, emigrantët dhe të moshuarit përjashtohen! Shumë vëllezër e motra vdesin të flijuar në altarin e fitimit, të mbështjellë me temjanin sakrilegj të indiferencës. Ndonëse çdo qenie njerëzore është e shenjtë”.

Papa kujton më pas, ngjarjet aktuale: “zhvendosjet e mëdha të popullsive, të shkaktuara nga luftërat, varfërinë, ndryshimet klimatike, kërkimin e  mirëqenies, që bota e globalizuar na lejon ta shohim, por jo ta kemi”. Përballë këtij “heksodi të madh” - vëren Papa - “Sigurisht, nuk mund të mos i mbrosh siguritë e fituara dhe të mos i mbyllësh dyert nga frika; është më e lehtë të dyshosh për të huajin, ta akuzosh dhe ta dënosh, sesa ta njohësh dhe ta kuptosh. Ashtu si është detyra jonë të kujtojmë se Krijuesi, i cili i ndjek hapat e çdo krijese, na këshillon të kemi shikim të ngjashëm me të tijin, që e njeh menjëherë fytyrën e vëllait”.

Arti i mikpritjes

“Le të rizbulojmë artin e mikpritjes, të mirëseardhjes, të dhembshurisë”, këshilloi akoma Françesku. “E të mësojmë - nënvizon - të kemi turp: atë turp të shëndetshëm, i cili buron nga keqardhja për njeriun që vuan, nga emocioni dhe habia për gjendjen e tij, për fatin e tij, duke u ndjerë gjymtyrë e tij. Është rruga e dhembshurisë, që të bën më njerëzor dhe më besimtar”.

Na takon ne, përveçse të afirmojmë dinjitetin e pacenueshëm të çdo njeriu, të mësohemi të qajmë për të tjerët, sepse vetëm nëse i perceptojmë mundimet e njerëzimit si tonat, do të jemi vërtet njerëzor!

Ta ruajmë Krijimin!

Sfida e fundit globale: “Ruajtja e shtëpisë së përbashkët”, mbrojtja nga trazirat, logjika e fitimit dhe ruajtja për brezat e ardhshëm. T’i bashkojmë përpjekjet në këtë sfidë. Nuk është e fundit për nga rëndësia” - shpjegoi Françesku. - “Viruset, si Covid-19, të cilët edhe pse mikroskopikë, janë të aftë të shkatërrojnë ambiciet e mëdha të progresit, shpesh lidhen me një ekuilibër të përkeqësuar, kryesisht për shkakun tonë, me natyrën që na rrethon”. Shembujt janë para syve tanë: shpyllëzimi, tregtia e paligjshme e kafshëve të gjalla, bujqësia intensive ...” Shkaktare? Mendësia e shfrytëzimit, që shkatërron shtëpinë ku jetojmë” - vërejti Papa. "Jo vetëm kaq: ajo çon në errësimin e atij vizioni respektues dhe fetar të botës, që e dëshiroi vetë Krijuesi”.

"Përpara së bashku!"

“Të ecim përpara së bashku, që rruga e feve të jetë gjithnjë e më miqësore”- përfundoi Papa - duke shtuar lirisht, jashtë tekstit, falenderimin për Kazakistanin si dhe urimin “që të përpiqet gjithnjë për të bashkuar, për të frymëzuar dialogun, për të nxitur miqësinë. Është shembull, që Kazakistani na e jep të gjithëve e që ne duhet ta ndjekim e ta mbështesim:.

“Ne nuk kërkojmë sinkretizma të rreme pajtuese, por i ruajmë identitetet tona, pa e humbur guximin e ndryshimeve, për takimin vëllazëror”.

14 shtator 2022, 12:32