Papa në Matera Papa në Matera 

Qyteti i Materas priti hareshëm Papën Françesku

Françesku mbërrin në Matera 31 vjet pas vizitës së Gjon Palit II, më 27 prill 1991. Në tetor 1093 në Città dei Sassi banoi për disa muaj Papa Urbani II. Sot në mëngjes, Mesha për përfundimin e Kongresit Eukaristik Kombëtar

R. SH. - Vatikan

Gjithçka ishte gati për të mirëpritur Papën Françesku i cili, me Meshën, që po e kremton sot në Stadiumin e XXI shtatori, duke nisur nga ora 9.00, po mbyllë Kongresin e 27-të Kombëtar Eukaristik me temë: “Të kthehemi te shija e Bukës. Për një Kishë Eukaristike dhe Sinodale”, organizuar nga Kisha Italiane, në bashkëpunim me Dioqezën e Matera - Irsina.

 Papa në Matera

Sot në mëngjes, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, për shkak të kushteve të trazuara të motit, Françesku u largua nga Shtëpia e Shën Martës drejt aeroportit Romë-Ciampino në orën 6.30. Pas mbërritjes së tij private në Gioia del Colle, u zhvendos në Matera me makinë. Si mbërriti në fushën e shkollës së atletikës "Raffaele Duni", e si ndërroi makinën, rreth orës 8:45 Ati i Shenjtë shkoi në Stadiumin Komunal XXI Shtatori, ku u prit nga Kreu i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Matteo Zuppi, imzot, Antonio Giuseppe Caiazzo, kryeipeshkëv i Matera-Irsina, presidenti i rajonit të Bazilikatës, Vito Bardi, prefekti i Matera-s, Sante Copponi, kryetari i bashkisë, Domenico Bennardi dhe kryetari i provincës, Piero Marrese. Në stadium e pritën rreth 12500 besimtarë, që nisën të grumbullohen nga ora 6.30 deri në 8 të mëngjesit, ndërsa në qendrën historike të Materas dhe në stadium janë vendosur ekrane të mëdha për besimtarët, që po ndjekin kremtimin e Papës. Ndërmjet tyre, shtegtarë nga Bazilikata, por edhe nga Pulia e Molise. Hekurudhat Appulo Lucane, që lidhin Barin me Materën qendrore, siguruan një lidhje metropolitane pa ndalesë që nga agimi i mëngjesit të sotëm, për të lehtësuar mbërritjen e besimtarëve në Meshë. Në përfundim, Papa do të kthehet në Vatikan.

25 shtator 2022, 10:22